Vendi ku unë jetoj, Vragoci me 20 shtëpi

10 nëntor 17:24

Shkruan: Fatjona  Berisha

Fshati Vragoc ku unë jetoj gjendet në periferi të Pejës, një vend i vogël por me karakteristika të mëdha.  Është i rrethuar nga fusha, male dhe lumin: ‘’Lumbardhi’’ apo Bistrica, me një larmishmi pemësh dhe kulturash të ndryshme, të cilat ofrojnë  një pejzash tejet të  bukur natyror. Një fshat me rreth 20 shtëpi dhe me një  numër të  vogël banorësh ku lirisht mund të  them se konsiderohet si fshat i vogël, ku për 50 vitet e fundit janë  ndërtuar shumë  pak shtëpi ndërsa kanë  ndodhur edhe migrime të  shumë  familjeve në  shtetet Perëndimore. Për sa i përket veprimtarive që janë zhvilluar më së shumti janë: bujqësia dhe blegtoria. Po ashtu, ka pasur edhe një kooperativë bujqësore, ku jo vetëm fshati ynë por edhe fshatrat përreth janë furnizuar me mjete bujqësore, mirëpo ajo nuk është më funksionale ngase shumica e mjeteve janë shitur. Ashtu si dikur, edhe në ditët e sotme veprimtaria kyçe dhe më fitimprurëse e shumicës për banorët e fshatit tim është Bujqësia.

Qendra e zanateve tregim i harruar i emancipimit të gruas

Në kohën e pasluftës, gratë e fshatit kanë pasur një qendër të tyre, e cila qendër ka pasur funksione edhe role të ndryshme. Aty gratë dhe vajzat kanë pasur mundësi të marrin një zanat që ato e kanë dëshiruar ta zhvillojnë si: në art, gjuhë angleze, parukeri, rrobaqepësi, por kanë punuar edhe me vekë qilima të ndryshëm, çanta, dhe pastaj ato i kanë shitur sipas kërkesave në treg. Me një fjalë  ajo qendër e grave u konsiderua si `vatër` e emancipimit të  grave të  fshatit. Ka funksionuar për një periudhë të gjatë, por fatkeqësisht edhe kjo është mbyllur në vitin 2006 për shkak të mungesës së financimit nga organizatat e huaja ndërkombëtare. Megjithatë, mendoj që në të ardhmen me anë të ndonjë projekti fitimprurës mund të bëjmë përpjekje që të funksionalizohen përsëri këto veprimtari të cilat do të ishin në  dobi të  grave dhe familjeve të  tyre.

Lumi Lumbardh vend i peshkimit

Krahas specifikave të  tjera, një  ndër veçoritë  më  karakteristike të  cilat e karakterizojnë  vendlindjen time është  lumi Lumbardh. Ky lum është i pasur me peshq të ndryshëm, ku edhe peshkimi si veprimtari e gjuajtjes se peshqve nuk mungon, edhe pse fatkeqësisht edhe kjo veprimtari po keqpërdoret nga grupe të  ndryshme të  cilët vijnë  nga vende të  ndryshme për gjuajtjen e peshqve me rrymë  elektrike. Kjo përveç se ndikon në ndotjen e ambientit, rrezikon edhe jetesën e gjallesave ujore të  cilët jetojnë  në  lumin Lumbardh. Në fshatin tim të  rrethuar me shumë  pasuri tokësore dhe ujore jemi duke u ballafaquar edhe me një  veprimtari tjetër ilegale dhe mjaft shqetësuese pra, me gurëthyesit e shumtë private të  cilët po prishin një hapësirë tejet të madhe të  tokave punuese dhe që  po ashtu kanë  prekur një pjesë të Bistricës, për përfitimet e tyre personale nga këto veprimtari. Mendoj që  ky është  një  fenomen shqetësues dhe shkatërrues për mjedisin ku shumë  prej këtyre kompanive janë  të  licencuara e shumë  ka që  punojnë  në  mënyrë  ilegale të  pa licencuara.

Bukuria dhe ecjet si motiv për të jetuar në fshat

Pavarësisht se ju prezantova më  të  metat apo shqetësimet e fshatit tim , në  këtë  pjesë  më  tepër do të  doja të  ndalesha tek aspektet pozitive të  cilat padyshim që nuk mungojnë.  Ecjet dhe vrapimet gjatë ditës janë një pjesë relaksuese që është bërë si rutinë e shumë familjarëve duke u munduar që t`i kushtojnë rëndësi shëndetit dhe aktivitetit fizik, pastaj fusha e lojës ku mblidhen fëmijët e fshatit. Aty ku edhe unë i kam kaluar momentet më të bukura të fëmijërisë sime, janë një pjesë e dashur për të gjithë. Pastaj, ajri i pastër, ushqimi organik dhe i freskët i rritur në kopshtin pranë shtëpisë, mendoj që janë  disa nga privilegjet e të  jetuarit në  një  fshat.

Një  gjë  tjetër me vlerë  të  cilën dua të  theksoj është se në fshatin tim gjithmonë ka mbizotëruar qetësia dhe paqja dhe nuk ka pasur asnjë konflikt të ndonjë lloji, dhe kjo ka ndikuar në një mënyrë që edhe ne si fëmijë duke u rritur në një ambient të tillë të jemi më afër dhe të ndihmojmë njëri–tjetrin, por në fakt mendoj se vetë solidariteti është më i shprehur në fshat se në qytet.

Për sa i përket zhvillimit, është duke u zhvilluar me hapa normal dhe po fillon të modernizohet dita-ditës.
Të lindësh në një vend të tillë padyshim që më bën të ndjehem me fat, edhe pse shpesh ndoshta duke u rritur nuk i kam vlerësuar sa duhet aspektet pozitive, por me kohën e kam kuptuar se sa të veçanta ka ky vend.

Nëse gjendeni në fshatin tim dhe filloni ta eksploroni atë  duke ecur poshtë  kodrinave dhe livadheve të gjera dhe të bukura, me një ndarje strukturore të të  mbjellave të kultivimeve të  ndryshme bujqësore do të gjeni vetën duke u zhytur thellë në pajsazhin e bukurive natyrore.

Më poshtë kam bashkangjitur disa fotografi të realizuara në disa pjesë të fshatit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Robert Lewandowski është një nga lojtarët favoritë për të fituar…