Vlera e euro-s bie në nivelin më të ulët në 14 muajt e fundit

10 tetor 2021 | 12:58

Në tregjet botërore, vlera e dollarit kundrejt një shporte të monedhave mbeti praktikisht e pandryshuar javën e kaluar, pas katër javësh rritjeje, me euron që ra në nivelin më të ulët në 14 muaj.

Indeksi i dollarit, i cili tregon lëvizjen e valutës amerikane kundrejt gjashtë monedhave të tjera më të rëndësishme botërore, u dobësua 0.05 për qind javën e kaluar, në 94.02 pikë.

Në të njëjtën kohë, kursi i këmbimit të dollarit kundrejt monedhës japoneze u rrit me gati 1 për qind, në 112.20 jen.

Monedha amerikane gjithashtu u forcua kundrejt monedhës evropiane, me 0.2 për qind, ashtu që çmimi i euros ra në 1.1570 dollarë, jo shumë larg nivelit më të ulët që nga korriku i vitit të kaluar.

Mbështetja për dollarin, të cilin investitorët e shohin si strehë të sigurt për kapitalin në kohë të pasigurt, është nxitur gjatë gjithë javës nga paralajmërimi i tregjeve të kapitalit mbi një rritje të mprehtë të çmimeve të energjisë, e cila mund të ngadalësojë rimëkëmbjen e ekonomisë globale.

Kërcimi i çmimeve të naftës dhe gazit ka forcuar frikën e përshpejtimit të inflacionit, duke rritur yield-et e bonove qeveritare pasi investitorët besojnë se bankat qendrore do të detyrohen t’i rrisin normat e interesit për ta frenuar rritjen e çmimeve.

Rendimentet në bonot 10-vjeçare të qeverisë amerikane gjithashtu arritën në 1.6010 për qind, niveli më i lartë që nga fillimi i qershorit.

Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se ka të ngjarë të fillojë t’i zvogëlojë blerjet mujore të bonove qysh në nëntor, e cila mund të pasohet nga një rritje e normave të interesit vitin e ardhshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditë më parë Qeveria e Kosovës ka bërë me dije…