Viti i pandemisë shëndetësore globale dhe i pandemisë sonë kronike politike

01 janar 2021 | 17:50

Valon Murati

1. Viti që po e lëmë pas do të jetë një vit për t’u mbajtur mend. Njerëzimin ky vit e vendosi me shpatulla në mur dhe e sfidoi në të gjitha drejtimet. Pandemia e shkaktuar nga Sars-Covid-2 ishte kryefjala e këtij viti. Virusi i panjohur jo vetëm që sfidoi mjekësinë por sfidoi krejt shoqërinë njerëzore me tërë strukturat e saj institucionale. Ndonëse sot reagimi është më i përpunuar, edhe pse pandemia vazhdon të jetë e paparashikuar, në fillimet e veta pat reagime me elemente anarkiste edhe nga shtete shumë të konsoliduara. Sigurisht shtetet më të konsoliduara, më të zhvilluara ekonomikisht e me shëndetësi më të avancuar në letër e kanë pasur më të lehtë ballafaqimin. Por në realitet disa nga këto shtete si Italia, Spanja e madje edhe Franca, Britania e Madhe e SHBA-të me shumë vështirësi u ballafaquan e janë duke u ballafaquar me pandeminë. Lufta ndaj pandemisë së panjohur u përqendrua fillimisht kryesisht në konceptin e mbylljes totale, që ndihmoi në ndaljen e përhapjes së hovit të sëmundjes por e dëmtoi rëndë dhe vazhdon ta dëmtojë ekonominë. Baraspesha në mes jetës së njeriut dhe shëndetit të ekonomisë (që prapë godit jetën e njeriut) është në fokus të politikave botërore në luftimin e pandemisë. Kohën e fundit mbylljet kanë qenë më të matura e më të kufizuara por, sidoqoftë, masa të tilla janë shtrirë së fundmi deri në Gjermani, e cila konsiderohej si kampione në betejën kundër pandemisë në fazën e parë. Sigurisht mbyllja totale u përcoll edhe me telashe të tjera, me rritjen e sëmundjeve mentale e të dhunës familjare, andaj në formën sesi u zbatua në fillim më nuk u implementua. Megjithatë festat e fundvitit në tërë Evropën do të jenë më të veçantat në dekadat e fundit prej kur ato u sekularizuan dhe u komercializuan në masën që i njohim sot. Nuk do të ketë festime si jemi mësuar të kemi, ashtu siç nuk pat edhe mësim normal këtë vit, as ekonomi normale, as sport normal, e as jetë normale. Ndalesat për dalje janë bërë të zakonshme, sa njerëzit kanë filluar të mendojnë se cili do të jetë normaliteti i ardhshëm?
2. Një situatë e tillë e cila sfidoi shoqërinë njerëzore edhe njëherë dëshmoi se sa i lidhur është njerëzimi me njëri-tjetrin. U dëshmua edhe njëherë se kufijtë e shteteve janë vija imagjinare njerëzore për të cilët mikroorganzima si viruset nuk brengosen fare. Vërtet këto kufij u mbyllën, për ta ndalur njeriun që të bart virusin, por dëmi u bë. Nga Vuhani i Kinës për më pak se 3-4 muaj koronavirusi i ri u përhap në tërë botën. Goditja ndaj botës tregoi për brishtësinë e reagimit të përbashkët të njerëzimit. Institucionet e përbashkëta shëndetësore, si OBSH, apo ato ndërqeveritare si OKB apo edhe BE-ja, nuk e kanë forcën e duhur as njerëzore, as financiare e as vullnetin politik për të kryer detyrat e veta kolektive. Kështu në fazën e parë reagimet ishin shumë egoiste, duke u fshehur në kufijtë imagjinar që njerëzit e popujt i kanë vendosur ndaj njëri-tjetrit. Por në këtë egoizëm të reagimit shtetëror, reagimi i njerëzve dhe solidariteti i tyre ishte shembull. Në këso rrethanash të vështirësive nga njeriu del më e mira. Andaj edhe solidariteti njerëzor edhe njëherë ia zuri vendin egoizmit njerëzor. Në vijën e parë të frontit të betejës kundër pandemisë u vendos sektori shëndetësor së bashku me emergjencat e tjera të vendeve përkatëse. Në këtë situatë nuk mungoi solidariteti për mjekët dhe infermierët të cilët jo vetëm se ishin qenësor në këtë betejë, por duke qenë vija e parë e frontit edhe u goditën jashtëzakonisht shumë, duke lënë në vijën e parë të betejës shumë mjekë, infermierë, e motra mjekësore. Në anën tjetër shtetet e kuptuan shpejt se duhet një bashkëpunim më i madh në këtë betejë, sepse është betejë e njerëzimit për mbijetesë në të gjitha drejtimet. Koordinimi ende nuk është në nivelin e duhur por sidoqoftë ka një lëvizje përpara nga egoizmi shtetëror i ditëve të para. Në këtë drejtim edhe BE-ja krejtësisht jo efektive në fillim ka filluar të bëjë hapat e parë serioz të bashkëpunimit qoftë në fushën shëndetësore qoftë në atë të rimëkëmbjes ekonomike.
3. Po Kosovën tonë të dashur si e gjeti pandemia. E gjeti sigurisht me shërbim shëndetësor të brishtë e me plot telashe organizative e financiare. E gjeti me ekonomi po ashtu të brishtë e me telashe. E gjeti me vështirësi në sundimi e ligjit e me probleme në sistemin gjyqësor. E gjeti me një sistem arsimor jo adekuat me kohën që po jetojmë. Por mbi të gjitha e gjeti edhe me një politikë e qeverisje vazhdimisht në pandemi politike. Prej kur pandemia u përhap në Kinë dhe në Evropë, Kosova ka pasur tre kryeministra. Shumë për një vend me gjithë këto telashe. Sidoqoftë, me krejt këto telashe e me shumë vështirësi e edhe me viktima nga pandemia, Kosova nuk mund të thuhet se ka dështuar në betejën ndaj pandemisë. Po ka pasur telashe, lëshime e vështirësi. Por njëkohësisht me një angazhim të jashtëzakonshëm të stafit shëndetësor dhe me zbatimin e masave të institucioneve, Kosova dhe sistemi i saj shëndetësor nuk kanë kollapsuar. Ekonomia është goditur rëndë, por shpirti ndërmarrës i njerëzve tanë me politika të duhura qeveritare besoj unë do të bëjë që Kosova ta tejkalojë edhe këtë sfidë. Qytetarët me gjithë pakënaqësitë e herë pas hershme kanë zbatuar masat e qeverive tona dhe kjo ka bërë që megjithatë sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe deri më tani të arrijë të mbijetojë në betejën me pandeminë. Kosova nuk është më keq se rajoni dhe se bota në përgjithësi dhe kjo nuk është për tu nënvlerësuar.
4. Njerëzimi i cili pos që reagoi me solidaritet e me dashuri për njëri-tjetrin në këto kohë të vështira, nga skutat e tij të errëta reagoi edhe duke ngritur teori konspiracioni, pak a shumë të zakonshme në kësi situate. Orhan Pamuku në një shkrim në “The New York Times” e përshkruante këtë tendencë të njerëzimit për të akuzuar të tjerët për sjelljen e sëmundjeve dhe për të besuar në teori konspiracioni, si një tendencë që ka ekzistuar gjithnjë. Me padurim po pres librin e tij në të cilin po punon për pandeminë e fundit të kolerës në Stamboll e cila sigurisht do të ndikohet edhe nga pandemia aktuale. Por njerëzimi përpos këtyre situatave që dalin të natyrshme në të tilla rrethana, iu përgjigj pandemisë jo vetëm me masa politike, ekonomike, arsimore, të shëndetit publik e me teori konspiracioni por edhe me shkencë. Kështu që lajmi më i mirë i këtij fundviti është se tri vaksina u zbuluan dhe dy prej tyre janë certifikuar në shumë shtete dhe kanë filluar fushatat e dhënies së tyre tek grupe të caktuara të popullsisë. Kosova në këtë drejtim duhet të jetë shumë agile sepse mund të mbesim në fund të listës së shteteve që do të furnizohen me vaksinë. Sidoqoftë kjo është një arritur e madhe dhe shumë e shpejt për njerëzimin. Drita më në fund po shihet në fund të tunelit.
5. Në Kosovë pandemia politike do të vazhdojë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e rrëzoi qeverinë Hoti. Edhe ashtu kjo qeveri do ta kishe vështirë ta mbijetonte zgjedhjen e presidentit. Zgjedhjet e reja janë një mundësi për një legjitimitet të ri politik. Të kemi shpresë edhe për një qeveri stabile e që së paku pandemisë politike do ti jepte fund. Kështu do të krijoheshin rrethanat për një betejë më të strukturuar politike, për një opozitarizëm të ri dhe për një përballje me pandeminë në fazat e fundit më institucione më të konsoliduara. Por si zakonisht sipër të gjitha qeveritë, testi kryesor edhe për qeverinë e re do të jetë përballja me Serbinë. Këtu fatkeqësisht nuk kam shumë shpresë se një qeveri e re do ta ndryshojë kursin dhe do të jetë e vendosur që njëherë e përgjithmonë ta heq Serbinë nga jeta jonë e brendshme me një marrëveshje me të cilën Kosova përfundimisht do të funksionalizohej. Sidoqoftë po futemi në vitin e ri me plot shpresë se nuk do të jetë si ky që kaluam, se kemi mësuar diçka nga ky për njeriun, sjelljen njerëzore, dashurinë e solidaritetin dhe se do ta zbatojmë në jetën tonë personale dhe, po ashtu, në politikë. Urime të gjithëve Viti i Ri 2021.

Shkruar enkas për “Epokën e re”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj përmes një postimi ka treguar…