Vdes në rrethana tragjike ish-asamblistja e PDK-së në Gjilan, dyshohet se ra nga kati i pestë
Një 44-vjeçare ka vdekur në Gjilan, pasi dyshohet se ka rënë nga ballkoni i banesës ku jetonte.
Ajo ka jetuar në katin e pestë të kësaj banese, ndërsa rastin e ka konfirmuar për edhe Policia e Kosovës. Bëhet fjalë për Arzie Nuhiu.
“Sot më 21 korrik rreth orës 03:50 të mëngjesit, Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar informatën se në rrugën ‘Raif Halimi’, në pjesën e pasme të njërës nga ndërtesat në këtë rrugë është vërejtur një trup i personit të gjinisë femërore. Njësitet policore nga stacioni policor i Gjilanit me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Më pas nga familjarët është identifikuar se bëhet fjalë për A.N. (1977) femër shtetase e Kosovës, që ishte duke banuar në katin e pestë të ndërtesës në këtë rrugë”, ka thënë zëdhënësi i PK-së për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani për “lajmi.net”.
Ai ka bërë me dije se dyshimet fillestare janë se e njëjta ka rënë nga ballkoni i banesës së saj ku ishte duke jetuar.
Në vendngjarje kanë dalë edhe shërbimi emergjent, ku nga mjeku kujdestar i kësaj njësie është konstatuar vdekja e 44-vjeçares.
Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Policia e ka cilësuar rastin si “vdekje e dyshimtë” dhe po vazhdojnë hetimet në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
Viktima është raportuar se ka qenë edhe ish-asambliste e Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Gjilanit.