Vetëvendosja me aktivitet simbolik kujton masakrën e Krushës së Vogël

26 mars 2018 | 12:27

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje sot kanë mbajtur aktivitet simbolik për të kujtuar masakrën e Krushës së Vogël dhe për të shprehur kundërshtimin e negociatave Thaçi – Vuçiq, të cilat po ndodhin pikërisht në ditët kur në Republikën e Kosovës kujtohen masakrat më të mëdha të bëra nga regjimi i Millosheviqit.

Në këtë ditë, para 19 viteve në Krushë të Vogël u vranë dhe u masakruan 112 shqiptarë nga 13 deri në 77 vjeç .

Aktivistja e LV-së, Albana Fetoshi, ka folur pikërisht për vendosjen e banerit tek presidenca.

Ajo ka thënë se ky baner do t’ia kujtojë presidentit Hashim Thaçit negociata pa kushte që ai po i zhvillon me Serbinë duke shkelur kësisoj mbi trupat e gjithë personave të vrarë e të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

“Sot 19 vjet pas masakrës në Krushë të Vogël po e vendosim këtë baner te Presidenca për të ia përkujtuar presidentit që me negociatat pa kushte e pa parime që po vazhdon t’i bëjë me Serbinë po shkel mbi trupat e tyre dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë të kombit”, ka thënë Albana Fetoshi.

Ajo ka theksuar se pas 19 viteve, Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë, ndërsa sipas Fetoshit, Thaçi me një entuziazëm të pashoq merr pjesë në negociata sa herë që i kërkohet, ndërkohë që asnjëherë nuk e ka vendosur asnjë kusht karshi Serbisë, duke rezultuar në dëme të Kosovës çdo marrëveshje e arritur.

“Hashim Thaçi do të duhej që të kërkonte zbardhjen e fatit të pagjeturve dhe kërkim faljen nga Serbia për gjithë këto krime që i ka kryer shteti i Serbisë në Kosovë , e jo të darkojë me Aleksandër Vuçiqin duke e bërë teme të bisedës Kosovën dhe sovranitetin e saj përmes rikthimin të Zajednicës si temë në negociata. Sot i kujtojmë dëshmorët me krenari, por me brengën e madhe për varësinë nga Serbia që kanë pushtetarët tanë e në veçanti Hashim Thaçi”, ka thënë ajo.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet…