Vendimi: Manastiri i Deçanit bëhet edhe me 7 ari tokë në qendër të Deçanit

21 mars 2024 | 20:11

Manastirit të Deçanit me vendimin e 13 marsit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, i kanë kaluar në pronësi gati 235 mijë metra katrorë tokë, rreth 24 hektarë. Sipas vendimit të cilin e ka siguruar RTV Dukagjini, Manastiri ka marrë në pronësi edhe 7 ari tokë në qendër të Deçanit, përballë Komunës. Por, aktivistë e historian nga Deçani thonë se nga tokat në qendër të qytetit, Manastiri kishte hequr vullnetarisht dorë në vitin 2009. Ky fakt përmendet edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë çështje gjatë ditës nuk janë përgjigjur as nga Manastiri i Deçanit e as nga Agjencia Kadastrale

Përpos që ka marrë nën zotërim dhjetëra hektarë tokë të ish-ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria”, përreth oborrit e zonës, Manastiri i Deçanit zyrtarisht është bërë pronar i ri edhe i tokave në pjesën përpara Komunës së Deçanit, bash në qendër të qytetit, saktësisht skaj shtatores së heroit, Sali Çekaj.

Kështu thuhet në dokumentin të cilin e ka siguruar RTV Dukagjini.

Sipas dokumentit, 234563² metra tokë i kanë kaluar në pronësi manastirit. Manastiri i Deçanit sipas këtij dokumenti po del të jetë pronari i tri parcelave në qendër të Deçanit.

Janë 722 m², apo 7 ari tokë.

Shifrat e njësisë kadastrale në vendimin e Agjencisë Kadastrale përputhen dhe janë lehtë të verifikueshme përmes platformës shtetërore “Geportal”.

Parcela me numër 01105-0, i ka 481 m² tokë ndërtimore, parcela e dytë 220 m², dhe parcela më e vogël po ashtu tokë ndërtimore, 21 m².

Për tokat që i posedon Manastiri i Deçanit me lokacion rreth 20 metra larg Komunës, nuk deshi të prononcohet kryetari, Bashkim Ramosaj.

Në anën tjetër, përkundër që vendimi mbanë datën 13 mars 2024, historianët nga Deçani pretendojnë se për 7 ari tokë para Komunës ka një ujdi ku Manastiri i Deçanit kishte hequr dorë nga këto prona.

“Në vitin 2009 ujdia e dytë që është bërë nga UNMIK-u përfaqësuar nga Erns Qok dhe Sava Janjiqi me një avokat të tij përfaqësues të Manastirit të Deçatnit e bëjnë një ujdi mbi faljen që faktikisht e legjitimojnë faljen apo dhurimin që iu është bërë në vitin 1997 nga Serbia e Milosheviqit. Tash Sava Janjiqi prej vullnetit të mirë se ai është zemër, edhe ai kinse heqë dorë prej ngastrave, kjo i bie po ta marr tokën krejt tokën e po ta fali oborrin”, ka deklaruar Adem Lushaj, historian.

Këtë që e thotë Lushaj është e përfshirë edhe në vendimin i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016, si përmbledhje e shkurtër e fakteve.

Aty thuhet se parashtruesi, Manastiri i Deçanit në shenjë të vullnetit të mirë, ia dha si dhuratë Komunës së Deçanit dy ngastrat e pronës së paluajtshme të cilat gjenden në qendër të këtij qyteti.

“32. Me 19 maj 2009, ne seancen e mbajtur ne te dy rastet, SCC-09-0226 dhe SCC08-0227, ne prani te Trupit gjykues, AKM-ja (e perfaqesuar nga Zyra per <;eshtje Ligjore e UNMIK-ut) dhe parashtruesi nenshkruan nje ujdi sipas se ciles paditesi (AKM) i njeh te paditurit (parashtruesit) pronesine mbi ngastrat ne fjale ne kontestin ndermjet “Iliria” -s dhe “APIKO” -s, ndersa i padituri (parashtruesi), ne shenje te vullnetit te mire, ia dha si dhurate Komunes se Der;anit dy ngastrat e prones se paluajtshme te cilat gjenden ne qender te Der;anit”, thuhet në endimin e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016.

RTV Dukagjini nga burime të ndryshme ka kuptuar se tashmë Agjencia Kadastrale 7 ari tokë në qendër të qytetit, ia ka kaluar me një vendim të veçantë në pronësi Komunës së Deçanit. Për këtë çështje gjatë gjithë ditës kemi pritur përgjigje nga Manastiri i Deçanit, por të njëjtit kanë heshtur. Televizioni Dukagjini ka tentuar të marrë nj qëndrim edhe nga Agjencia Kadastrale, por as këta nuk janë përgjigjur.

Pronësinë e këtyre tokave Manastiri e ka kërkuar moti kohë, këtë e konfirmon kryetari i parë i Deçanit pas luftës.

“Ajo pronë për të cilën flitet që ka qenë hotel “Turisti”, flitet se gjoja ia kanë qitë mbi Manastirin, ajo përpara ka qenë pronë private, herë ka kalu në pronë private herë në pronë shoqërore më vonë është ndërtuar hoteli në pronë shoqërore, ai hotel nuk ka qenë kurrë pronë e Manastirit, por ka qenë herë private herë shoqërore, në fudn pronë shoqërore pjesë e hotelit Iliria”, ka deklaruar Mehmet Bojkaj – ish-kryetar i Deçanit.

Bojkaj që ka qenë kryetar në vitet 2001-2002 thotë se përfaqësuesit e Manastirit në biseda private i thoshin se këto toka i kanë marrë në pronësi me një vendim të vitit 1997, në kohën e Slobodan Milosheviqit.

Bazuar në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese Manastirit të Deçanit ia ka njohur të drejtën e pronës për 23 parcela, gjithsej 24 hektarë tokë. Ky vendim është zbatuar 8 vjet më vonë, vetëm me kërkesë të Qeverisë në krye të së cilës qëndron kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Dukagjini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dr. Fahredin Hoti Në ëndrrën e një nate kur errësira…