Vula-Pozhegu: Vlera totale e eksportit të industrisë së drurit kap shifrën rreth 230 milionë euro

05 shtator 2022 | 15:28

Kryetarja e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit në Kosovë, Arieta Vula-Pozhegu, ka thënë se në vitin 2021, sipas të dhënave që kanë marrë nga Dogana e Kosovës për eksport për produktet dyer dhe dritare, mobilieri dhe përpunime të tjera nga druri, është shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.

Sipas saj, në vitin 2021 vlera totale e eksportit të drurit ka qenë rreth 230 milionë euro.

Ajo ka thënë për gazetën “Epoka e re” se zinxhiri i furnizimit ka pësuar ndryshime në lëndën e parë dhe në materialet që përdoren në industri si pasojë e rritjes së çmimeve në treg.

“Furnizimet me lëndën e parë për përpunim kanë shënuar rritje në çmime prej 30-përqindësh deri në 100 për qind”, ka treguar Vula-Pozhegu, e cila ka folur edhe për sfidat me të cilat po përballet kjo industri

Albulena S. MAVRAJ

“Epoka e re”: Në çfarë gjendje është industria e drurit në Kosovë?
Vula-Pozhegu: Industria e përpunimit të drurit në Kosovë ka një gjendje stabile dhe është në rritje në përgjithësi. Tregu dhe fuqia blerëse në Kosovë pothuajse ka qenë e pandryshuar. Kërkesa për produkte jashtë vendit ka pasur rritje.

“Epoka e re”: Kriza e pandemisë, energjisë elektrike dhe rrethanat gjeostrategjike, sa kanë ndikuar në industrinë tuaj?
Vula-Pozhegu: Kriza pas pandemisë dhe rrethanat e tjera gjeostrategjike kanë pasur ndikim dhe vazhdojnë të kenë edhe tek industria e mobilierisë, në përgjithësi e përpunuesve të drurit. Zinxhiri i furnizimit ka pësuar ndryshime qoftë me mungesë në lëndën e parë dhe materialet që përdoren në industri qoftë me rritjen e konsiderueshme të çmimeve në treg. Furnizimet me lëndën e parë për përpunim kanë shënuar rritje në çmime prej 30-përqindësh deri në 100 për qind. Këto ndryshime në çmime dhe rritjet e paplanifikuara kanë ndikuar edhe tek industria në përgjithësi duke pasur rritje të çmimeve në produktet finale. Energjia, po ashtu, e paqëndrueshme, kohën e fundit me ndërprerje, është një ndër çështjet më serioze që ndikon negativisht te kompanitë prodhuese, duke sjell humbje të mëdha qoftë financiare, po ashtu edhe shtyrje të afateve të dërgesave te klientët.

“Epoka e re”: Sa është vlera e eksportit të drurit?
Vula-Pozhegu: Shoqata e Përpunuesve të Drurit në Kosovë zakonisht merr të dhënat nga Dogana për eksport për produktet siç janë dyer e dritare, mobilieri dhe përpunime të tjera nga druri. Kjo vlerë ka shënuar rritje krahasuar me vitin 2020. Vlera totale e eksportit për vitin 2021 ka qenë rreth 230 milionë euro.

“Epoka e re”: Sa i përket qeverisjes aktuale, si e konsideroni përkrahjen ekonomike nga kjo qeveri?
Vula-Pozhegu: Përkrahja nga qeveria sa i përket zhvillimit ekonomik, mund të them se ka kushte dhe ambient të mirë të bërit biznes. Kohën e fundit urojmë të jenë të përkohshme problemet me energjinë elektrike. Ndërprerja e energjisë elektrike është shumë serioze, sepse rrezikon veprimtarinë e kompanive, prandaj mendoj se fokusi duhet të jetë në sigurimin e qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të furnizimit me energji elektrike. Shoqata e Përpunuesve të Drurit ka bashkëpunim me institucionet në veçanti me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe KIESA. Për aktivitetet tona rreth promovimit dhe rritjes së eksportit kemi gjetur përkrahjen nga Ministri e Industrisë.

“Epoka e re”: Me çfarë projektesh aktualisht po merreni dhe sa keni arritur objektivat biznesore të këtij viti?
Vula-Pozhegu: Aktualisht jemi me projektet ‘Inkurajimi i grave për t’u inkuadruar në industrinë e përpunimit të drurit dhe mobilierisë’, projekt i cili ka për qëllim të trajnojë rreth 50 gra/vajza në industrinë e përpunimit të drurit për dy muaj. Kjo do t’ua sigurojë praktikën dhe punësimin grave/vajzave te kompanitë anëtarë të Shoqatës së Përpunuesve të Drurit. Projekti ka mbështetjen edhe të USAID-it si donator përmes projektit Compete, po ashtu mbështetjen edhe të dy qendrave trajnuese të industrisë së drurit ‘Shehu’ dhe ‘Dekoriti’. Ne kemi filluar me informim dhe shpallje, kështu që urojmë të ketë sa më shumë gra dhe vajza që do të lajmërohen për t’u trajnuar dhe punësuar në industrinë e drurit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin e PDK-së për…