Veseli: Të punojmë që fëmijët të mund të krenohen me vendin e tyre

19 nëntor 2018 | 11:22

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Kosova është e përkushtuar që të krijojë perspektivë për gjeneratat e reja, ngase, siç tha ai, ajo ka potencial të jashtëzakonshëm, duke përfshirë këtu potencialin njerëzor.

Veseli ka theksuar se niveli me të cilin respektohen të drejtat e fëmijëve tregon vetë nivelin e zhvillimit dhe demokratizimit të shoqërisë.

Në prezencë të disa ministrave, shefes së Zyrës së BE-së në Prishtinë, përfaqësuesve të tjerë të institucioneve vendore, si dhe fëmijëve të shumtë, kryetari i Kuvendit falënderoi këta të fundit për vizionin të cilin ata po e tregojnë për veten dhe të ardhmen e tyre.

“Kosova duhet të krijojë perspektivë për këtë gjeneratë. Ne kemi nevojë për një rini të përgatitur. Përveç dashurisë tradicionale që ushqejmë ndaj fëmijëve, si dhe përkushtimit institucional, ne duhet të kemi edhe përkushtimin strategjik”, ka deklaruar kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit të Kosovës ka thënë se duhet përgatitur fëmijë konkurrentë dhe në hap me zhvillimet e kohës, të gatshëm për tu ballafaquar me sfidat e së ardhmes.

Veseli ka pohuar se fenomenet e dhunës janë të patolerueshme, ngase, sipas tij, krijojnë trauma në ambientin në të cilin rriten fëmijët.

Ai ka thënë se ky takim duhet të jetë mesazh që të ndalet dhuna.

“Të rinjtë duhet t’i largojmë nga rruga dhe t’i integrojmë. Investimi në mirëqenien e fëmijëve, respektimi rigoroz i të drejtave të tyre, është investimi për të ardhmen e shtetit tonë. Të punojmë që fëmijët e Kosovës nesër të mund të krenohen me prindërit dhe vendin e tyre”, është shprehur kryeparlamentari Veseli.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha (Procesi gjyqësor i Prizrenit më 1946…