Vetëvendosje thërret të dorëhequrit në mbledhje

10 janar 2018 | 13:39

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është planifikuar të mbahet nga ora 15:00 janë ftuar të marrin pjesë edhe të dorëhequrit e deritanishëm nga ky subjekt politik.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për gazetën “Blic” deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila po ashtu ka pohuar ta ketë marrë ftesën për pjesëmarrje në këtë mbledhje rreth katër muaj pasi që ishte dorëhequr nga funksionet e saj në këtë parti.

“Unë kam marr ftesë për mbledhje e Kryesisë e cila do të mbahet sot në orën 15:00, dhe me aq sa jam e informuar, edhe anëtarët tjerë që janë dorëhequr kanë marrë ftesë. Unë do ta respektoj vendimin e Kryesisë së Lëvizjes, pra do të jem e pranishme në mbledhjen e Kryesisë dhe bashkërisht do të bëjmë përpjekje në zgjidhjen e problemit në organet e Lëvizjes Vetëvendosje. Duke pasur parasysh që Lëvizja është shpresa e vetme në vend, e kemi obligim përpjekjen për shkak të vendit, qytetarëve dhe aktivistëve”, ka thënë Haxhiu.

Deputetja Haxhiu, ngjashëm sikurse ajo pret t’i përgjigjen ftesës edhe anëtarët tjerë që janë dorëhequr ditëve të fundit nga funksionet e tyre në Vetëvendosje.

“Në këtë drejtim, pres që edhe anëtarët tjerë t’i përgjigjen pozitivisht kësaj ftese”, ka thënë ajo duke shtuar se “problemet nuk rregullohen duke hequr dorë por duke u angazhuar drejtpërdrejtë e aktivisht.”

Vetëvendosje ka disa javë që po përballet me dorëheqje të anëtarëve të saj.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Papunësia në Eurozonë ra në nivelin më të ulët në…