Veseli: Papërgjegjësia e qeverisë po rrezikon falimentin e qindra bizneseve

02 tetor 2020 | 14:36

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar të premten në Prizren shoqatën “Esnaf”, që përfaqëson bizneset e këtij qyteti. Veseli ka folur me përfaqësuesit e bizneseve prizrenase për sfidat me të cilat ata po ballafaqohen dhe situatën e rëndë ekonomike në vend.

Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është e vendosur që të ndihmojë bizneset, dhe, për këtë arsye, ka përgatitur një sërë propozimesh konkrete për qeverinë.

Megjithëkëtë, Veseli ka thënë se papërgjegjësia e qeverisë po rrezikon falimentin e qindra bizneseve në vendin tonë, e me këtë edhe mijëra vende të punës.

“Sot jam në Prizren për t’u solidarizuar me ju. E di gjendjen e rëndë ekonomike e cila po mbretëron në vend. I di sfidat me të cilat po ballafaqoheni ju si ndërmarrës. Prandaj, unë ju siguroj se kjo nuk është faji i opozitës. Qeveria është duke u treguar tërësisht indiferente dhe e papërgjegjshme, dhe, me këtë po rrezikon shuarjen e shumë bizneseve në vend”, ka thënë Veseli.

Më tej, ai ka shtuar se është i gatshëm që përsëri të ulet së bashku me qeverinë dhe të gjejnë një zgjidhje sa më parë për të mirën e vendit dhe bizneseve.

“Qeveria duhet të ulet me Odat Ekonomike dhe me ne. Të marrë parasysh propozimet tona. Kjo situatë kërkon bashkim të të gjithë akterëve politikë. Unë ju premtoj se në momentin që do të ulemi së bashku për të diskutuar pakon e rimëkëmbjes, të nesërmen do ta votojmë atë në kuvend.”, ka thënë Veseli.

Mes tjerash, Veseli ka folur edhe për trustin pensional dhe mundësinë që qytetarët të tërheqin paratë e tyre nga ai fond. “Në duhet të kategorizojmë shtresat e qytetarëve dhe t’u kompensojmë paratë atyre që do t’i tërheqin. Në veçanti shtresës së ulët”, ka deklaruar Veseli.

Kryetari i Shoqatës “Esnaf”, Varis Xhejlani, ka falënderuar kryetarin e PDK-së për mbështetjen e tij të madhe dhe propozimet konkrete se si t’u dilet në ndihmë bizneseve në këtë kohë të vështirë të pandemisë.

Ai ka thënë se bizneset janë në një situatë të vështirë dhe ka kërkuar nga qeveria dhe institucionet që të jenë bashkëpunues me të gjithë akterët politikë në mënyrë që ndihma për ndërmarrësit të jetë sa më e shpejtë dhe sa më e madhe.

(A.M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fotografi të krerëve të veteranëve të UÇK-së janë vendosur rrugëve…