Vuçiqi ‘braktis’ dialogun, Bërnabiqi përballë Kurtit në bisedime?

23 shtator 16:03

Aktualisht në bisedimet Kosovë – Serbi që janë duke u zhvilluar në Bruksel, shefa të dy palëve janë Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq. Por, ka elemente që tregojnë se protagonistët e dialogut mund të ndryshojnë.

Vuçiqi ka dhënë sinjale se qeveria serbe në krye me Ana Bërnabiq mund t’i marrë “frerët” në duar. Për këtë mundësi është pyetur nga “CNN” edhe Kryeministri Albin Kurti, ku ka dhënë opinionin e tij.

Në dialogun Kosovë -Serbi mund të ndryshojë përfaqësimi, nëse mund të merren të sakta sinjalet që i dha presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nga Nju Jorku të  mërkurën mbrëma dhe ajo që ka trajtuar televizioni “CNN” në intervistë me Kurtin.

Presidenti serb ka bërë një paralajmërim të çuditshëm duke thënë se nuk do të pranojë kurrë që Kosova të bëhet pjesë e OKB-së.

Sipas tij, Qeveria e Serbisë mund ta bëjë një gjë të tillë, por se ai si president nuk do të nënshkruaj.

Me këtë fjali Vuçiqi e ka bërë papritmas Qeverinë e Serbinë pjesë të lojës së dialogut edhe pse kryeministrja atje nuk ka peshë politike dhe varet ekskluzivisht nga Vuçiq.

“Serbia nuk do ta lejojë kurrë anëtarësimin e Kosovë në OKB, derisa jam unë president. Ndoshta qeveria vendos ndryshe, por nuk do ta ketë nënshkrimin tim. Por a duam zgjidhje kompromis dhe raporte të mira, natyrisht se duam. Por së pari t’i shohim të drejtat e serbëve, se çka fitojmë ne dhe se a po respektohet Rezoluta 1244. Por kam frikë se kjo nuk është krejtësisht reale”, ka thënë Vuçiqi

Në të kaluarën, kur Ivica Daçiqi ishte në krye të Qeverisë së Serbisë, ishte pikërisht ai që nënshkruante me Kosovën marrëveshje ne Bruksel.

Pastaj me fuqizimin e Vuçiq dialogu bartej aty ku ai ishte në pozitë, në kryeministri apo presidencë.

Mundësia që Bërnabiqi të marrë rol në dialog dhe të takohet me Kurtin është përmendur edhe në “CNN” nga gazetarja Christianne Amanpour, e cila e ka pyetur Kurtin nëse kryeministrja serbe mund të jetë partnerja për marrëveshje.

Madje, “CNN”-ja e ka ilustruar pyetjen e gazetares me pamje të Bërnabiqit në veri të Kosovës.

“Fatkeqësisht, Serbia nuk është demokraci ku njerëzit që nuk kanë marrë pjesë në krimet e viteve 90’të mund ta udhëheqin vendin. Keni kryeministër në Serbi, por Serbia është ende ‘one man show’. Presidenti i tyre është ai që vendos krejt kohën”

“Unë e lejova zonjën Bërnabiq ta vizitojë veroiun e Kosovës dhe shpresoj se me këto vizita ata mund të shohin është vend normal dhe më demokratik se Serbia dhe më e pavarur se Serbia, sepse Serbia është varur nga Rusia”, ka thënë Kurti kur është pyetur për  Bërnabiqin  në dialog.

Kohëve të fundit ka një angazhim të shtuar të ShBA-së dhe BE-së për të kërkuar një marrëveshje Kosovë -Serbi, Kurti ka thënë se ka shpresa.

“Shpresoj se në javët dhe muajt e ardhshëm do t’i afrohemi marrëveshjes ligjërisht obligative”, ka thënë Kurti në “CNN”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Belgjika më 23 shtator ka vazhduar me planin për të…