VDEKJA E JUGOSLLAVISË

11 janar 2024 | 17:51

… Në fillim ishte opinga, pastaj traktori dhe Yugo… e nuk janë më.

Shkruan: Ismail Syla

OPINGAT E PIROTIT

Nuk e di për ju, por unë ende i mbaj mend opingat e Pirotit, të cilave nëna ime u thoshte “apanga të shkrime”. Këtë mbathje na blinin në fillim të vitit shkollor, në raste festash e gjithsesi në Ditën e Shëngjergjit, kur fëmijët duhej të vishnin diçka të re, e më të lira se opingat e llastikut nuk kishte gjë në botë. Opingat ishin të bukura vetëm në dy tri ditët e para. Numri i tyre me ngjyrë të kuqe brenda tabanit fshihej shpejt nga fërkimi çorapave të nejlonta, grishat nën tabanin e hollë nisnin të harxhoheshin dhe pjesa e lëmuar e humbte shkëlqimin. Opingat e burrave kishin rrip, ndërsa ato të grave dallonin metë vetmin element elegance, mungesën e rripit dhe formën më të ngushtë për shputë të këmbës dhe një nuancë më theksuar shkëlqimi.

Unë i kam urrejtur opingat në këmbët e të rriturve, e sidomos në kohë vjeshte dhe dimri. Ato veçanërisht shëmtoheshin kur bëheshin me pleh organik nga ata që kujdeseshin për mirëmbajtjen e ahurit, edhe kur mbathnin porape të leshta për t’u mbrojtur nga të ftohtit. Opingat dilnin në shesh edhe më keq kur në mëngët e çorapave futej fundi i pantollonave, që të mos preknin baltën ose bajgat. Opingat e Pirotit, si prodhim industrial gome, kishin zëvendësuar opingat e lëkurës të bagëtive të cilat thuhej se nuk qëndronin gjatë. Një muaj të reja, një muaj të shqyera, tre muaj dathë, thoshin ata që në njëkohë kishin vënë në këmbë bio-mbathje. Opingat e llastikut kishin zëvendësuar edhe ato që quheshin opinga Rahoveci, të bëra nga goma e jashtme dhe e fortë e motoçikletave, që nuk kishin thembër dhe as formë të përshtatshme, por thjesht adaptim të dhunshëm gome, jashtë përdorimi.

***

Gjatë kohës së luftës u dogjën shumë shtëpi në fshatra. Edhe ato që në katin e poshtëm mbanin kafshët. Kjo pjesë e shtëpive më ahur brenda u dogj përfundimisht bashkë me plehun e përditshëm dhe urinën e kafshëve. Po ashtu, opingat e Pirotit me kalimin e kohës u zhdukën nga këmbët e njerëzve por edhe nga tregu. Edhe nëse gjenden diku, janë të pashitshme. Tregu i tanishëm mban lloj lloj mbathjesh të lira, të liga dhe me kundërmim të keq si produkt i riciklimit, por gjithsesi më të mira se opinga e Pirotit, simbol i mbathjes së bujkut serb.

TRAKTORI FERGUSON

Që në fëmijëri nuk kam pasur besim në traktorat IMT Ferguson 133, prodhuar në Zemun të Serbisë, ndonëse me licencë angleze. Këtë mosbesim ma mbollën traktorët e atyre familjeve të pakta të farefisit që kishin këtë mjet bujqësor. Bie fjala traktori i Ramë Alushit kurrë nuk ndezte në çelës, por duhej shtyrë ose ngrehur nga një traktor tjetër. Edhe kur fillonte të lëvrojë në ara, prishej në gjysmë të punës. Rama tërë ditën e humbte duke mjeshtruar në të. E hiqte pjesën e prishur, shkonte diku. Kalonin ditë të tëra dhe traktori i tij mbetej në arë. Më qe krijuar bindja se që në fabrikë këta traktorë dalin kështu, të ligj, me defekte dhe pjesë brenda motorit që plasnin aq shpejt sepse për të qenë të tillë ishin prodhuar.

Në fund të viteve 1980 traktorët e një serie tjetër 139, me kabinë dhe qyngj tymi vertikal shiteshin me kredi në kushte të inflacionit marramendës. Kishte tregtarë të zellshëm që përfitonin nga devalvimi i dinarit jugosllav dhe traktori i mbetej falë, sa një pako cigaresh. Kishte të shkretë, të tillë që e blenin me çmimin real të kohës, gjashtë mijë marka gjermane. Por pati edhe të tillë që qenë dyfish të shkretë, nga inati që të mos mbetet prapa fqinjit, e blenin traktorin dymbëdhjetë mijë marka gjermane.

[Vërejtje:

Në këtë kohë të përhapjes së traktorit 139 u pensionua një funksionar jugosllav në OKB. I binte që çdo muaj mund të blinte një traktor.]

Traktorët nëpër fshatra kishin karakterin dhe identitetin e zhurmës së tyre, njësoj si njerëzit. Meraklinjtë pa e parë traktorin e dinin saktë i kujt ishte. E dinin ndryshimin e punës së motorit pas riparimit, gjatë lavrës, gjatë ecjes me ngarkesë, pa ngarkesë, me dhënie të madhe gaz. Kur me këta traktorë kryheshin punë të rënda në përpjetëza kishte një shpejtësi speciale, ecje e ngadalshme, e cila vetëm kur thuhej në serbisht, “spori hod” ua mbushte mendjen, qoftë atyre që ishin fillestarë në drejtimin e tyre, qoftë atyre që i instruktonin rishtarët: shtine në spori hod, hiqe prej spori hodi…

Nëse në bartjen e armëve përmes kufirit të ashpër Shqipëri – Kosovë, kali është një lloj heroi, për popullin e zhvendosur nga shtëpitë në kohë lufte traktori ishte një kalë i hekurt që depërtoi në gryka malesh, rimorkio e të cilit ishte gjysmë shtëpie në lëvizje. Traktorët me karvane të refugjatëve shqiptarë të dëbuar nga trojet e tyreu, sipas planit ushtarak sekret serb “Patko”u bënë pjesë e xhirimeve të televizioneve botërore në mars, prill dhe maj 1999.

P.S. Pas luftës,në Kosovë bashkatdhetarët sollën traktorë të standardeve perëndimore, dukshëm më të fuqishëm dhe më të mirë se “fergusonët” e prodhuar në Zemun të Beogradit. Traktorë me klimë brenda, komodë dhe lehtë të përdorueshëm shihen gjithandej Kosovës.

Pse traktori 139 jeton ende, e pyeta një adhurues të traktorëve. Thjesht, u përgjegj: Në hendeqe sheh makina të hedhura, por kurrë traktorë. Traktorët jetojnë gjatë.

Gjatë gjatë, por po rrallohen gjithnjë e më shumë , mendova më vete…

VETURAT ZASTAVA DHE YUGO

Veturën “Zastava” të Kragujevcit që sa e sa vite nuk e sheh njeri në rrugët e Kosovës. Kur lëviz në vendbanimet maqedone drejt Bullgarisë mund të shihet aty këtu kjo markë e urryer e makinave jugosllave, që përdorej gjerësisht nga “milicija” serbe. Në ekonominë e centralizuar socialiste këto makina imponoheshin si prodhim vendi në gjashtë republikat me afër 24 milionë banorë.

Kur doli tipi “Yugo” në vitet tetëdhjetë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte shpallur si vetura më qesharake (funny) e botës. Yugo dhe Zastava 101 ishin prodhim tipik jugosllav, serb. Këto dy tipe makinash ishin simbol i takatit jugosllav dhe serb si në shpirt, ashtu edhe në fuqinë ekonomike dhe resurset inxhinierike. Ishte luksi që tregonte fatbardhësisht kufizimin e kësaj krijese të popujve sllavë, e më vonë kryekëput serb, që në një kënd diku në jug po pëpiqej ta shtypte për gati njëqind vjet një popull dymilionësh. Këto makina nuk ishin Fiati italian, as Peogout-ja franceze e lëre më Mercedesi gjerman. Surrogati më i shëmtuar i këtij prodhimi, sipas licencës italiane, ishte Fiqa 750, (fiqa, emër përkëdhelës për fiat). “Fiqa” e vërtetë italiane, ndonëse e vogël në përmasa, sot e atë kohë ka një disenj të bukur perëndimor, krahasuar me fondin e mbetur të “fiqave” jugosllave.

Për vetura të tilla me pëçmim thuhej se gjenden pjesë këmbimi për to edhe në kiosqe ku shiten gazetat. Shpejt vjetëroheshin dhe nuk ishin makine prestigjioze. Zhdukja e tyre nga qarkullimi u bë në mënyrë shumë agresive. Sikur ky agresivitet i shkëputjes të ishte i fushës shpirtërore, shoqëria kosovare do të ishte kampione e purifikimit dhe katarsës. Veturat e markës Volkswagen, Golf2 si krijesa të pangopshme i hëngrën gjithë 101 dhe Yogo-t pamëshirë dhe në afat superrekord.

Makinat jugosllave – serbe avulluan dhe Kosova një ditë u zgjua pa to. Ka jugonostalgjikë që u del nga shpirti fjala: – T’ua kemi inati, ama me mall të tyre, të Serbisë, nuk ka, kur flet për kabllo rryme, priza e spina, keksa plazma, Coca-Colë të Zemunit, produkte bujqësore, por një nuk del që të thotë nuk ka me 101 a me Yugo. Asnjë kategori sociale, madje as jugonostalgjikët nuk kanë nostalgji për to. Ata që kanë ende një dozë të pafshirë nostalgjie, mund të çmallen në tatuazhin me tri germa JNA në lëkurën e krahur, në llërën e dorës.

Më parë se traktorat 133, 139 dhe Rakovicat, vdiqën 101- shat dhe Yugo-t.

Prishtinë, 11 janar 2024

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët e ATK-së  të arrestuar gjatë aksionit të së martës…