‘Viva Fresh’ s’ndalet duke i mashtruar konsumatorët

17 gusht 2018 | 10:18

Tri gjoba brenda pak ditësh i ka shqiptuar inspektorati i tregut kompanisë së biznesmenit, Xhevat Rexhepi, dhe për një rast është dërguar në gjykatën kompetente, ku masa e dënimit shkon nga pesë mijë deri në njëzet mijë euro.

‘Viva Fresh’ me pronar Xhevat Rexhepin është kompania e cila është dënuar tri herë brenda dy javësh nga inspektorët e Ministrisë së Tregtisë. Por, për të njëjtën arsye ky supermarket ishte gjobitur edhe në fund të vitit të kaluar.

Blerja në “Viva Fresh”në Prishtinë dhe Gjakovë ka dalë të jetë një mashtrim për konsumatorët, të cilëve nëpër rafte të produkteve u ekspozohet një tjetër çmim, por kur shkojnë te arka paguajnë tjetër çmim, pra çmim më të shtrenjtë.

Mashtrim ndaj konsumatorëve është arsyeja pse biznesi i Rexhepit është gjobitur me 2 mijë euro brenda dy javësh, dhe një rast i është dërguar në Gjykatë, duke u iniciuar procedurë për kundërvajtje.

Për më tepër për rastin që është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku është iniciuar procedurë për kundërvajtje, në bazë të ligjit, mund të dënohet nga 5 mijë deri në 20 mijë euro.

MTI pretendon se ‘Viva Fresh’ ka bërë shkelje të nenit 17 Paragrafi 1 të Ligjit për Mbrojtje të Konsumatorit. Nëse gjykata e konstaton këtë shkelje, atëherë ‘Viva Fresh’, mund të dënohet me gjobë nga 5 mijë deri në 20 mijë euro.

Mashtrimet që i ka konstatuar MTI gjatë inspektimit, del të jenë kryer dy herë në Prishtinë, ndërsa një herë në Gjakovë, inspektorati ka gjobitur “Viva Fresh” për mashtrim ndaj konsumatorëve.

Njëherë më 27 korrik, e herën tjetër vetëm tri ditë më pas, më datë 30 të po të njëjtit muaj.

“.. në bazë të ankesës së konsumatorit ku i njëjti është ankuar se gjatë blerjes në market ka hasur në mospërputhje të peshës në produktin kaçkavall të ‘Koralit’. Me rastin e inspektimit është konstatuar se në produktin kaçkavall ‘Edamer weidegluck’, ku pesha e deklaruar prej 3.434 g. nuk ishte ne përputhje me peshën reale 3.234 g. – diferenca e peshës ishte 200 g. Subjekti afarist peshoren e ka të verifikuar. Çmimet i ka të vendosura në të gjithë artikujt e ekspozuar për shitje”, thuhet në arsyetimin për dënimin e parë në Prishtinë.

Ndërsa herën e dytë, vetëm tri ditë më pas ishte dënuar ngase çmimet në raft dhe ato në faturë fiskale ishin të ndryshme.

“Me ankesë të konsumatorit është inspektuar subjekti afarist dhe gjatë inspektimit është hasur se produkti mbështjellës ushqimor ‘Fish fing. 200 + 25 gr.’ çmimi në raft ishte 0,82 € ndërsa në arkën fiskale 0,95 €; ‘,Brushë për dhëmbë Aqua Fresh; ku çmimi në raft ishte 0,89 € ndërsa në arkën fiskale 0.95 € dhe produkti tjetër ‘Fish finger viqi 200 gr.’ ku çmimi në raft ishte 0.75 € ndërsa në arkën fiskale 0.95 €, veprim ky në kundërshtim me ligjin Nr.06/L-034 Për Mbrojtjen e Konsumatorit”, thuhet në arsyetim.

Përveç në Prishtinë, Viva Fresh është gjobitur edhe në Gjakovë me 1 mijë euro më 17 korrik 2018.

“Me ankesë të konsumatorit është inspektuar subjekti afarist dhe gjatë inspektimit është hasur ne produktin ‘Spec i Kuç me kg. plu 229’ çmimi ne raft ishte 1.49€ ndërsa ne arkën fiskale 1.89€”, thuhet në arsyetimin e Inspektoratit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

“Prandaj një veprim i tillë është në kundërshtim neni 9. Paragrafi 3 të Ligjit Nr, 04/L-121 ‘Për Mbrojtjen e Konsumatorit’ 76 pika 1.11 e të po të njëjtit ligj”, thuhet në arsyetimin e Inspektoratit të Tregut, të cilin e ka siguruar GazetaMetro.

Por, kjo nuk është hera e parë që “Viva Fresh” mashtron konsumatorët.

Në dhjetor të 2017’tës kompania e Xhevat Rexhepit është dënuar me 1 mijë euro gjobë për mashtrim ndaj konsumatorëve.

Vendimin e kaluar për gjobitje të “Viva Fresh”, Inspektorati i Tregut që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, e kishte marrë më 26 dhjetor të vitit 2017.

Gazeta Metro ka kontaktuar pronarin e “Viva Fresh”, Xhevat Rexhepin, por nuk ka marrë përgjigje, për këto veprime të kundërligjshme të kompanisë së tij, përmes të cilave mashtrohet konsumatori. Madje, Rexhepi i kontaktuar përmes telefonit, duke mos dashur të përgjigjet, ka reaguar me arrogancë duke i thënë gazetarit, në mos ai ishte prokuror që po e pyeste për këtë. /raporton gazetametro/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se në rrethanat aktuale është…