Vuçiq paralajmëron mundësinë e njohjes së Kosovës

04 mars 2019 | 19:36

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar sot se nuk e përjashton mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por ka potencuar se Beogradi duhet të fitojë diçka si kundërshpërblim.

“Para së gjithash ekziston mundësia për kompromis. Nuk mund ta njohim Kosovën, e të mos fitojmë diçka nga pala tjetër”, ka thënë Vuçiq, në një intervistë për agjencinë italiane “ANSA”.

Siç transmetojnë mediat serbe, Vuçiq ka thënë se çështja e ndryshimit të kufijve është një temë kontravrese, pasi që nuk i njohin të gjithë kufijtë e njëjtë, varësisht nga ajo nëse e kanë njohur Kosovën ose jo.

“Për dallim nga liderët e Kosovës, të cilët çdo ditë po i mashtrojnë qytetarët e tyre me premtime jo reale, se Prishtina do të fitojë gjithçka e Beogradi asgjë, detyrë e imja është që serbëve t’ua shpjegoj kuptimin e kompromisit [me Kosovën], i cili nuk paraqet fitore as humbje. Fitore për të ardhmen e Serbisë”, tha Vuçiq, përcjell “Telegrafi”.

Ai ka mohuar se ka pasur ndonjëherë takime sekrete me presidentin Thaçi, siç pohojnë disa media, dhe i ka përshkruar si “rrenë e kulluar” pretendimet e ekzistimit të një drafti të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Ka përsëritur se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të vazhdojë derisa Qeveria e Kosovës nuk e tërheq taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

“Në qoftë se nuk arrihet një marrëveshje kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë, do të ketë katastrofë. Edhe pse gjithçka duket e vështirë dhe ndonjëherë e pamundur, në jemi të vendosur të arrijmë kompromis. Jam i sigurt se mund të arrijmë te zgjidhja me ndihmën e miqve tanë evropian dhe me përkrahjen e Rusisë, Amerikës, Kinës dhe vendeve të tjera”, tha Vuçiq.

Ai ka folur për qasje të përgjegjshme dhe të kujdesshme të Beogradit, i cili sipas tij, nuk është përgjigjur ndaj masave “maksimaliste dhe provokative të Prishtinës”, në mënyrë që të mos rrezikohet paqja dhe stabiliteti në rajon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendës sekretari amerikan i shtetit, David Hale, do të qëndrojë…