Vuçiqi pas takimit me Palmerin: Serbia është e gatshme për kompromis me Kosovën

04 nëntor 2019 | 11:30

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është paraqitur në një konferencë të përbashkët për medie së bashku me të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Vuçiqi ka thënë se është ndarë i kënaqur pas takimit me Palmerin dhe ka zbuluar disa prej temave të diskutuara mes tyre.

“Sa i përket Kosovës, dihen qëndrimet tona të ndryshme dhe kjo nuk është fshehtësi. ShBA-ja e njeh Kosovën si shtet, por i jam falënderues Palmerit që e dëgjoi mendimin tonë sot dhe më herët”.

“Po ashtu, ai ka shfaqur mbështetjen për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, kurse në pyetjet që nganjëherë dikë mund ta lëndojnë në Serbi kam biseduar haptas me Palmerin. Unë nuk fsheh asgjë nga askush, e pres mysafirin dhe sillem në mënyrë diplomatike”, është shprehur Vuçiqi.

Më tutje, Vuçiqi ka thënë se Palmeri e ka njoftuar se çka nuk i pëlqen ShBA-së në Serbi.

Vuçiqi ka shprehur besimin se në muajt e ardhshëm do të krijohen kushtet për vazhdimin e dialogut me Kosovën.

“Jam i sigurt se së shpejti në 2-3 muajt e ardhshëm do të krijohen kushtet për vazhdimin e dialogut dhe të kemi një zgjidhje kompromisi. Serbia është e gatshme për kompromis, por nuk do të jetë asnjëherë e gatshme për t’u përulur veten dhe popullin e saj”.

“Kurrë nuk kemi paraqitur kërkesa radikale dhe diçka që dikush tjetër nuk mund të pranojë, gjithmonë kemi folur për kompromis”, është shprehur Vuçiqi.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në mesjavë Interi do të ketë një tjetër ndeshje të…