Vetëvendosja dorëzon kallëzim penal ndaj Shpend Ahmetit

08 janar 2019 | 12:09

Aktivistët e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë kanë dorëzuar të martën në prokurori kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për lidhje të kontratës së dëmshme.

Me këtë rast aktivisti i Vetëvendosjes,  Valdrin Ahmeti, ka deklaruar se dorëzimi i në prokurori i këtij kallëzimi penal ndaj kryetarit Shpend Ahmeti ka të bëjë me keqpërdorimin e 530 mijë euro në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasave I-V.

“Në vitin 2017, saktësisht në datë 5 tetor, Komuna e Prishtinës publikon njoftimin për kontratë, ku çuditërisht, vlera e parashikuar e tenderit nga 200 mijë euro sa ishte në vitin paraprak, bëhet 730 mijë euro. Vlera e parashikuar e tenderit është rritur për 530 mijë euro nga ana e Komunës së Prishtinës”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, me këtë ndryshim në tender nga viti në vit, Shpend Ahmeti ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Prishtinës mbi 530 mijë euro.

“Shpend Ahmeti duhet të mbajë përgjegjësi publike morale e politike para qytetarëve të Prishtinës e gjithë Kosovës për këto 530 mijë euro, por pas këtij kallëzimi penal ai duhet të mbajë edhe përgjegjësi penale për këtë keqpërdorim flagrant të parasë publike. Shpend Ahmeti duhet të tregojë ku janë 530 mijë euro? Çfarë borxhi i ka Shpend Ahmeti – Devollëve që i ka shpërblyer me 530 mijë euro?”, është shprehur Valdrin Ahmeti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas takimit në Bruksel ka folur edhe bashkëkryesuesi tjetër i…