William Walker për masakrën e Reçakut: Kjo ngjarje çliroi Kosovën, ta kujtojmë sa më shpesh

12 janar 2019 | 23:18

Ish-drejtues i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, duke folur për masakrën e Reçakut, ka thënë se ishte kjo ngjarje që prodhoi një reagim ndërkombëtarë për atë që po zhvillohej në Kosovë.

Ai këto komente i bëri në një intervistë për “Zërin e Amerikës” duke shtuar se është me rëndësi që të kujtohet kjo ngjarje që pasoi me fushatën e bombardimeve e cila çliroi Kosovën nga kontrolli i Serbisë.

“Ajo që ndodhi në Reçak dhe ngjarjet që pasuan, çuan në formimin e Republikës së Kosovës”.

“Ai incident, reagimi im ndaj tij, dhe më pas reagimi i qeverisë së Serbisë ndaj reagimit tim, prodhuan një cunami ndërkombëtar raportimesh për atë që po ndodhte në Kosovë, që çoi pastaj në takimin e ministrave të jashtëm, më pas takimet në Londër, në Rambuje që u pasuan me fushatën e bombardimeve gjë që eventualisht çliroi Kosovën nga kontrolli i Serbisë”, ka thënë Walker.

Ai ka shtuar se është shumë e rëndësishme të kujtohet kjo masakër sa më shpesh të jetë e mundur. 

“Sa herë që ndeshem me informacione të reja kontrolloj për të parë nëse konkluzioni im fillestar ishte i saktë dhe deri më sot, 20 vjet më pas, jam ende i bindur se vlerësimi që dhashë ishte i vërtetë”.

“Mbërrita në Reçak vetëm disa orë pasi kishte ndodhur masakra. Pashë në mesin e asaj dite të acartë dimri trupat dhe atë që kishte ndodhur ndaj atyre burrave dhe djemve”.

“Qeveria e Beogradit doli që ditën e parë me versione të ndryshme që i përshtatte me atë që mësonte bota për atë ngjarje dhe vazhdimisht ka ndryshuar opinionin e saj”.

“Ata arritën deri aty saqë pretendonin se unë kisha shkuar dhe kisha ndryshuar rrobat e më shumë se 40 viktimave dhe i kisha shpuar me plumba. Këto ishin shpjegime qesharake”.

“Është një nga shumë të tilla të bëra nga Beogradi. Edhe njëherë, unë nuk kam parë asnjë informacion nga burime të besueshme, që të ketë rënë ndesh me vlerësimin tim fillestar të asaj që ndodhi atë natë”.

Kujtojmë se në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, ka qenë  ambasadori William Walker ai i cili ka gjetur 45 trupat e pajetë të shqiptarëve të cilët u masakruan nga forcat serbe në fshatin e Reçakut.

Në prag të 20-vjetorit të masakrës së Reçakut, Ambasadori William Walker, thotë se i mbetet besnik vlerësimit të tij për ngjarjen, e cila hodhi dritë në atë që po ndodhte në Kosovë dhe që çoi eventualisht në ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave serbe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton se ka pranuar…