Vizioni për jetën dhe ardhmërinë

09 shkurt 2020 | 18:16

SHYQRI GALICA

(Lutfi Dervishi, “Violina e humbur”, LShK, Prishtinë, 2019)

Emrin e pedagogut dhe mjekut Lutfi Dervishi tashmë pothuajse e kemi të njohur. Pos si mjek të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, prof. dr. Lutfi Dervishin shumë prej nesh e njohim edhe si pedagog të Fakultetit të Mjekësisë të universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili ligjëron lëndën kirurgji që disa vjet. Në fushën e shkencës së mjekësisë ka botuar disa studime e tekste universitare dhe ka marrë pjesë në tubime të ndryshme shkencore brenda e jashtë vendit, kurse profesionin e urologut pesë vjet e ka ushtruar edhe në Gjermani.

Një dinamikë herë spontane, herë provokuese, herë kërkuese

Ndërkaq, në fushën e letërsisë ka bërë hapat e parë herët, që në vitin 1966, duke botuar vjershën e parë në “Rilindjen për fëmijë” dhe më pas nëpër revista e gazeta të tjera, si “Flaka e vëllazërimit”, “Shëndeti”, “Pionieri” e “Zëri i rinisë”. Por, pas shumë kohësh do t’i kthehet artit të letërsisë me krijime të tjera. Para pak kohësh doli para lexuesit me romanin “Violina e humbur”, botim i LSHK-së, duke trajtuar tema që ndërlidhen me realen dhe imagjinaren, kundruar nga një kënd i mëvetësishëm krijues e intrigues, ngjarje që deri në fund mban të gjallë kërshërinë e lexuesit, madje me një dinamikë herë spontane, herë provokuese, jo rrallë edhe kërkuese, duke synuar një botë shqetësimesh e dramash deri në tragjedi, të cilat përjetohen nëpërmjet jetës së artistit Jon Dreni, që ka tri dashuri: violinën, vajzën Rona dhe dashurinë e dashurisë!

Ngjarja zhvillohet në linjën Prishtinë – Vjenë – Tiranë. Personazhi kryesor, violinisti Jon Dreni, bie nëpër situata  tejet të rënda dhe gjen rrugën për të dalë sërish në sipërfaqe të paraqesë talentin e jashtëzakonshëm edhe në skenën e Vjenës dhe më gjerë. Dashuria e tij për violinën, për të bijën Ronën dhe për dashurinë si instinkt dhe shpirt, personazhin e tij e bën tejet funksional dhe të ndërgjegjshëm për jetën që duhet ta ketë çdo njeri që ka shpirt artisti dhe vizion për jetën dhe ardhmërinë…

Rrjedha e dramës në këtë roman zhvillohet në kontekst të ngjarjeve aktuale, por në shumë aspekte trajtohen edhe anë profesionale, që autori i shtrin aq natyrshëm, saqë krijohet përshtypja se dhe ti je pjesëmarrës i situatave dramatike dhe i botës komplekse që ndërtohet në dimensione të ndryshme. Është artisti që futet në botën e një instrumenti muzikor, madje të instrumentit më karakteristik, violinës, që e ndien dhe e përjeton si shqetësim artistik e jetësor deri në dimensionin e ekzistencës. Situatat që ndërtohen në vepër, ngjarjet plot dramë e kthesa, e ndalin receptuesin të presë me kërshëri veprimet e tjera, që shpesh dalin të papritura, komplekse dhe që kërkojnë zgjidhje jo avash-avash, por me një dinamikë që autori di ta zgjidhë, duke lënë hapësirë për të menduar më tej për zhvillimin e tyre në kontekst të ngjarjeve dhe të vendeve ku zhvillohen ato.

Romani kërkon kohë e përqendrim

Po dhe trekëndëshi nga lëvizin ngjarjet – Prishtina – Vjena – Tirana – shquhet me simbolikën aktuale të lidhjeve që pretendojmë si komb për t’u inkuadruar në botën moderne, në mjedise ku dhe njeriu ynë mund të shquhet me talentin e tij, me prirjet rrezatuese e dalluese, me gjithë pengesat që i sjell jeta dhe papërgjegjësitë e pushtetarëve për ta frenuar vullnetin e një profesionisti për të dhënë ndihmesën e vet në mjedise të qytetëruara.

Në këtë kontekst, në mjaft situata autori paraqet edhe veprimet e medieve dhe të përfaqësuesve të tyre, që dalin jo vetëm joseriozë, por në shumë rrethana edhe palaço, të cilët diskreditojnë atë që nuk mund të diskreditohet, fyejnë atë që nuk mund të fyhet, ngacmojnë ndjenjat dhe shqetësojnë jo vetëm individin, por dhe publikun, që detyrohet të ndjekë rrjedhën e ngjarjeve e ta paraqesin në kontekst tjetër. Këtë fakt sigurisht autori ka pasur rast ta përjetojë në lëkurën e vet dhe ka arritur ta artikulojë bindshëm në roman në rastet kur si personazhe dalin mediet, madje pa i specifikuar.

Faktikisht dihet se “Violina e humbur” është roman i një krijuesi që po bën hapat e parë në këtë fushë, madje në fushën më serioze të krijimtarisë letrare, por që jep mundësi për një qasje të gjerë dhe që kërkon përkushtim të veçantë, sidomos kur të kihet parasysh dhe vëllimi, që autori i ka kushtuar shumë kohë e përqendrim për të artikuluar në linja të ndryshme ngjarjet e veprës dhe për të krijuar një përvojë sado modeste në krijimin e kësaj gjinie.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në qytetin e Rahovecit do të organizohet “Osa Termosistem Final…