Vlora e Ismail Qemalit, Zverneci i dhëndrit të Trumpit dhe Aeroporti i Pacollit
Shkruan: Sadik Zeqiri
Të martën me kolegë të punës, pata rastin të qëndroj në Vlorë, qytetin që zë një vend të veçantë në historinë kombëtare shqiptare. Vizitova Shtëpinë e Pavarësisë, vendin ku Ismail Qemali dhe patriotët shqiptarë më 28 Nëntor 1912 ngritën flamurin kombëtar dhe shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Për shqiptarët, Vlora nuk është vetëm një qytet bregdetar, por simbol i shtetformimit dhe i përpjekjeve shekullore për liri dhe pavarësi.
Nuk është rastësi që gjatë historisë, qarqe të ndryshme politike në rajon, siq janë Greqia dhe Serbia kanë parë me shqetësim forcimin e shtetit shqiptar dhe zhvillimin e zonave me rëndësi strategjike si Vlora. Megjithatë, historia ka dëshmuar se qyteti ka ditur të ecë përpara, duke ruajtur identitetin e tij dhe duke u shndërruar në një nga qendrat më të rëndësishme turistike dhe ekonomike të Shqipërisë.
Zverneci dhe investimet amerikane
Gjatë qëndrimit tim në Vlorë dëshiroja të vizitoja edhe Zvernecin, ku prej kohësh po zhvillohet debat rreth projektit për ndërtimin e një resorti turistik të lidhur me investitorë amerikanë, mes tyre edhe kompania e dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner. Për shkak të rrethanave të krijuara, nuk pata mundësi të shkoj nga afër dhe të bisedoj me banorët e zonës, por pyeta disa qytetarë në qytetin e Vlorës për të kuptuar mendimin e tyre.
Njëri prej tyre, një shitës librash, më tha: “Pse të mos investojnë 4 miliardë dollarë amerikanët në Vlorë? Ata duhet të jenë të mirëseardhur. Mjafton që çdo gjë të jetë e qartë me dokumente dhe në përputhje me ligjin.” Ky mendim pasqyron bindjen e shumë qytetarëve që shohin tek investimet e huaja një mundësi për zhvillim ekonomik, hapje vendesh pune dhe rritje të potencialit turistik të zonës. Natyrisht, çdo projekt duhet të respektojë ligjin dhe interesin publik, por kundërshtimi i investimeve vetëm për arsye politike nuk i shërben zhvillimit të vendit.
Protestat e organizuara kundër projektit në Zvernec dhe ato që po zhvillohen në Tiranë kundër qeverisë së Edi Ramës janë pjesë e debatit politik në Shqipëri. Ajo që bie në sy është se protestat në Tiranë vazhdojnë të ngjallin pikëpyetje rreth organizatorëve dhe objektivave të tyre, ndërsa deri më tani nuk kanë marrë as mbështetjen e liderit opozitar, Sali Berisha. Megjithatë, sipas mendimit tim, interesi kombëtar kërkon që investimet serioze, veçanërisht ato që vijnë nga partnerë strategjikë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të trajtohen me përgjegjësi dhe jo të shndërrohen në betejë politike. Shqipëria ka nevojë për investime, zhvillim dhe më shumë besim nga investitorët e huaj. Në këtë kontekst, mund të shtrohet edhe pyetja se përse protestat kundër projektit të Zvernecit kanë gjetur jehonë të konsiderueshme në disa media greke, serbe e malazeze, si dhe në media të caktuara ndërkombëtare kritike ndaj Trumpit. Kjo është një çështje që meriton debat dhe analizë të mëtejshme.
Aeroporti i Vlorës dhe e drejta e investitorit
Një tjetër projekt me rëndësi të madhe për Vlorën dhe për Shqipërinë është Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, i cili po ndërtohet me pjesëmarrjen e kompanisë së biznesmenit kosovar Behgjet Pacolli. Edhe këtë zonë nuk pata mundësi ta vizitoj nga afër, por interesimi i qytetarëve për këtë projekt është i madh. I njëjti shitës librash më tha: “Kam dëgjuar se Behgjet Pacolli është njeri i pasur dhe ka ndihmuar shumë edhe pas tërmetit në Thumanë. Nëse e ka nisur këtë projekt, duhet ta përfundojë, sepse në ndërtim është ndër më të fortët.”
Çështjet gjyqësore që lidhen me aeroportin janë kompetencë e institucioneve të drejtësisë dhe ato duhet të trajtohen sipas ligjit. Megjithatë, është e rëndësishme që çdo investitor të gëzojë siguri juridike dhe të mos përballet me pengesa të panevojshme pasi ka investuar kapital, kohë dhe mund.
Nëse gjykatat më të larta kanë dhënë vendime që mbështesin vazhdimin e projektit, atëherë proceset duhet të zhvillohen me transparencë dhe pa ndikime politike. Aeroporti i Vlorës është një projekt që pritet të ndikojë në zhvillimin ekonomik, turizmin dhe lidhjet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Prandaj, mesazhi im për drejtësinë e shtetit shqiptar është i thjeshtë: mos ia mbyllni derën e Aeroportit, Behgjet Pacollit. Pas këtij projekti qëndrojnë vite pune të tij, investime të mëdha dhe djersa e njerëzve që kanë punuar në kompaninë e tij. Shqipëria ka nevojë për më shumë projekte që krijojnë vende pune dhe sjellin zhvillim, jo për më shumë pengesa ndaj atyre që investojnë.




