Walkeri: Kam qenë i padrejtë me Thaçin, jam i obliguar ta bëjë më të mirën për të
Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë gjatë luftës, William Walker, ka thënë se për ish-drejtorin politik të UÇK-së, Hashim Thaçin, kishte thënë gjëra “goxha të këqija” gjatë kohës sa ai ishte president.
Walkeri ishte në emisionin “ZEN me Artan Behramin” në “T7”, ka treguar një ngjarje në javët e fundit të presidencës së Thaçit, ku ia kishte shprehur pendimin e tij. Aty, diplomati amerikan ka thënë se ka ndryshuar perceptimin për Thaçin.
Ai ka thënë se e ndjen obligim që të kontribuojë që Thaçi dhe ish-krerët tjerë të UÇK-së të lirohen nga ndjekja penale e Gjykatës Speciale në Hagë, ndërsa ka paralajmëruar se mund të paraqitet si dëshmitar i mbrojtjes.
“Më pas, kur ai hasi në vështirësitë në të cilat ndodhet edhe tani, jo vetëm sepse ai po i nënshtrohet një ndjekjeje shumë të padrejtë në Hagë, por gjithashtu ndjehem i obliguar të përpiqem të bëj diçka të bëj gjërat më mira për të. Edhe për Kadri Veselin, edhe për Jakup Krasniqin. Mendoj se ata po trajtohen në mënyrë shumë të padrejtë nga Gjykata e Hagës. Unë jam përpjekur të bëj ç’është e mundur për t’i ndihmuar ata dhe shpresoj të paraqitem si dëshmitar mbrojtës kur prokuroria përfundimisht t’i japë fund ndjekjes penale. Ndaj, ndjej se kam qenë shumë i padrejtë ndaj tij kur ishte president, se i personalizova disa gjëra që nuk do të duhesha, dhe do të doja të kontribuoja që drejtësia të vendoset në Hagë, e cila mendoj se nuk po ndodh aktualisht”, ka thënë Walkeri.