Xhudoja ‘mbulon’ Kosovën me medalje

01 janar 2023 | 13:26

Veton ZYMBERI

Viti 2022 ka qenë i jashtëzakonshëm në rrafshin vendor dhe ndërkombëtar. Sportistët e Kosovës kanë shkëlqyer gjatë këtij viti, kurse sporti i xhudos, në krye me trajnerin Driton Kuka, ka mbledhur medaljet në secilën kampionat e garë që ka marrë pjesë, duke qenë edhe një herë sporti kryesor në Kosovë.

Xhudistja Distria Krasniqi ka pasur një vit të suksesshëm, pa harruar edhe xhudistet e tjerë. Ndërsa boksierja Donjeta Sadiku i ka siguruar Kosovës medalje botërore në Kampionatin Botëror të Boksit në Stamboll të Turqisë.

Ndërsa skuadra e Ballkanit bëri histori fillimisht në rrafshin vendosur duke fituar titullin, më pas shkroi historinë edhe në arën ndërkombëtare, ku e siguroi pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Konferencës.

Në sportin ndërkombëtar vlen të ceket se Leo Messi dhe Argjentina kanë fituar titullin e Botës pas një kohe tepër të gjatë. Në këtë mënyrë “Pleshti” rrëmben edhe trofeun që i kishte munguar.

Ndërkohë “Topin e Artë” e fitoi Karim Benzama që shkëlqeu me Realin e Madridit duke fituar Ligën e Kampionëve dhe La Ligën. Një sukses që gëzoi të gjithë shqiptarët pa masë ishte fitorja e Zvicrës së Xhakës, Shaqirit dhe Jasharit ndaj Serbisë.

Xhudoja e Kosovës shndrit botën

Janar-dhjetor – Xhudoja e nisi mirë vitin 2022. Më 5 shkurt kampionia olimpike Distria Krasniqi fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit. Para rreth 12 mijë shikuesve, xhudistja Krasniqi u mund në finale nga francezja nënkampione olimpike, Amandine Buchard, kategoria -52 kg. Në Grand Slamin e Parisit debutoi si trajnere kampionia olimpike Majlinda Kelmendi. Në fund të marsit xhudoja i solli Kosovës edhe dy medalje. Fatjona Kasapi e fitoi medaljen e artë, ndërsa Erza Muminoviq të bronztën, në Kupën Evropiane U-21 që u mbajt në Greqi.
Edhe muaji prill ishte i bereqetshëm. Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropianin të xhudos në Sofia të Bullgarisë. Ajo për të bronztën mundi gjermanen Mascha Ballhaus, kategoria -52 kilogramë, ndërsa Laura Fazliu për herë të parë në karrierë është shpallur nënkampione e Evropës. Laura fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë -63 të Kampionatit Evropian “Sofia 2022”.
Distria Krasniqi është krenari e sportit dhe shtetit të Kosovës, pasi më 3 qershor në Tbilisit të Gjeorgjisë fitoi medaljen e artë në Grand Slamin e Xhudos. Krasniqi në finale mundi Reka Pupp të Hungarisë.
Xhudoja në fund të muajit qershor ka lënë gjurmë edhe në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Distria Krasniqi ka vazhduar me medalje të arta në Lojërat Mesdhetare. Kampionia olimpike fitoi të artën në Oran, kategoria -52 kg. Ajo në finale mundi Ana Viktorija Puljiz të Kroacisë. Flaka Loxha i solli Kosovës medaljen e dytë. Ajo në luftën për të bronztën mundi turken Hasret Bozturk, kategoria -57 kg. Edhe dita e pestë në Lojërat e 19-ta Mesdhetare Oran 2022 ka qenë e suksesshme për sportin e Kosovës. Xhudistët fituan edhe dy medalje, nga tre garues që dolën në tatami. Laura Fazliu fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 63 kilogramë. Ajo në finale mundi spanjollen Perez Cabana. Medalje, por të bronztën, e fitoi edhe Akil Gjakova. Ai triumfoi në luftën për të bronztën ndaj italianit Manuel Lombardo, kategoria -73 kg. Loriana Kuka është bërë e artë në Lojërat Mesdhetare, duke i sjell Kosovës medaljen e gjashtë, të tretën të artë. Xhudistja Kuka mundi në finale francezen Chloe Buttigieg, kategoria -78 kg. Është kjo medalja e pestë nga sporti i xhudos. Në muajin tetor edhe një herë në skenë ka dalë xhudistja Distria Krasniqi, duke vazhduar me sukseset e saj në arenën ndërkombëtare. Kampionia jonë olimpike “Tokio 2020” u stolis me medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Xhudos në Tashkent të Uzbekistanit. Për Krasniqin ishte medalja e dytë e bronztë botërore si seniore. Ajo fitoi edhe një mijë pikë olimpike për Lojërat Olimpike Paris 2024. Në cilësinë e trajneres ishte dy herë kampionia e botës, Majlinda Kelmendi. Ekipi i xhudos fitoi edhe dy medalje në Grand Slamin e Xhudos në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Kampionia olimpike, Nora Gjakova, fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë -57 kg. Nora iu rikthye tatamit, por edhe podiumit, pas 15 muajsh mungesë për shkak të lëndimit. Të bronztën e fitoi Loriana Kuka në kategorinë -78 kg. Në luftën për të bronztën mundi francezen Audrey Tcheumeo, nënkampione olimpike 2016. Në muajin dhjetor dhe të fundit për vitin 2022 Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Mastersin e xhudos “Jerusalem 2022”. Në finale Distria mundi britaniken Chelsie Gilles, kategoria deri në 52 kilogramë.

Akademia Olimpike e KOK-ut pranohet në IOA

26 janar – Akademia Olimpike e Komitetit Olimpik të Kosovës është bërë anëtare me të drejta të plota në Akademinë Olimpike Ndërkombëtare (IOA). Qëllimi i Akademisë Olimpike të Kosovës është t’i promovojë vlerat olimpike dhe shpirtin olimpik në Kosovë, me fokus të veçantë edukimin e stafit profesional në fushën e sportit.

Mallorca blen kartonin e Muriqit, Rashica shkon në Turqi, Shaqiri në Amerikë

10 shkurt – Në afatin kalimtar të verës lëvizjen e futbollistëve shqiptarë nuk ishin të pakta. Mallorca e ka blerë kartonin e sulmuesit të Kosovës, Vedat Muriqi për 12 milionë euro nga Lazio, kurse Milot Rashica në formë huazimi iu ka bashkuar Galatasrayt. Në anën tjetër, një tjetër yll shqiptar, Xherdan Shaqiri nga Lyoni kaloi në futbollin amerikan (MLS), Chicago Fire. Armando Broja u rikthye te skuadra e Chelseat, derisa Adnan Januzaj nga Real Sociedad kaloi te Sevilla. Skuadër ndërroi edhe portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, i cili iu bashkua Burnleyt.

Albin Tahiri arriti rezultat historik në Lojërat Olimpike Dimërore

10 shkurt – Albin Tahiri ka zënë vendin e 15-të nga 27 garues në disiplinën e kombinimit alpin, që përbëhet nga lëshimi dhe sllallomi. Në lëshim ishte i 22-ti. Është kjo pozita më e mirë në karrierën e tij në Lojërat Olimpike Dimërore dhe, po ashtu, rezultati më i mirë për Kosovën. Koha e tij nga dy lëshimet ishte 2 minuta e 48.29 sekonda.

Giresse zëvendëson Challandesin te Kosova

23 shkurt – Trajneri francez Alain Giresse në muajin shkurt është emëruar përzgjedhësi i Kosovës në futboll. Giresse që e zëvendësoi Bernard Challandesin, me rastin e prezantimit, ka deklaruar se ndihet i nderuar që do të jetë në krye të Përfaqësueses së Kosovës dhe se nuk ka hezituar fare ta pranojë ofertën e FFK-së. Trajneri francez ka drejtuar në disa ndeshje “dardanët”, por synimi i tij dhe Kosovës është kualifikimi në Kampionatin Evropian 2024.

Ramadani fiton medaljen e argjendtë në Kupën Evropiane dhe në Kampionatin Mesdhetar

13 mars – Atleti Muhamet Ramadani ka vazhduar shkëlqimin e tij në arenën ndërkombëtare. Ai fitoi medaljen e argjendtë në Kupën Evropiane të Atletikës në hedhje për grupmoshën U-23, që u mbajt në Leiria të Portugalisë. Nga gjashtë hedhjet e tij, rezultati më i mirë ishte 18.60 kilogramë. Për Ramadanin kjo ishte gara e parë e hedhjes së gjyles 7.260 kg. Ramadani fitoi medaljen e argjendtë edhe në Kampionatin e 4-të Mesdhetar U23 që u mbajt në Pescara të Italisë.

Suksesi i Nexhat Sahitit në Kampionatin Evropian të Shenjëtarisë

28 mars – Shenjëtari Nexhat Sahiti ka vazhduar formën e mirë, duke përmirësuar rezultatet e tij në arenën ndërkombëtare. Bursisti Olimpik për Paris 2024 zuri vendin e 16 nga 65 garues në Kampionatin Evropian në Hamar të Norvegjisë. Nexhati grumbulloi 577 rrathë, në pistoletë ajrore 10 metra, po aq sa kishte edhe vendi i 13. Seria e fundit e tij ishte e pafat, pasi me tri pikë më shumë do të hynte në çerekfinale.

MKRS-ja mbështet KOK-un me 680 mijë euro

1 prill – Komiteti Olimpik i Kosovës ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport për vitin 2022. Memorandumi u nënshkrua nga presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe ministri Hajrullah Çeku. Memorandumi parasheh mbështetje financiare të MKRS-së për KOK-un gjatë vitit 2022, mbështetje kjo që ka shënuar rritje krahas me vitet e kaluara. KOK-u do të mbështetet 680 mijë euro. Shuma e përgjithshme e mbështetjes së MKRS për KOK-un, federatat e sportit dhe Komitetin Paralimpik vetëm përmes memorandumeve vjetore është mbi 3.7 milionë euro. Përveç mbështetjes së federatave, do të ketë edhe mbështetje të sportistëve, trajnerëve dhe shpresave olimpike në bazë të kategorizimit të KOK-ut.

Jakupi dhe Syla fitojnë medalje të bronzta në Evropianin e të Rinjve në Boks

21 prill – Dy boksierët e rinj, Taulant Jakupi dhe Donat Syla, pësuan humbje në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian U-18 që po mbahet në Sofje të Bullgarisë. Të dy e mbyllën evropianin me medalje të bronzta pas fitoreve të shënuara në çerekfinale. Fitimi i dy medaljeve të bronzta në një garë të nivel të tillë vlerësohet sukses për Federatën e Boksit të Kosovës e cila u përfaqësua me katër boksierë.

Besa Famgas dominon në hendbollin e meshkujve, Istogu te femrat

15 maj – Besa Famgas e ka fituar titullin e 16 në Superligën e Kosovës në Hendboll. Këtë sukses skuadra pejane e arriti pas fitores ndaj Prishtinës në kryeqytet. Por, ky titull është i veçantë, pasi Besa e fitoi duke mos lëshuar asnjë pikë gjatë gjithë kampionatit. Në 28 ndeshjet ata arritën 28 fitore. Besa Famgas është shpallur edhe fituese e Kupës për edicionin 2021/2022, pasi në finalen e luajtur në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj mposhti Kastriotin me rezultat 30:24. KHF Istogu e ka fituar titullin e dytë në histori, pasi e mposhti në palestrën “Bill Clinton” Ferizajn me rezultatin 26-25. Ishte kjo fitorja e dytë e hendbollisteve të Istogut në serinë finale të plejofit. Ndeshjen e parë të luajtur të shtunën në Istog, skuadra e Faruk Shalës e kishte fituar me rezultatin 32-31. Istogu e ka fituar edhe Kupën në konkurrencë të femrave. Në finale Istogu e mposhti Ferizajn me rezultat 34-29.

Donjeta Sadiku i siguron Kosovës medalje botërore në boks

18 maj – Donjeta Sadiku i ka siguruar Kosovës medalje botërore në Kampionatin Botëror të Boksit në Stamboll të Turqisë. Sadiku është ndalur në gjysmëfinale nga amerikania Rashida Ellis, kategoria -60 kg. Sadiku ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në Botëror, pasi paraprakisht kishte siguruar medaljen e bronztë të botës, suksesi më i madh në histori të boksit kosovar. Ajo shënoi tri fitore, duke triumfuar ndaj Ayska Taguchi të Japonisë, Jocelyne Tshamala nga Kongo dhe Wu Shih-yi të Taipeit Kinez. Donjeta Sadiku ka vazhduar formën e mirë në garat ndërkombëtare. Ajo fitoi medaljen e argjendtë në turneun ndërkombëtar “Balkan” që u mbajt në Sofje të Bullgarisë. Sadiku është stolisur me medaljen e bronztë të Evropës. Ajo pësoi humbje në gjysmëfinale nga kampionia olimpike “Tokio 2020” Kellie Harrington e Irlandës, kategoria -60 kg e Kampionatit Evropian. Sadiku kishte shënuar dy fitore për të arritur deri në gjysmëfinale. Është kjo medalja e parë evropiane për senior për Federatën e Boksit të Kosovës.

Milani pas 11 vjetësh rikthen titullin, festojnë edhe City, Bayerni, PSG-ja dhe Reali

22 maj – Pas 11 vjetësh Milani fiton titullin kampion në Serinë A, i 19-ti në historinë e tij, në një sezon shumë të luftuar dhe me konkurrencë të lartë nga rivali i përjetshëm, Interi. Milani mbylli sezonin 2021-2022 të Serisë A në kuotën e 86 pikëve, teksa Interi e mbylli këtë edicion në vendin e dytë me 84 pikë.
Manchester City është shpallur kampion i Premierligës për këtë edicion, pasi ka triumfuar në xhiron e fundit kundër Aston Villës (3-2). City mblodhi 93 pikë në vendin e parë, një më shumë se Liverpooli që u pozicionua në vendin e dytë.
Paris Saint-Germain barazoi 1-1 me Lensin në ndeshjen e javës së 34-t në Ligën 1, por ka fituar titullin e 10 në histori të klubit. Klubi nga “Parc des Princes” ka arritur të kthejë titullin në kryeqytet pas një viti, pasi ka fituar edhe matematikisht këtë sezon, katër javë pa u mbyll sezoni.
Në Gjermani Bayern Munchen ka vazhduar dominimin dhe arriti ta fitojë titullin kampion në Bundesliga për herë të dhjetë radhazi, ndërsa Real Madridi katër javë nga fundi i kampionatit e siguroi titullin. Ky ishte titulli i 35-të në historinë e Real Madridit, duke qenë skuadra më e titulluar në Spanjë.

Reali, Eintracht Frankfurti dhe Roma dominojnë në Evropë

28 maj – Real Madridi i Carlo Ancelottit ka fituar për herë të 14-t trofeun më të rëndësishëm për klube në Evropë, Ligën e Kampionëve, derisa në finale e mposhti Liverpoolin me rezultat minimal 1-0. Golin e vetëm në këtë ndeshje që u zhvillua në “Stade de France” të Parisit e shënoi Vinicius Junior. Eintracht Frankfurti, pas plot 40 vjetëve, ka fituar trofe në Evropë, duke fituar Ligën e Evropës, ku mposhti Rangersin në finale. Pas 120 minutave lojë rezultati ishte i barabartë 1-1, derisa në 11 metra gjermanët u treguan më të saktë, duke fituar me rezultat 4-5, me mesfushorin e Rangersit, Aaron Ramsey, që e humbi penalltinë vendimtare. Ndërsa në finalen e Ligës së Konferencës, Roma ka arritur ta mposhtë Feyenoordin në finalen e zhvilluar në Tiranë me rezultat 1-0. Golin e vetëm për skuadrën e Jose Mourinhos e shënoi Nicolo Zaniolo.

Elhami Shabani, medalist i bronztë i Evropës në karate

28 maj – Elhami Shabani ka arritur suksesin më të madh në karrierën e tij pas sakrificës shumëvjeçare në karate. Ai fitoi medaljen e bronztë të Evropës në Kampionatin Evropian të Karatesë “Gaziantep 2022”, kategoria -75 kg. Shabani mundi Hamza Turulijan e Bosnjë-Hercegovinës 2:1 në luftën për të bronztën. Elhamiu, po ashtu, shënoi katër fitore dhe një humbje. Drejt medaljes së bronztë kishte rrugëtuar përmes repesazhit.

Basketboll: Ylli sërish kampion, Trepça fiton Kupën, Peja triumfon në Ligën Unike

2 qershor – KB Ylli për të dytin vit radhazi është shpallur kampion i Kosovës në basketboll. Suharekasit triumfuan pas katër serive me rezultat 3-1 ndaj Trepçës. Mirëpo në Ligën Unike Ylli ka pësuar humbje nga skuadra e Pejës në finalen e zhvilluar në “Karagaçi” me rezultat 87-72, ndërsa skuadra e Trepçës, pas 10 vjetësh, e ka fituar Kupën e Kosovës. Klubi mitrovicas në finalen e zhvilluar në Pejë e mposhti Bashkimin me rezultat 74-62.

Boksieri Shpejtim Bajoku merr medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare

30 qershor – Boksieri Shpejtim Bajoku dëshmoi se ka të ardhme të ndritur pavarësisht se fitorja në fund i takoi algjerianit Jahia Abdelli, që kishte përkrahjen e fuqishme të tifozëve vendas. Meçi i takonte gjysmëfinales së kategorisë -63 kilogramë në boks në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Bajoku kishte siguruar medaljen e bronztë, të parën për Federatën e Boksit të Kosovës në Lojërat Mesdhetare.

NBA, Golden State fiton titullin e katërt në shtatë vitet e fundit

17 qershor – Golden State shpallet kampion i NBA-së. Warriorsi fitoi 103-90 në fushën e Boston Celticsit në ndeshjen e gjashtë, duke triumfuar 4-2 në serinë e takimeve finale. Ky është titulli i katërt kampion për Warriorsin në shtatë vjetët e fundit. Basketbollisti Stephen Curry mori trofeun e lojtarit më të mirë të finaleve, duke qenë protagonist në fushë me 34 pikët e tij edhe në ndeshjen e fundit. Për të ky është titulli i katërt në karrierë. Ndryshe nga tre titujt e mëparshëm, këtë trofe skuadra e Golden States e ka fituar me shumë vështirësi.

Universiteti i Prishtinës shpallet kampion bote në hendboll

18 korrik – Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka fituar titullin e kampionit të botës në hendboll për sportin universitar në Kupën e Botës të organizuar për një javë në Prishtinë. Djemtë tanë mundën në finale Universitetin Kangwon të Koresë së Jugut, 33:30. Medalje, por të bronztën, e fituan hendbollistet, të cilat, në luftën për vend të tretë, fituan ndaj Universitetit nga Çekia, “Palacky University of Olomouc”, 26:24. Vendin e parë te femrat e zuri Universiteti Kombëtar i Koresë së Jugut.

Komiteti Paralimpik i Kosovës anëtarësohet në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar

18 korrik – Komiteti Paralimpik i Kosovës (KPK) është bërë anëtar i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (IPC). Bordi Ekzekutiv i IPC që e ka pranuar kërkesën e KPK-së për anëtarësim. Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzoi Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe të gjithë paralimpistët për lajmin historik të anëtarësimit në IPC.

Luiza Gega shpallet kampione e Evropës

21 gusht – Atletja shqiptare Luiza Gega është shpallur kampione e Evropës në garën e 3000 metrave me pengesa në eventin që u zhvillua në Munih të Gjermanisë. Ajo shënoi kohën 9’11”31, në një garë që dominoi që nga fillimi e deri në fund. Një rezultat i jashtëzakonshëm për Gegën dhe atletikën shqiptare, e cila ngjitet në majën e Evropës. Gega kurorëzoi kështu me një medalje të artë një sezon të jashtëzakonshëm, ku ka dominuar kudo që ka garuar. Kampione e Evropës, në një garë që ajo nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren, duke qenë gjithnjë në krye dhe e shkëputur ndjeshëm nga të gjitha rivalet, që duelonin vetëm për podiumin.

Usyk mposhti Joshuan, mbron titullin kampion bote

21 gusht – Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk ka arritur ta mposhtë anglezin Anthony Joshua pas 12 raundeve duke u rishpallur kampion bote në pesha të rënda. Tri rundet e para i takuan Joshuas, ndërsa Usyk u këndell në raundin e pestë, ku rezultati ishte pothuajse i barabartë. Ndërsa ishte raundi i 10-të ai që Joshua e humbi veten ku për pak sa nuk u nokautua nga Usyk. Kjo është hera e dytë që të dy boksierët përballen.

Kastriot Jupa transferohet në Gjermani

29 gusht – Hendbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, Kastriot Jupa, është transferuar te skuadra LHC Cottbus. 29-vjeçari tashmë i është bashkuar skuadrës gjermane në fazën përgatitore, ndërsa ka shkëlqyer në ndeshjet kontrolluese. Për dhjetë vjet, Kastriot Jupa ka luajtur për skuadrën e Besa Famgas. Me Besën ka dominuar plotësisht në hendbollin kosovar. Plot gjashtë herë është shpallur lojtari më i mirë i vitit në Kosovë. Ai është shquar me paraqitje të mira edhe në kupa evropiane. Jupa është kapiteni i dytë i Kosovës.

Dardan Cena, medalist i bronztë i Evropës për junior

16 shtator – Xhudisti Dardan Cena ka shënuar suksesin më të madh në karrierën e tij. Ai fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të Juniorëve që u mbajt në Pragë të Republikës së Çekisë, kategoria -73 kg. Cena shënoi pesë fitore, të gjitha me ippon. Humbjen e vetme e pësoi në gjysmëfinale.

Trajneri Driton Kuka nderohet me çmimin ‘Doctor Honoris Causa’

22 shtator – Trajnerit të Përfaqësueses së Kosovës në Xhudo, Driton Kukës, i është dhënë çmimi “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Çmimi iu dha nga rektori i UP-së, Naser Sahiti, në ceremoninë e organizuar në Bibliotekën Qendrore Universitare të Kosovës. “Honoris Causa” është titulli akademik që një universitet i akordon si mënyrë nderimi për kontributet një vizitori të shquar në një fushë të caktuar apo përgjithësisht në shoqëri. Ky çmim Kukës iu dha për kontributin e dhënë në fushën e sportit dhe në njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në cilësinë e trajnerit, Kuka ka fituar tri medalje të arta olimpike, gjashtë medalje botërore, 18 evropiane, katër në Lojërat Evropiane dhe nëntë në Lojërat Mesdhetare, të gjitha në nivelin për seniorë.

Pensionohet nga tenisi Roger Federer

24 shtator – Një nga tenistët më të mirë në histori, Roger Federer, i përlotur i tha lamtumirë tenisit profesionist, pasi u bashkua me shokun e tij të madh, Rafael Nadal, në një natë emocionale në Laver Cup. 41-vjeçari mori një ovacion të gjatë derisa po largohej nga fusha për herë të fundit pasi doli në pension si profesionist. Zvicerani, i cili fitoi 20 tituj Grand Slam, konsiderohet një nga lojtarët më të mirë në historinë e tenisit.

Liga e Kombeve, Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë aty ku ishin

27 shator – Përfaqësuesja e Kosovës mbeti në Ligën C pasi u radhit e dyta, Shqipëria në anën tjetër vetëm falë Rusisë mbetet edhe për një sezon në Ligën B, pasi ishte treta në grup me dy pikë të grumbulluara. “Dardanët” në gjashtë takime të zhvilluara arritën tri fitore dhe tri humbje, dy nga të cilat ishin nga liderja, Greqia dhe një humbje e hidhur në minutat e fundit nga Irlanda Veriore. Në katër ndeshjet e zhvilluara, kuqezinjtë pësuan dy humbje dhe morën dy barazime, duke mbetur pas Islandës me katër pikë dhe vendit të parë, Izraelit, me tetë pikë.

Verstappeni fiton titullin e dytë radhazi në Formula 1

9 tetor – Pas një ‘Grand Prix’-i dramatik të Japonisë, Max Verstappeni është shpallur kampion në Formula 1. Verstappeni është bërë kampion bote i vitit 2022 për herë të dytë rresht. Shoku i skuadrës, Sergio Perez, ishte i dyti dhe Charles Leclerc i Ferrarit i treti, kjo e vendos Verstappeni në një epërsi që nuk mund të arrihet më nga asnjë pilot. Kjo ishte fitorja e 12 e sezonit për Verstappenin.

Benzema fitoi ‘Topin e Artë’

17 tetor – Karim Benzema ka fituar “Topin e Artë” për edicionin 2021/2022. Benzema ka shkëlqyer në fanellën e Real Madridit. Ai e ka udhëhequr skuadrën spanjolle drejt titullit të kampionit në Ligën e Kampionëve dhe në La Liga. Sulmuesi francez realizoi 44 gola në 46 ndeshje në edicionin e kaluar. Në La Liga kishte 27 gola e 12 asistime në 32 paraqitje. Në 12 paraqitje në Ligën e Kampionëve kishte shënuar 15 gola dhe kishte realizuar dy asistime. Dy gola e një asistim i kishte në dy ndeshje për Superkupën e Spanjës.

Ballkani bën historinë në Kosovë dhe Evropë

3 nëntor – Skuadra e Ballkanit është shpallur për herë të parë në histori të klubit kampion i Kosovës në futboll. Klubi nga Suhareka është themeluar para 75 vjetësh. Ballkani si kampion i Kosovës fitoi të drejtën për pjesëmarrje në garat e Ligës së Kampionëve, por është eliminuar në rrethin e parë kualifikues të kësaj gare. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Prishtinë, Ballkani luajti baras me Zhalgirisi (1-1), kurse në ndeshjen e kthimit Ballkani u paraqit mirë, por pësoi gol në vazhdime dhe garat i vazhdoi në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja bëri histori në këtë garë duke siguruar kualifikimin historik në fazën e grupeve. Në grupe, Ballkani regjistroi një fitore, një barazim dhe katër humbje. Kjo skuadër falë këtyre sukseseve është shpallur edhe skuadra më e mirë e vitit nga Federata e Futbollit e Kosovës. Duhet cekur se skuadra e Llapit për herë të dytë radhazi e ka fituar Kupën e Kosovës.

Norvegjia fiton titullin e nëntë të Evropës

20 nëntor – Norvegjia ka vazhduar të dominojë në hendbollin evropian. Hendbollistet e Norvegjisë të dielën kanë siguruar titullin e nëntë të Evropës. Në finalen e Euro 2022, të zhvilluar në Lubjanë, Norvegjia ka fituar ndaj Danimarkës me rezultat 27:25. Norvegjia ka mbrojtur titullin dhe është konfirmuar forcë e hendbollit evropian.

Transferime bombastike, Ronaldo largohet nga Unitedi

22 nëntor – Gjatë vitit 2022 nuk munguan transferimet bombastike, por duhet cekur se një nga lajmet më të mëdha është largimi i Cristiano Ronaldos nga Manchester Unitedi. Klubi anglez njoftoi shkëputjen e bashkëpunimit me Ronaldon dhe e falënderoi për kontributin që ka dhënë gjatë dy periudhave që ishte pjesë e Unitedit, në anën tjetër portugezi e fajësoi klubin që nuk i ka ofruar atë që e meritoi. Një nga transferimet më të mëdha ishte ai Erling Haaland te Manchester City. Klubi anglez pagoi 75 milionë euro për sulmuesin norvegjez. Transferim i madh ishte edhe ai i Robert Lewandowsit nga Bayern Muncheni te Barcelona dhe Sadio Mane që e la Liverpoolin për Bayernin. Ndërkohë dhe Gabriel Jesues ndërroi skuadër, nga City kaloi të rivali e Premierligës, Arsenal. Ndërsa mesfushori Casemiro u largua nga Real Madridi dhe iu bashku Manchester Unitedit.

Xhaka e Shaqiri edhe një herë gjunjëzojnë Serbinë

2 dhjetor – Kombëtarja e Zvicrës ka shkëlqyer në ndeshjen e tretë të grupeve, ku e mposhti Serbinë me rezultat 3-2. Në këtë mënyrë futbollistët nga Kosova që e përfaqësojnë Zvicrën, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, edhe një herë kanë dalë triumfues ndaj kombëtares serbe. Në ndeshjen e Botërorit 2022 kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë dyshja shqiptare, Shaqiri dhe Xhaka, i pari ka shënuar gol, i dyti si kapiten i ka udhëhequr zviceranët drejt fitores, por u bëri ballë edhe disa provokimeve të futbollistëve dhe zyrtarëve në shtabin teknik të Serbisë. Pjesë e Zvicrës ishte edhe shqiptari tjetër Ardon Jashari.

Gjimnastet, të suksesshme në Gjermani

9 dhjetor – Sporti i gjimnastikës ka qenë mjaft aktiv në vitin 2022. Sukseset e këtij sporti vazhdojnë edhe më tej, pasi gjimnastet e Klubit “Elita” nga Prishtina, në garën “Gymfinity 2022” në Grunstadt të Gjermanisë në gjimnastikën artistike për femra, arritën suksese. Federata e Gjimnastikës e Kosovës u përfaqësua nga gjimnastet Bora Hoti, Vilëza e Lisa Zeqiri, Elena Sefa, Fitore Rudari, Una Kajtazi, Valëza Rama dhe Jora Gërvalla të cilat rrëmbyen tri vende të para dhe një të tretë. Puna e palodhur e trajnerëve Abeliana Bregu dhe Shkumbin Maqastena u kurorëzua me suksese.

Kosova mbetet pa Milaim Krasniqin, Xhevdet Pecin, Behlul Beqajn…

16 dhjetor – Në moshën 53-vjeçare Milaim Krasniqi ka humbur betejën me sëmundjen e kancerit. Krasniqi ishte një ndër gazetarët më të shquar në Kosovë i cili kontribuoi në zhvillimin e gazetarisë dhe ngritjes së cilësisë në sport. Krasniqi në vitin 2001 u punësua në “Radio Kosova”, ku ka vazhduar të punojë deri në ditët e fundit të jetës. Gjatë kësaj periudhe ka komentuar mbi 2 000 ndeshje të futbollit nga vendi i ngjarjes. Vite me radhë ishte redaktor përgjegjës i programit në RTK-Radio Kosovë dhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës.
Në muajin maj papritmas ka ndërruar jetë legjenda e boksit, Xhevdet Peci, i cili nga viti 1975 deri 1983 arriti t’i fitojë pesë tituj në konkurrencën ekipore dhe katër tituj në konkurrencën individuale në ish-Jugosllavi. Peci arriti të fitojë edhe dy kampionate ballkanike. Peci për pesë vjet me radhë ishte boksieri që nuk kishte humbur asnjë meç.
Futbollisti 17-vjeçar i Trepçës ’89, Erion Kajtazi, ka ndërruar jetë në fushë të futbollit pas sulmit në zemër. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Prizren pas një ndeshjeje futbolli për gjeneratat e reja mes A&N dhe Trepçës ’89. 17-vjeçari ka rënë pa ndjenja në fushë por, me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, nuk ka mundur të jetë. Në këtë vit ndërroi jetë edhe ish-kryetari i FBK-së, Behlul Beqaj dhe disa sportistë të tjerë.

Messi me Argjentinën rrëmbejnë Kupën e Botës

18 dhjetor – Argjentina është shpallur kampione e Botës pasi e mposhti në penallti Francën (4-2). Në 90 minutat e zhvilluar rezultati ishte 2-2 dhe ndeshja shkoi në vazhdime. Shënues për Argjentinën ishin Leo Messsi dhe Angel Di Maria, kurse për Francën dy golat i shënoi Mbappe. Në vazhdime Messi dhe Mbappe shënuan edhe nga një herë për rezultatin 3-3, kurse në penallti më të mirë ishin argjentinasit që u kurorëzuan me titullin e tretë të botës në histori. Messi është shpallur lojtari më i mirë i kampionatit. Mbappe është shpallur golashënuesi më i mirë, kurse Martinezi e rrëmbeu epitetin e portierit më të mirë.

Vedat Muriqi shpallet futbollist i vitit, Thaqi lojtari më i mirë në Superligë

24 dhjetor – Sulmuesi i Kosovës dhe i skuadrës spanjolle, Mallorca, Vedat Muriqi është shpallur futbollisti më i mirë i vitit 2022. Për Muriqin ky është çmimi i dytë i futbollistit të vitit nga FFK-ja, ngaqë herën e parë e kishte fituar në vitin 2019. Ndërkaq epiteti i futbollistit më të mirë 2022 në Superligë i takoi anëtarit të FC Ballkani, Armend Thaqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, para medieve…