Verë me bereqet për ‘Dardanët’

14 gusht 2020 | 13:15

Disa nga futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës kanë ndërruar skuadra e disa të tjerë pritet të ndërrojnë në ditët e ardhshme. Mediat në Itali raportojnë se Vedat Muriqi ka arritur marrëveshje me Lazion, kurse Milot Rashica është në mes të RB Leipzig dhe Aston Villas.

Afati kalimtar i kësaj vere është me bereqet për disa nga lojtarët e Kosovës në futboll. Kapiteni Amir Rrahmani pas një edicioni fantastik me skuadrën Hellas Verona, sezonin e ri do të jetë pjesë e Napolit me të cilën kishte nënshkruar muaj më parë. Ky është hapi më i madh në karrierë për ish-futbollistin e Drenicës, Partizanit dhe Dinamo Zagrebit. Ndërsa muajin e kaluar mesfushori i spikatur Valon Berisha vendosi që karrierën futbollistike ta vazhdojë në Francë, përkatësisht në skuadrën ku luan edhe reprezentuesi tjetër i “dardanëve”, Arbër Zeneli në Stade de Reims. Berisha ishte pjesë e Lazios, por në gjashtë muajit e fundit ishte i huazuar te Fortuna Dusseldorf në Bundesliga. Mesfushori besohet se i ka kushtuar skuadrës franceze pesë milionë euro.

Lëvizje në këtë afat kalimtar ka bërë edhe mbrojtësi i majtë i Kosovës, Leart Paqarada. Ky i fundit u largua nga Sandhausen dhe nënshkroi kontratë deri në vitin 2023 me St. Paulin. Njëri prej sulmuesve më të mirë në Përfaqësuesen e Kosovës, por edhe në kampionatin elitar të Turqisë, Vedat Muriqi, i ka orët e numëruara në skuadrën e Fenerbahçes, pasi gazeta “Correre dello Sport” ka raportuar se sulmuesi shtatlartë ka arritur marrëveshje me Lazion, e cila do t’i paguajë skuadrës turke 16 milionë euro dhe dy milionë të tjerë bonuese. Muriqi është paraqitur në 32 ndeshje për Fenerbahçen dhe ka realizuar 15 gola, derisa interesim për shërbimet e tij kishin shfaqur edhe Manchester United, WBA, Tottenham Hotspur dhe disa klube të tjera.

Një tjetër yll i “dardanëve” pritet të bëhet me skuadër të re. Bëhet fjalë për sulmuesin anësor Milot Rashica, i cili do të largohet nga Werder Bremen dhe e ardhmja është mes Gjermanisë dhe Anglisë. Interesim për shërbimet e ish-lojtarit të Vushtrrisë kanë shfaqur shumë klube, por favorite për të nënshkruar janë Aston Villa dhe RB Leipzig. Ndryshe nga këta futbollistë të Kosovës, portieri Samir Ujkani me gjasë do të mbetet pjesë e Torinos edhe për një vit tjetër. Të enjten “Calciomercato” ka raportuar se bisedimet mes portierit nga Vushtrria dhe klubit italian dhe Ujkani pritet të jetë portieri i dytë i skuadrës për edicionin 2020/2021.

(Veton ZYMBERI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, në seancën e…