Vulin, Veselinoviq, Radojiçiq: Kush janë serbët e sanksionuar nga Amerika?

12 korrik 2023 | 08:35

Një lajm absolutisht i rëndësishëm ka ardhur nga përtej Atlantikut. Aleksandër Vulin, drejtor i BIA-s, është future në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përveç drejtorit të shërbimit sekret, në listën e zezë të ShBA-së janë edhe disa serbë të tjerë të lidhur me politikën e krimin në Serbi, si Zvonko Veselinoviq e Milan Radoijiçiq. Kush janë serbët non-grata për Amerikën?

Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit ka njoftuar sot se e ka përfshirë në listën e zezë Vulinin, njeriun që dikur e udhëhiqte edhe Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë. Në njoftimin e tyre, Departamenti i Thesarit theksonte se arsyeja e shpalljes non-grata të Vulinit qëndron në faktin se Vulin është angazhuar në marrëveshje korruptive që “shtynin përpara agjendat e veta politike apo interesat personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.”

Tutje, Vullin akuzohet se përmes këtyre veirpimeve kishte lehtësuar aktivitetet malinje të Rusisë në Serbi dhe në rajon.

“Thesari nuk do të hezitojë të shënjestrojë akterë që abuzojnë pozicionet e tyre për përfitime personale ndërsa minojnë qeverisjen demokratike dhe efektive në Ballkanin Perëndimor,” – tha Nënsekretari i Thesarit, z. Brian E. Nelson.

“Veprimet e sotme e bëjnë përgjegjës Aleksandër Vulinin për veprimet e tij korruptive dhe destabilizuese që po ashtu kanë lehtësuar aktivitetet malinje të Rusisë në rajon.” – shtoi ai.

Në njoftim, theksohej se të gjitha pronat dhe pasuritë e zotëruara nga Vulin në ShBA-ja, do të bllokohen. Por Vulin nuk është i vetmi politikan apo zyrtar serbë i përfshirë në listën e zezë të ShBA-së.

Dy vëllezërit Veslinoviq, Zvono dhe Zharko, të dyshuar për krim të organizuar, janë në listën e zezë të ShBA-së. Sipas Departamentit të Thesarit, Veselinovi identifikohej si udhëheqës i grupit të krimit të organizuar dhe si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Serbi e Kosovë.

“Në një komunikatë nga Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit, thuhet se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontroll të disa bizneseve në disa rajone” – raportonte “Betimi për Drejtësi”.

Përveç Veselinoviqit, në listë të zezë është edhe Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, që dyshohet edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe frikësim e ndikim të dëshmitarëve në rastin Brezovica. Në listën e zezë të ShBA-së është edhe Zhelko Bojiq, ish-shef i Operacioneve të Policisë së Kosovës për veriun, që dyshohet po ashtu për vrasjen e Ivanoviqit. Për të njëjtin rastin i dyshuar është edhe Marko Roshiq, që është në listën e zezë të ShBA-së.

Në këtë listë është edhe një biznesmen serb, Radulle Steviq, që sipas Betimit për Drejtësi, ishte i njohur për fitimin e shumë tenderëve të institucioneve të Kosovës në lidhje me projekte të ndryshme infrastrukturore në veri të Koosvës.

Përveç subjekteve të lartëpërmendura, ShBA-ja i kishte sanksionuar edhe disa kompani që janë pronë e këtij grupi të krimit të organizuar si “Dolly Bell” nga Beogradi, kompania për shitjen e automjeteve “Civija Komerc” nga Shabaci, kompania ndërtimore ‘INCOP’ nga Quprija, kompania e betonit “Aleksinac”, dyqani i pavarur “Prizma” nga Mitrovica e të tjera.

Ndryshe, Radojiçiq së fundmi është kthyer në qendër të vëmendjes, pas publikimit të përgjimeve nga ana e Nacionales, ku konfirmoheshin bisedat në mes Mimoza Kusari-Lilës, shefe e grupit parlamentar të VV-së, dhe Radojiçiqit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në Hagë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, vazhdon…