Veton Berisha: Më vjen keq nëse rrëzohet presidentja nga Kushtetuesja

30 mars 2023 | 19:04

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, i ftuar në emisionin FRONTAL në T7 ka folur rreth ankesës së para dy viteve që kishte parashtruar bashkë me Albert Kinollin.

Berisha thotë se ankesa e tyre në Kushtetuese pasi kanë qenë të bindur se ka pasur orkestrim të votave nga Lista Serbe, për të grumbulluar sa më shumë deputetë edhe nga partitë e tjera që përfaqësojnë minoritetet jo-serbe.

Berisha ka thënë se kandidati Fadil Gashi për një javë angazhim politik kishte marrë 5 mijë vota, vota nga rajonet e banuara më shumicë serbe.

“Po bëhen dy vite që kur e kemi nisur një proces në Kushtetuese. Ankesa jonë ishte një vazhdimësi e reagimeve, që u konsatatu që kishte orkestrim të votave. Kjo e cenoi demokracinë.  Ka pasur orkestrim të votave. Për një javë angazhim kjo parti kishte marrë 5 mijë vota. Dhe votat i kishte marrë në zonat ku s’kishte fare minoritet romë”, ka thënë Veton Berisha në Frontal.

Ai ka treguar se kanë bërë ankesa edhe në PZAP edhe në Supreme, por thotë se edhe pse rasti ka qenë i njëjtë me Adriana Hoxhiqin, vendimi për ankesën e tyre ka qenë i ndryshëm.

“Ne jemi ankuar në PZAP dhe Supreme. Kanë dalë dy vendime me dy standarde. Ndryshe për Ardiana Hoxhiqin dhe ndryshe për ne”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se kanë kontestuar disa komuna, duke përmendur Graçanicën. Në këtë komunë thotë se Fadil Gashi kishte marrë 1800 vota edhe përkundër se jetojnë rreth 500 banorë nga minoriteti jo-serbë.

Tutje ai ka thënë se pret nga Gjykata Kushtetuese të vendos në favor të ankesës së tyre dhe shton se është i lumtur që s’janë dorëzuar në gjitëh këtë proces.

Berisha thotë se deputeti Fadil Gashi tashmë në Kuvendin e Kosovës vepron njëjtë sikurse Lista Serbe dhe sipas tij ai e ka obligim të veprojë ashtu.

“Kjo s’është e mirë për demokracinë. Unë s’do të garoj nëse Kushtetuesja ta lejoj diçka të tillë”, shprehet deputeti Berisha.

I pyetur nëse vendimi i Kushtetueses mund ta rrëzojë presidenten Vjosa Osmani, Berisha thotë se i vjen keq nëse do të ndodh diçka e tillë por thekson se një gjë e tillë s’ka qenë synim i tyre në momentin kur kanë dorëzuar ankesën.

“Më vije keq nëse ndodh një gjë e tillë. Kam bërë thirrje që të mos ngutemi me krijimin e institucioneve. Por s’më kanë marrë jo seriozisht. Nuk do të doja që vendimi jonë të prek institucionet. Dosja jonë nuk ka qenë me qëllim për të rrezuar institucionet”, ka thënë ish-deputeti Berisha.

Ai thotë se i gjithë angazhimi i tyre ka të bëjë që të mos lejohet edhe më tutje orkestrimi i votave dhe deputetëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë. Jeffrey Hovenier ka thënë sot…