Viti 2020 – Vit i izolimit apo vit i reflektimit

28 prill 2020 | 23:32

Shkruan: Pajtim Hodolli

Në çdo fillim të vitit duam të ndryshojmë gjëra tek vetja apo të vëmë objektiva të cilat duam t’i arrijmë.

Fillimet e reja janë gjithmonë emocionuese dhe mirëpritëse, mirëpo ky vit filloj më ndryshe sesa vitet e tjera. Gjatë këtyre javëve, teksa ndodhemi të izoluar brenda shtëpive tona, jemi të bombarduar parreshtur nga lajme dhe ndjesi negative: Çdo ditë numërojmë të infektuarit dhe viktimat e korona-virusit dhe përpiqemi që të bëjmë njëfarë bilanci nëse e sotmja ishte më e zezë apo më e mirë sesa e djeshmja. Edhe kur shifrat zbresin, ato rikthehen sërish, duke na zbehur shpresat se e nesërmja mund të jetë më optimiste.

Por, si çdo gjë që ka anët negative ka edhe ato pozitive apo e kundërta, andaj edhe ky izolim konsideroj që duhet të ketë diçka pozitive. Derisa jemi brenda, ne duhet t’i japim jetës kuptim me punën tonë, me sjelljet tona, me relacionet tona brenda familjes, me ato potencialet tona që i kemi, qoftë për informim, qoftë për zbavitje, qoftë për lexim, qoftë për ndonjë angazhim tjetër që dikush mund ta ketë në kuptimin e zanateve ose në kuptimin e artit.

Në këtë situatë, që po i themi ‘karantinë’, mendoj që do ta zbulojmë njëri-tjetrën dhe do ta zbulojmë ndoshta edhe vetveten. Duhet vetëm të kujdesemi që ta plotësojmë këtë boshllëk të punës zyrtare me relacione të mira familjare dhe njerëzore”
Kohëve të fundit, nga jeta dinamike kemi lënë anash familjen, ka raste që familja nuk mblidhet për një kohë të gjatë në tryezë për një darkë të qetë, për të diskutuar se si i ka vajtur dita gjithësecilit ngase janë të zënë me punë, angazhime e obligime. Kjo kohë ka bërë që njerëzit të reflektojnë pozitivisht mes veti, madje ta kuptojnë rëndësinë e familjes.
Kjo kohë po ashtu ka ndikuar edhe tek lidhjet e dashurisë, ngase ka bërë një reflektim të ndjenjave nga distanca, gjë të cila nuk ka ndodhur të bëhet në jetën e mëhershme.

Kanë arritur ta njohin edhe ketë pjesë tek njëri – tjetri, madje ata e kanë kuptuar çka do të thotë ta duash dikë e të mos mund ta përqafësh apo ta kesh afër.

Pra, qytetarët e vendit duhet t’u qasen gjërave edhe nga këndi pozitiv dhe t’i japin jetës kuptim, në mënyrë që të ruajnë, kultivojnë, por edhe ndërtojnë segmente të shëndosha të jetës sociale.
Këtë izolim apo këtë vetizolim ta marrin me sportivitet dhe jo me panik, për shkak se është e vërtetë që frika është njerëzore. Por, në momentin kur frika shndërrohet në panik ajo është e dëmshme.

Ne jemi të mbyllur vetëm fizikisht, sepse, në kuptimin e informimit dhe të lidhjeve virtuale, jemi të hapur, në fakt, me gjithë botën. Mund të komunikojmë me të afërmit, me miqtë që i kemi gjithandej nëpër botë, me familjarët dhe të tjerë. Mundësitë që na ofron teknologjia për të komunikuar me të tjerët duhet ti vazhdojmë dhe relacionet tona sociale që i kemi duhet t’i rrisim duke e mbështetur njër-tjetrin në këtë kohë jo të lehtë për të gjithë.

Andaj, për t’iu kthyer sa më shpejt jetës normale ju ftoj të qëndroni në shtëpi. #RriNëShpi.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas…