
Williams: Bukoshi hezitonte të jepte fonde për UÇK-në
Dëshmitari Paul Williams ka deklaruar se Bujar Bukoshi hezitonte që të ofronte ndihmë financiare për UÇK-në nga burimet që janë mbledhur nga diaspora, pasi ishin destinuar për diçka tjetër.
“Bujar Bukoshi hezitonte të ofronte ndihmë financiare për UÇK-në”, ka thënë Williams, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai shtoi se Bukoshi kishte thënë se këto para ishin destinuar për fuqizimin e arsimit paralel dhe kujdesit paralel shëndetësor.
“Burimet që kishte mbledhur diaspora ishin të kushtëzuara. Ishin mbledhur që të financonin sistemin paralel në Kosovë dhe të financonin kujdesin shëndetësor paralel. Ai më ka thanë që ka dy probleme: I kemi mbledhë këto para nga diaspora për shëndetësinë dhe për arsimin dhe këtu duam t’i shpenzojmë dhe besoj që i përdornin edhe për disa nga refugjatët. Së dyti: nëse doni para për armë, ka forma të tjera për ta bërë këtë dhe përfundimisht në fakt e gjetën një zgjidhje”, ka thënë Williams.
Ai ka thënë se sipas Bukoshit këto mjete ishin caktuar për çka të përdoreshin dhe ishte e papërshtatshme të përdoreshin për diçka tjetër.
“Ai hezitonte për shkak të natyrës konkurruese politike dhe fondeve të kushtëzuara dhe mos e merrni kaq të mirëfilltë se është term amerikan. Ishin caktuar për diçka tjetër dhe ishte e papërshtatshme që të përdoreshin për diçka tjetër kur nuk ishin caktuar për atë fushë”, ka thënë ai.
Përpara kësaj, Williams ka deklaruar se i kujtohet se patën dalë deklarata publike nga udhëheqja e UÇK-së që i bënte thirrje Bukoshit që të jepte fonde për UÇK-në që i kishte në dispozicion.
LDK-ja sipas dëshmitarit ishte shumë efektive për mbledhjen e fondeve e që pjesë e kontrollimit të këtyre fondeve ishte edhe Bukoshi.
Williams po ashtu ka thënë se nuk e di nëse është e vërtetë që Bukoshi s’ka dhënë mjete për UÇK-në.
Atij i është prezantuar edhe deklarata se kinse Bukoshi po i jep paratë për miq dhe për të financuar vrasje, e madje për të financuar dezertorë. Sipas dëshmitarit, përshtypja e tij lidhur me këto pretendime është se nuk janë të vërteta dhe nuk ka informacione mbi to.
Pretendohet se disa nga deklaratat për Bukoshin, kanë dalë nga Jakup Krasniqi.