Veseli prezanton 7 vendimet e para kundër korrupsionit gjatë qeverisjes së tij

12 shtator 2019 | 16:14

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, njëherësh kandidat për kryeministër, në një konferencë për medie ka prezantuar sot planin e tij kundër korrupsionit dhe hapat konkret për realizimin e këtij plani.

Veseli ka thënë se qeveria e tij do ta formojë Byronë Anti- Korrupsion, e cila do të ketë strukturë të posaçme që do të ndërtohet në partneritet të ngushtë me partnerët perëndimorë, konkretisht ShBA-të dhe BE-në.

Sipas tij, Byroja Kombëtare Anti-Korrupsion do të jetë institucion ombrellë që do të përbëhet nga Departamenti i Posaçëm i Prokurorisë për luftimin e korrupsionit, Departamenti i Posaçëm Gjyqësor kundër korrupsionit si dhe Policisë së posaçme gjyqësore.

“Si kryeministër, unë do ta rikthej besimin e publikut në sistemin gjyqësor dhe në polici nëpërmjet vetingut. Kështu, do të pastrohen radhët e sistemit të drejtësisë dhe policisë nga zyrtarët e korruptuar, ndërsa do të mirëpresim njerëz të rinj që do të bashkohen me ne në luftën kundër korrupsionit”, është shprehur Veseli.

Ai ka thënë se Qeveria e tij do ta themelojë fondin e konfiskimit të pasurisë së paligjshme të përfituar me aktivitete kriminale.

“Nisma tjetër ka të bëjë me legalizimin e 350 mijë ndërtimeve pa leje, ku mbahen të bllokuara miliarda euro kapital i papërdorshëm. Bëhet fjalë për ata qytetarë që shantazhohen, duke mos ua dhënë titullin e pronësisë nga zyrtarët që i kërcënojnë me shkatërrimin e pronës. Ne do të ndërmarrim një proces të përshpejtuar të legalizimit të ndërtimeve pa leje, duke paguar vetëm 1 euro për metër katror. Brenda 2 vitesh do të legalizohen të gjitha ndërtimet pa leje që nuk cenojnë interesin apo pronën publike”, ka theksuar Veseli.

Ai po ashtu ka propozuar themelimin e një komisioni të përhershëm parlamentar kundër korrupsionit i cili do të drejtohet nga partia më e madhe opozitare.

Veseli ka treguar se plani i tij i plotë kundër korrupsionit me 25 pika konkrete do të shpaloset gjatë ditëve të ardhshme.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti politik, Vigan Qorrolli, ka komentuar  kacafytjen e mbrëmshme në…