Vdekja e Ali Lajçit, Kurti: Do të kujtohet gjithmonë për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij politik

28 prill 2024 | 21:51

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngushëlluar familjen Lajçi për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të LVV-së e ish-kryetarit të Pejës, Ali Lajçi.

Ndër të tjera, Kurti ka thënë se “do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij politik të shtrirë gjatë një periudhe mbi 45 vjeçare, si nga ata që e njohën dhe punuan me të, ashtu edhe nga historia moderne e Kosovës.”

Ngushllimi i plotë i Kurtit:

I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Bacës Ali, politikanit Ali Lajçi!

I lindur më 3 janar të vitit 1955 në Malaj të Rugovës, Ali Lajçi ka qenë politikisht aktiv gjatë gjithë jetës së tij. Emri i Ali Lajçit haset herët, qysh mes emrave të organizatorëve të demonstratave studentore e popullore të vitit 1981, për çka ai u dënua nga regjimi i Jugosllavisë me 15 vite burgim. U lirua nga burgu në vitin 1991, por u arrestua sërish më 1993 për përfshirjen e tij në organizime të rezistencës së armatosur.

Pas luftës në Kosovë, Ali Lajçi ishte Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 – 2007. Pas kësaj ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës në disa legjislatura, ku ishte edhe një nga nëshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008. Me Ali Lajçin më ka rënë të njihem dhe të punojmë së bashku sidomos në kohën sa ishte deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës. Ali Lajçi do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij politik të shtrirë gjatë një periudhe mbi 45 vjeçare, si nga ata që e njohën dhe punuan me të, ashtu edhe nga historia moderne e Kosovës.

Ngushëllime familjes Lajçi, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të Ali Lajçit për vdekjen e tij!

U kujtoftë gjithmonë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri dhe kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka ngushëlluar familjen…