Vuçiqi i kundërpërgjigjet Haradinajt e Kurtit: S’dua t’i ofendojë, dua paqe

15 dhjetor 2019 | 16:51

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i është kundërpërgjigjur deklaratave të kryeministri në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinajt.

Haradinaj, në një akademi përkujtimore të organizuar dje në 21-vjetorin e rënies së komandantit të Brigadës 113, Mujë Krasniqi dhe 40 dëshmorëve të kombit, ka thënë se Aleksandër Vuçiqi dhe kolegët e tij nuk mund ta mohojnë që djemtë e UÇK-së i kanë përzënë ata nga Kosova.

E për këto deklarata të Haradinajt ka reaguar sot, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Ai ka thënë se e ka kuptuar porosinë e Haradinaj, i cili tha se UÇK-ja e ka dëbuar ushtrinë serbe nga Kosova, sikurse edhe Albin Kurtin, kur ka thënë se nuk do t’i japë territor Serbisë si ngushëllim për Kosovën e humbur.

“Janë njerëz seriozë dhe porosi serioze, i kemi pranuar dhe kuptuar. Ata e dinë se cilat janë interesat e popullit të vet, dhe ne i dimë interesat e popullit tonë. Interesi ynë parësor është paqja dhe ruajtja e paqes”, ka thënë Vuçiqi, transmeton “lajmi.net”.

Vuçiqi ka thënë se shqiptarët mendojnë se janë shumë të fuqishëm e serbët të dobët, duke shtuar se është më mirë që serbët të jenë të përgjegjshëm dhe seriozë, sepse e dinë se cilat janë interesat e tyre nacionale dhe shtetërore.

“Nuk më shkon mendja t’i ofendojë. Puna jonë është të ruajmë paqen dhe të ndihmojmë popullin tonë të qëndrojë, të ketë sa më pak gjykime për vepra verbale, më mirë të më gjykojnë mua sesa popullin tonë. Mua gjithmonë më interesojnë veprat e jo fjalët”, ka thënë presidenti serb.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore…