Vendimi i Qeverisë për taksën, vendim i drejtë!

22 nëntor 2018 | 17:36

Skender Gashi

Qeveria e Kosovës mori vendim që të vendoset masa prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare. Pas këtij vendimi, tani është koha që klasa politike pozitë – opozitë të zgjohet njëherë e përgjithmonë, në mënyrë që të jemi unik si shqiptar dhe si komb. T’i tregojmë Ballkanit e Evropës se mjaft më na keni copëtuar në të gjitha luftërat që janë zhvilluar në Ballkan, Evropë dhe Botë.

Deri kur ne si popull duhet t’i gjunjëzohemi Serbisë dhe Evropës. Ne në të gjitha luftërat nuk kemi qenë okupator ndaj as një shteti, prandaj Evropa u ka borxh shqiptarëve që t’ua jep të drejtat e veta si të gjithë popujve tjerë në Ballkan dhe Evropë.

Zonja Federica Mogherini ju lutem implementojeni drejtësinë edhe tek ne, sepse jemi një popull liridashës dhe jo okupues si Serbia. Ju e dini shumë mirë historinë e Ballkanit dhe veproni drejt me konventat ndërkombëtare, sepse çdo proces ka vijat e kuqe dhe dikur mund të na humb edhe durimi.
Jemi një popull i lashtë dhe autokton në këtë Dardani. Po ju shohim se nuk jeni duke vepruar me drejtësinë dhe rregullat ndërkombëtare. Po mundoheni që Serbinë ta ngrini në këmbë që edhe një herë të bëjë krime ndaj popullit shqiptar, por kjo histori ka mbarur njëherë e përgjithmonë. Duhet ta dini ju znj. Mogherini se ne jemi faktor stabiliteti në Ballkan dhe në Evropë.

Po ju them se nuk do të ketë asnjëherë stabilizim politik ekonomik e social pa të drejtat e shqiptarëve. Këtë ju e dini mirë, andaj paraqiteni në sipërfaqe realitetin se edhe ne jemi popull liridashës si ju dhe intelektual.
Ne dëshirojmë të jemi të lirë si ju, pra që të lëvizim lirshëm në të gjitha drejtimet dhe të kemi bashkëpunim me të gjitha shtetet fqinje por në mënyrë reciproke.
U bëjë thirrje bizneseve tona që të kenë durim, ta shtrëngojnë rripin dhe të punojnë më shumë për shtetin dhe lirinë e qytetarëve.

Përkrahi plotësisht kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, për vënien e taksës 100 për qind kundër produkteve serbe. Ky veprim është reciprok ndaj gjuhës dhe veprave të tyre. U munduam me dialog të merremi vesh që 20 vite por Serbia gjithmonë punon në mënyrë të hapur kundër Kosovës dhe këtë e di shumë mirë Evropa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Drenicës, Taulant Dajaku, ka vlerësuar suksesin e Përfaqësueses…