Veseli në Romë: Italia mbështet liberalizimin e vizave

24 korrik 2018 | 18:19

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, është pritur të martën në takim të veçantë nga presidentja e Senatit italian, Maria Elisabetta Alberti Casellati, me të cilën ka diskutuar për mbështetjen politike të shtetit italian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti.

Gjatë këtij takimi të dy homologët diskutuar edhe për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që Roma dhe Prishtina zyrtare kanë ndërtuar ndërmjet tyre.

Veseli e ka njohur kryeparlamentaren italiane për zhvillimet në Kosovë, me fokus në agjendën evropiane si prioritet nacional.

Veseli e ka falënderoi Casellatin për përkrahjen e vazhdueshme që shteti italian i ka dhënë dhe është duke i dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha drejtimet, ndërsa ka kërkuar mbështetjen e Senatit dhe shtetit italian në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se institucionet e vendit kanë përmbushur të gjitha kriteret që atyre u janë vendosur në këtë proces, ndërsa përmbushja e gjitha kritereve është vlerësuar ditë më parë edhe nga Komisioni Evropian i cili rekomandon heqjen e shpejt të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa, presidentja e Senatit të Italisë, Maria Elisabetta Alberti Casellati, ka theksuar se shteti i saj do të vazhdojë të përkrah Kosovën si në rrafshin e drejtpërdrejtë të marrëdhënieve ndërshtetërore, ashtu edhe në kuadrin e Bashkimit Evropian, sidomos në proceset aktuale që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave dhe proceset tjera integruese.

“Ne në Itali jemi në anën tuaj. Jemi të gëzuar se ka pasur hapa pozitiv në këtë drejtim. Do të përpiqemi të i influencojmë pozitivisht në vendet e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Ne vlerësojmë reformat në sistemin e drejtësisë që janë bërë deri më tani. Më vjen mirë që opozita flet me të njëjtën gjuhë si pozita për një interes kaq madhor si liberalizimi i vizave”, ka thënë Casellati.

Bashkëbiseduesit janë dakorduar se marrëdhëniet midis dy parlamenteve të hyjnë në një dinamikë të re, në të gjitha nivelet e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Gjatë vizitës zyrtare në Itali, kryeparlamentari Veseli është duke u shoqëruar edhe nga përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës: Glauk Konjufca (Vetëvendosje), Aida Dërguti (PSD), Ahmet Isufi (AAK), Srdjan Mitrovic (Lista Serbe), Haxhi Shala (Nisma) dhe Albert Kinolli (6+).

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nismës së kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, për kundërshtimin e…