Vritet një 30-vjeçar në Ferizaj, dorasi i dyshuar plagoset nga policët në rroba civile

28 maj 2022 | 13:02

Një 30 vjeçar në Ferizaj dyshohet se, mbrëmë pas mesnatës, e ka vrarë një bashkëmoshatar të tij që vdiq në vendin e ngjarjes.

Në ndërkohë dorasi i dyshuar është plagosur afër vendit të ngjarjes, në rrugën “Rexhep Bislimi”, nga një polic me rroba civile pasi i njëjti s’kishte përfillur urdhrat e policisë dhe ishte drejtuar me armë kah ta.

Pjesëtarët e policisë me rroba civile që ishin në detyrë zyrtare kishin vërejtur të dyshuarin me armë zjarri në dorë dhe kishin filluar fillimisht me urdhra verbalë “ndal policia” që të ndalet, por i dyshuari nuk kishte përfillur urdhrat e policisë.

“I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet që, në një moment i kthehet zyrtarëve policorë dhe njëri zyrtar policor për ta shmangur rrezikun e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e përdor armën e zjarrit zyrtare me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit”, thuhet në komunikatën e Policisë së Ferizajt.

I dyshuari është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, derisa më pas është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Gjendja e tij shëndetësore, sipas mjekëve, është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia i ka marrë masat për sigurinë e tij.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe IPK-ja të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Si provë materiale nga vendi i ngjarjes janë konfiskuar dy armë zjarri (pistoleta) dhe shtatë (7) gëzhoja.

Gjithashtu me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa ndaj të dyshuarit Q.J është lëshuar vendimi për ndalim për 48 orë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia me sukses ka testuar raketën lundruese hipersonike, Zircon, e…