Vuçiç të hënën viziton Francën, temë diskutimi edhe Kosova

06 prill 2024 | 11:36

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të hënë do të realizojë një vizitë zyrtare në Francë.

Në Parisë në Pallatin Elysee, Vuçiç do të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ku ndër temat kryesore që dy liderët do të diskutojnë do të jetë edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njoftojnë mediat serbe.

Në takim, siç thuhet në një komunikatë për media e lëshuar nga Zyra e Presidentit të Francës, Macron do të “riafirmojë angazhimin dhe mbështetjen e plotë për integrimin evropian të Serbisë” dhe se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është pjesë integrale e procesit të anëtarësimit” në BE.

Të dy presidentët, siç njofton komunikata, do të diskutojnë gjithashtu për “forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e mbrojtjes, energjisë, inovacionit dhe inteligjencës artificiale”.

Ndryshe më 21 mars Vuçiç kishte takuar Macron, në margjinat e Samitit për Energjinë Bërthamore në Bruksel.

Vuçiç përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, kishte njoftuar se në takim me Macron kishin diskutuar edhe për situatën në Kosovë dhe siç kishte pretenduar ai “për presionin në rritje ndaj popullit serb”.

“Populli serb është vënë në pozitë jashtëzakonisht të vështirë pas lëvizjeve të fundit të Prishtinës”, kishte pretenduar Vuçiç.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri Fatos Nano shfaqet për herë të parë në publik…