Viti i ngecjeve evropiane

02 janar 2019 | 18:28

Taulant Kryeziu

Pakkush mund ta perceptojë procesin e evropianizimit në tërësinë e tij vetëm në prizmin e miratimit të legjislacionit të BE-së dhe përmbushjes së normave dhe standardeve të BE-së. Në shtete të ndryshme postkomuniste, si Polonia, Hungaria dhe Estonia, me trashëgimi të ndryshme historike dhe ekonomike, procesi i anëtarësimit në BE, përveç të tjerash, ka ndikuar në transformimin e shpejtë të marrëdhënieve shtet-qytetar, reformës së qëndrueshme të administratës publike, si dhe ka ndikuar të fillohet një cikël i pandalshëm i zhvillimit ekonomik, investimeve të huaja direkte dhe zbutje e varfërisë. Fuqia e njëjtë transformuese e procesit të integrimit evropian ka treguar efektet e veta pozitive edhe në vendet fqinje të Kosovës.
Procesi i integrimit Evropian është i karakterizuar me reforma të gjata, të ndërlikuara dhe të mundimshme në kuptimin politik, ekonomik dhe shoqëror.

Bashkëpunimi i Kosovës me BE-në ka qenë i shtrirë në shumë fusha, por asnjëherë ky bashkëpunim nuk ka njohur nivel të njëjtë formalizmi të marrëdhënieve, sipas së cilës, Kosova do të ketë detyrime kontraktuale me BE-në, si dhe qartësim të perspektivës evropiane siç e parasheh në vete preambulën e saj Marrëveshja e Stabilizim Asociimit për Kosovën, që “BE-ja do t’i marrë hapat konkretë për realizimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe do ta sigurojë përafrimin me BE-në, duke e integruar Kosovën në rrjedhat kyçe politike dhe ekonomike të Evropës…, atëherë kur Kosova plotëson kriteret e Kopenhagës”.

Procesi i integrimit evropian ka dëshmuar fuqinë e jashtëzakonshme në vendosjen e paqes, ruajtjes së stabilitetit dhe të zhvillimit të gjithëmbarshëm shoqëror. Thjesht, bota e sotme do të dukej shumë më ndryshe pa Bashkimin Evropian. Në fqinjësinë tonë, në të kaluarën jo shumë të largët, në Evropën Lindore, procesi i integrimit evropian ka shndërruar shtete komuniste në demokraci moderne dhe ekonomi të qëndrueshme. Thelbi i këtij transformimi qëndron në vullnetin politik për reforma dhe kontraktualitetin e procesit të integrimit evropian. Në zemër të procesit integrues qëndron koncepti i kushtëzimit.

Fare thjesht dy palë pajtohen të marrin përsipër disa obligime të ndërsjella, respektimi i të cilëve do t’i sjellë të dy palëve përfitime të përbashkëta. Sundimi i ligjit vazhdon të mbetet një nga vlerat themelore mbi të cilat është themeluar BE-ja. Promovimi i sundimit të ligjit, si vlerë themelore e Bashkimit Evropian, është ajo që BE-ja e ka vendosur në epiqendër të procesit të zgjerimit. Sundimi i ligjit mbetet prioritet kyç për BE-në dhe është në zemër të procesit të aderimit si një nga shtyllat kryesore të kritereve politike të Kopenhagës.

Po ashtu, duhet thënë se vendet aspiruese duhet t’i trajtojnë çështjet si reforma e gjyqësorit dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në stadet e hershme të negociatave të anëtarësimit, për të demonstruar një precedent të fortë rezultatesh të qëndrueshme.
Nga ana tjetër, forcimi i sundimit të ligjit është një nga sfidat kryesore për shumicën e vendeve në procesin e zgjerimit, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të funksionimit dhe pavarësisë së gjyqësorit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo kërkon vullnet të fortë politik, duke lëvizur përtej deklaratave dhe retorikave politike në rezultate të prekshme.

MSA-ja e Kosovës është më e avancuar në këtë drejtim, duke shtuar si prioritet forcimin e paanshmërisë dhe llogaridhënies, transparencës dhe pavarësisë së gjyqësorit me një gjuhë shumë më të thuktë krahasuar me marrëveshjet e kaluara.
Arritjet më të mëdha gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit në rrugën e Kosovës drejt BE-së mund të konsiderohen: Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Ascociimit si marrëveshje e parë kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së, lansimi i procesit të liberalizimit të vizave në qershor të 2012-s, me shpresë përfundimi i tij, por vetëm atëherë kur institucionet përgjegjëse të kenë treguar seriozitet dhe vullnet për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, përfitimi i fondeve të BE-së, qasja në programet e BE-së në mënyrë të barabartë sikurse vendet e tjera të rajonit. Njëkohësisht, sot Kosova është pjesë e barabartë e të gjitha proceseve politike në kuadër të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, siç është procesi i Berlinit.

Sidoqoftë, rruga integruese e vendit tonë gjatë vitit 2018 ka shënuar ngecje të mëdha, ku për herë të parë kemi qenë dëshmitar të një gjuhe që shkon drejt dëmtimit të partneritetit tonë strategjik me BE-në. Mungesa e rezultateve në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka vazhduar t’i izolojë qytetarët duke ua mohuar të drejtën e lëvizjes së lirë. Po ashtu, reformat evropiane kanë ngecur në nivel të paprecedentë nga 22 prioritetet e Agjendës Evropiane të Reformave, të akorduara nga institucionet e Kosovës për t’u adresuar deri në fund të vitit 2017. Fatkeqësisht, janë përmbushur plotësisht, vetëm katër prej tyre. Shto këtu që statistikat e qershorit të këtij viti flasim se institucionet kanë arritur vetëm 13 % të zbatimit të MSA-së. Pra, nga e gjithë kjo mund të konkludojme se ky vit ka shënuar ngecje në procesin integrues të vendit tonë. Mos të harrojmë se Kosova me nënshkrimin e MSA-së është zotuar se do të sillet si vend evropian dhe partner meritor. Për të qenë një ditë vend anëtar i BE-së dhe në këtë drejtim skena jonë politike duhet të tregojë vullnet politik për t’i zbatuar të gjitha reformat e kërkuara dhe ta avancoj perspektivën evropiane gjatë vitit 2019.
Rruga jonë drejt BE-së është e paalternativë.

(Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për gazetën “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
President i Shqipërisë, Ilir Meta, pasi ka festuar natën e…