Vetëvendosje ia dërgon LDK-së ofertën e fundit

14 janar 2020 | 11:45

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ia ka dërguar mbrëmë vonë ofertën e fundit, kryetarit të LDK-së, Isa Musatafa.

Në këtë ofertë të cilën e ka siguruar “Insajderi”, Kurti ka propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14. Kësisoj, Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë gjashtë ministri, Lëvizja Vetëvendosje pesë, derisa minoritetet tri ministri.

Oferta nga Kurti tek Mustafa ka shkuar të hënën rreth orës 22:00. Në këtë ofertë janë detajuar të gjitha pozitat që do të mbante secili subjekt.

“Kryeministri, kryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri i dytë, një nënkryetar Kuvendi, 5 ministri do t’i takonin Lëvizjes Vetëvendosje”, është thënë në propozimin e Kurtit.

Lëvizja Vetëvendosje, në këtë propozim ka ofruar që LDK-ja ta ketë zëvendëskryeministrin e parë, nënkryetarin e parë të Kuvendit, 6 ministri, dy zëvendësministra më shumë se LV-ja.

Po ashtu, LV-ja është pajtuar që LDK-ja ta propozojë kandidatin për president i cili sipas LV-së plotëson të gjitha kushtet dhe te gjitha kriteret kushtetuese.

“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjedhet presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, është thënë në propozim.

Që nga e enjtja e javës së kaluar, nuk ka pas më një takim LV-LDK. Pas këtij takimi të fundit të dy liderët e këtyre partive, ikën duke mos u prononcuar para medieve.

Ndërkaq dje, pas vizitës së ambasadorit amerikan, Philip Kosnett në LDK, ku ai u ka bërë thirrje të dy partive që ta formojnë sa më shpejt qeverinë, një prononcim të shkurtër e ka dhënë kryetari i LDK-së Isa Mustafa.

Ai pas takimit me Kosnett, ka thënë se zgjidhjen për marrëveshje e ka LV-ja.

Ndërsa dje pas konfirmimit se nuk do të ketë takim LV-LDK, në një përgjigje për gazetën “Insajderi”, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se nuk ka garanci për një marrëveshje me LDK-në.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Niveli i borxhit tashmë i lartë prej kohësh arriti maksimumin…