Veseli: Kosova, krenare me të kaluarën dhe e përkushtuar për integrim në BE

08 shkurt 18:52

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në pritjen e Ambasadës së Kosovës në Zagreb, në shënimin e festës për 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

I pranishëm në këtë pritje ishte edhe kryetari i Zagrebit, Milan Bandiq dhe shumë personalitete të tjera të shtetit kroat dhe kori diplomatik i akredituar ne Kroaci.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kosova është shtet krenar me të kaluarën dhe i përkushtuar në rrugëtimin për të ardhmen, drejt BE-së dhe kultivimit të miqësisë me ShBA-së.

Veseli ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përfshirë personalitete të njohura kroate, por edhe të gjitha vendet e botës që ndihmuan në krijimin e shtetit të Kosovës.

“Kanë ndihmuar një mik të mirë dhe partner të sigurt. Kosova do të jetë gjithherë përkrah tyre, në proceset demokratike, në ruajtjen e paqes dhe stabilitet, në kultivimin e fqinjësisë të mirë”, ka theksuar kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Duke iu drejtuar bashkatdhetarëve në Kroaci, Veseli ka pohuar se ata duhet të jenë krenarë për kombin dhe shtetin të cilit i takojnë, por njëkohësisht të punojnë edhe më denjësisht për të ardhmen.

“Jemi krenarë me ju për atë çfarë bëni në Kroaci, por njëkohësisht ju bëj thirrje të mos e harroni vendin dhe shtëpinë tuaj, e ajo është Republika e Kosovës”, ka deklaruar kryeparlamentari Veseli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija-Deva, përmes një…