VIKTIMAT E SHËRBIMEVE SEKRETE JANË SHNDËRRUAR NË PENGJE TË DOSJEVE

01 shtator 2023 | 22:21

Etiketimet përdoren edhe sot si për ideatorët e pavarësisë, si për qëndrestarët në burgje, si për luftëtarët e lirisë, pra për të gjithë ata që e kanë projektuar dhe realizuar pavarësinë e shtetit tonë. A a logjikë? Ka.

Milazim KRASNIQI

Edhe pse pas vitit 1948 ishte proklamuar një armiqësi e fortë ideologjike ndërmjet RSF të Jugosllavisë dhe RP të Shqipërisë, bashkëpunimi i shërbimeve sekrete të të dyja shteteve me gjasë ka vazhduar në mënyrë të nëndheshme dhe shumë shqiptarë kanë paguar me jetën e tyre çmimin e atij bashkëpunimi. Në mungesë të dosjeve, të cilat vazhdojnë të mbahen tërësisht të mbyllura sa i përket Kosovës, kjo çështje vetëm sa mund të skicohet në bazë të ndonjë dëshmie të akterëve të atyre shërbimeve. Ky tekst mbështetet në një dëshmi të tillë, me bindjen se rrëfimi ka qenë i vërtetë.

Skema e fshehtë e bashkëpunimit ndërmjet Sigurimit dhe OZNA-UDB-së

Në vitin 1991 e takova rastësisht në hotel Tirana një person të cilin e kisha takuar në Suedi, kur kisha shkuar por të formuar Degën e LDK-së në atë vend. Ai ishte me një burrë më të moshuar, e të cilin ma prezentoi. Burri i moshuar më tha se ishte Sherif Terstena. Ai ishte me prejardhje nga rajoni i Shalës së Bajgorës. Emrin e tij e kisha dëgjuar, por nuk dija shumë gjëra për të. Në të vërtetë unë jam rritë e tregime për luftën e Ukshin Kovaçicës kundër komunistëve. Ata burra të sertë shaljanë vinin në stinën e dimrit, shtatë tetë burra bashkë, rrinin një javë, me vete mernin një çifteli dhe bënin festë netve të gjata të dimrit. Në mesin e tyre dallohej mixha Jetullah, një burrë trupmadh, mjekërbardhë dhe që dukej se ishte lideri i klanit. Me dhjetëra herë e kam dëgjuar tregimin se si Ukshini e kishte qëlluar komandantin famëkeq serb, Çiçen, në lule të ballit dhe se si kishte rënë nga kali komandanti i tmerrshëm serb, i kthyer nga çetniku në komunist. Tregonin edhe trimëri e edhe lemeri të shumta, që kishin bërë artiantë në zonën e Shalës e të Drenicës.
Në ato bisedat e tyre të rrëmujshme në odën e babës Çun, ishte përmendur në ndonjë rast edhe Sherif Tërstena, si një i rebeluar që kishte vrarë disa serbë në Mitrovicë e që ishte arratisur në Shqipëri. Kur i tregova se nga isha, ai filloi të më përmendte emrat e disa burrave të Breznicës, që kishin punuar e luftuar në krahë të gjermanëve e kundër komunizmit. Natyrisht ma përmendi edhe mikun d ebashkëpunëtorin e tij, Aziz Zhilivodën, i cili kishte qëndruar në Breznicë, në familjen e së motrës. Pastaj Sherifi filloi të ma tregonte historinë e vet të hidhur famijare: në kohën e okupimit nazist përkatësihsst të qeverisë së Nediqit, një ditë disa serbë e kishin hedhur nënën e tij nga ura e Ibrit poshtë në lumë, për ta poshtëruar si grua shqiptare. Sherifi ishte betuar të hakmirrej dhe ashtu kishte filluar rebelimi i tij. Shkurt tha se nuk mund të jetonte pa ia dhënë dënimin dikujt, që ia kishte hedhë nënën në lumë nga ura e Ibrit. Nuk më tha e as nuk e pyeta për sa persona bëhej fjalë, por që ishin disa, ishte e kuptueshme. Ai ishte arratisë në Shqipëri më vonë, ndërsa regjimi komunist jugosllav e kishte dënuar me vdekje në mungesë. Mirëpo regjimi i Enver Hoxhës nuk e kishte esktraduar. Çelësi për ta kuptuar pse nuk e kishin ekstraduar Sherif Terstenen është pikërisht te lojërat dhe bashkëpunimi i shërbimeve sekrete jugosllave e shqiptare.

“A je me Enverin a me Titon?”

Sherifi ma ka rrëfyer këtë skemë bashkëpunimi ndërmjet OZNA-UDB jugosllave dhe Sigurimit shqiptar: ai bashkë me një ekip të disa personave nga Kosova, edhe ata të dënuar me vdekje në mungesë në Jugosllavi, ishin rektutuar nga Sigurimi dhe punon për të. Puna e tyre ishte e jashtëzakonshme, sepse ata hynin e dilnin lirisht në Jugosllavi. Detyra ishte kështu: në zyrën e Mehmet Shehut i jipej një sënduk i mbyllur me dry e me materiale brenda. Mehmeti e mbyllte sëndëkun dhe personi nisej për rrugë. Vendi ku kalonin ishte i sigurt, në të dyja anët e kufirit. Korrieri shkonte një një konak të caktuar në Rogovë të Hasit. Nikoqiri e kishte çelësin e sëndukut, e hapte dhe i nxirrte materialet e shkruara. Pastaj i fuste materialet që ishin të UDB-së dhe korrieri të nesërmen nisej drejt Tiranës, për në zyrën e Mehmet Shehut. Ky udhëtim i Sherifit dhe i kolegëve të tij në të dyja anët e kufirit të mbyllur hermetikisht, sipas tij ka zgjatë me vite. (Pas rëneis së Mehmet Shehut disa janë burgosur e janë degëdisur në zona të humbura.) Edhe pse kanë qenë të dënuar me vdekje në mungesë, kurrë nuk janë arrestuar, nuk u ka hyrë ferrë në këmbë. Ata kanë punuar për Sigurimin shqiptar. Por Sigurimi shqiptar ka bashkëpunuuar me UDB jugosllave, duke shfrytëzuar trimërinë e atyre burrave, që kanë qenë trima po edhe antiserbë të përbetuar. Siç ma pati thënë bshkëbiseduesi im, ata kurrë nuk e kanë ditur çka ka brenda sandëkut, që e kanë bartë në shpinë nëpër male të larta e të rrezikshme, dimër e verë. Siç më pati thënë Sherifi me bindje, ata tërë kohën kanë qenë të bindur se kanë punuar për Shqipërinë e kundër Serbisë. Pra ata vërtet kanë punuar për shërbimin shqiptar, por enigma mbetet se si ka punuar shërbimi sekret shqiptar, a ka punuar për interesat e shtetit apo ka bashkërenduar veprimtarinë kundër armiqve ideologjikë të dy shteteve komuniste.
Po të analizohet numri i të arrestuarve politikë në Kosovë e në viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, mbase mund të hamendësohet se disa nga ato grupe edhe mund të jenë denoncuar nga Sigurimi i shtetit shqiptar. Disa nga ato organizata ilegale kanë pasur kontakte a bashkëpunim me eksponentë të shërbimit sekret shqiptar, të shërbimit diplomatik shqiptar ose të niveleve të tjera të eksponentëve të regjimit stalinist shqiptar.
Pyetje ka shumë lidhur me metodat e punës dhe format e bashkëpunimit të shërbimeve sekrete jugosllave e shqiptare dhe ato nuk mund të marrin përgjigje pa u hapur dosjet. Pra, hapja e dosjeve është e domosdoshme edhe për ta ndriçuar këtë kapitull të errët të bashkëpunimit të shërbimeve sekrete në dëm të shqiptarëve, në të dyja anët e kufirit të atëhershëm shtetëror. Gjithë ato denoncime, arrestime e dënime të kundërshtarëve të regjimit stalinist shqiptar dhe gjithë ato denoncime e dënime të iredentistëve shqiptarë në Kosovë e në diapsorë, nuk kanë qenë të mundshme pa koordinimiun dhe bashkërendimin e shërbimeve sekrete. Nëse kjo skemë bashkëpunimi e shërbimeve sekrete jugosllave e shqiptare ka funksionuar në të gjitha nivelet, atëherë duket e hidhur dhe e dhimbshme pyetja e dikurshme: “a je me Enverin a me Titon”, meqë me gjasë ata kanë qenë bashkë dhe kundërshtarët e njëri tjetrit i kanë trajtuar edhe si armiq të vetët. Madje edhe nëse i kanë nxitë vetë në fillim, i kanë shitë më vonë, “në kohën e duhur.” Megjithatë mbetet që kjo hipotezë, të vërtetohet me dokumente.

Puna e UDB në Kosovë ndërmjet terrorit dhe propagandës

Në Kosovë çështja e dosjeve vazhdon të mbetet tabu, askush nuk dëshiron të flasë në këtë temë. Duket e çuditshme që në këtë çështje kanë qëndrim të njëjtë ish eksponentët e regjimit komunist jugosllav dhe kundërshtarët e atëhershëm të atij regjimi. Askush nuk ka ndërmarrë ndonë iniciativë publike a parlamentare që të hartohen ligjet adekuate për dënimin e krimeve të komunizmit dhe për hapjen e dosjeve të spiunëve. Në fakt, sa mbaj mend, ka qenë një iniciativë në kuvend për një rezolutë, por është tërheqë nga procedura dhe kurrë më nuk është rikthyer.
Ajo që dihet nga dëshmitarët e shumë është se OZNA-UDB ka kryer krime monstruoze në Kosovë e në viset e tjera shqiptare në Jugosllavi. Shërbimi shtetëror famëkeq ka qenë përgjegjës për vrasjen e shumë kundërshtarëve të regjimit komunist jugosllav. OZNA-UDB ka qenë përgjegjëse edhe për aksionin armëve, ku mijëra shqiptarë janë keqtrajtuar brutalisht. UDB ka qenë përgjegjëse edhe për nxitjen e shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve për në Turqi. Natyrisht sfondin politik të asaj shpërnguljeje e ka formësuar Elaborati i Vaso Çubrilloviqit dhe Marrëveshja Tito-Kyprilli e vitit 1953, por zbatimin në terren me terror e ka bërë UDB.
Struktura e shërbimit sekret jugosllav në Kosovë e në viset e tjera shqiptare ende nuk është krejtësisht e njohur, për faktin se nuk janë hapur dosjet dhe nuk janë dënuar krimet e komunizmit. Por, gjasat janë se penetrimi i saj në terren, në institucionet shtetërore, arsimore, kulturore, fetare, në bashkësitë lokale e madje edhe në organizimet fisnore, ka qenë relativisht i lartë.
Por përtej atij organizimi, UDB ka krijuar edhe mitin për prezencën e saj në çdo pore të jetës. Gjeneratat e mëhershme, deri në rënien e Rankoviqit në vitin 1966, thonë se kanë pasur idenë se spiunët e UDB ishin gjithkund, veshi I saj dëgjonte gjithçka. Ky perceptim është përdorë për të frikësuar e pasivizuar rezistencën shqiptare.
Perecptimi tjetër ka qenë se shumica e intelektualëve janë spiunë të UDB-së, gjë që e ka dëmtuar imazhin dhe autoritetin e tyre në popull. Ndërsa bashkëpunëtorët e vërtetë të UDB, në shumë raste kanë pasur lirinë dhe janë eksponuar si gjoja atdhetarë të paepur, duke shërbyer për të identidikuar elementët antishtetërorë në komunitet.
Një percpetim tjetër që u krijua më vonë ishte se shumë ish të burgosur politikë ishin rekrutuar nga UDB dhe ishin bërë spiunë të saj, Edhe kjo është përdorë për ta dëmtuar dhe rrënuar autoritetin e tyre në komunitet.
Gjatë viteve nëntëdhjetë, pasi u proklamua pluralizmi, filloi të ndërtohej një narrativë se shumica e liderëve dhe aktivistëve të partive jokomuniste shqiptare ishin ish eksponentë të UDB-së. Kjo u shfrytëzua jashtëzakonisht shumë në luftërat e brendshme partiake e ndërpartiake. Pothuasje secili për secilin thoshte se është udbash. Kjo spërkatje e tmerrshme propagandistike ka nxitur shumë konflikte, shumë paragjykime dhe ka shkaktuar edhe bllokim të aktivizmit politik.

Dënimi i krimeve të komunizmit dhe hapja e dosjeve si interes strategjik shqiptar

Është absurditet i llojit të vet që skemat e tilla etiketuese e zhvlerësuese përdoren edhe sot, njëzet e katër vite pas çlirimit të Kosovës. Etiketimet përdoren edhe sot si për ideatorët e pavarësisë, si për qëndrestarët në burgje, si për luftëtarët e lirisë, pra për të gjithë ata që e kanë projektuar dhe realizuar pavarësinë e shtetit tonë. A a logjikë? Ka. Serbisë i konvenon mbajta aktiv e këtij konflikti brendashqiptar, i cili e adreson dyshimin dhe fajin te vetë shqiptarët e jo te Serbia. Prandaj Serbisë i konvenon mbajtja tabu e kësaj teme, mospublikimi i dosjeve.
E gjithë sa u skicua më lart, është provë se hapja e dosjeve është një interes strategjik i shtetit të Kosovës që ta pastrojë atë periudhë të errët të historisë së vet dhe ta ndërpresë spiralen e keqpërdorimit të lojërave me etiektime e denoncime të rreme.
Nuk është e qartë pse deri sot nuk është kërkuar që edhe çështja e kthimit të dosjeve të përfshihet në dialogun e Brukselit, fjal vjen, si çështja e dokumenteve kadastrale. Kjo gjë do të duhej të ishte bërë, po meqë nuk është bërë deri tash do të duhej të inicohej tash. Natyrisht që ekziston rreziku që shërbimi i tashëm serb t’i retushojë dosjet. Por, bindja ime është se shtete sponsore të pavarësisë së Kosovës, SHBA në redn të parë, e kanë mundësinë e verifikimit të saktësisë së tyre. Mbase mund t’i kenë marrë me kohë në pronësi kopjet e atyre dosjeve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Elez Neziraj, mbështetës i kryeministrit Albin Kurti, jeton në Suedi…