Yje dhe orgazma

12 nëntor 08:43

Ridvan Dibra

Burri zbret nga shtrati në majë të gishtave (asht mëkat me ia prishë gjumin gruas) dhe del në ballkon. Ulet diku dhe ndez cigaren e radhës.

Nata e parë në atë hotel buzë detit dhe burri s’ngopet duke soditë qiellin përplot me yje. Detit të zi, poshtë, veçse ia hedh ndonjë shikim në të rrallë. Qielli asht diçka tjetër sonte. Për shembull, kupë e stërmadhe – mbushë me kokrra limoni. Kur qe: një yll ndahet shokësh, këputet e bie, duke lënë pas një vazhdë të ndritshme porsi përrua argjendi. Mbas tij, edhe një tjetër. Edhe një… edhe një… Provon t’i numërojë yjet që bien, por i duket gati e pamundur. Ndodh që dy yje këputen njëherësh dhe vazhdat e tyre kryqëzohen njëra me tjetrën.

Burri sodit e sodit i mrekulluar spektaklin kozmik kur, befas, diku aty pranë, ndoshta në dhomën ngjitur, dëgjohet një klithmë e mprehtë dhe disi e zgjatur femre. Thua se e kishte kafshuar gjarpri. Burri ka aq përvojë sa për ta kuptuar se ajo klithmë lidhet thjesht me një orgazëm (ndoshta të shumëfishtë). Qesh dhe prapë ia hedh sytë qiellit me yje. Nuk vonon dhe këputet një tjetër yll. Pa u tretur mirë ai, dëgjohet prapë një klithmë femre. Apo dy? Kësaj radhe, duket sikur vijnë nga kati i sipërm. Pa u shuar mirë ato klithma, një tjetër yll që bie… prapë klithmë… yll që bie… klithmë… yll… klithmë… klithma… yje…

***

Tamam atëherë burri provon një dilemë të vërtetë ekzistenciale:

Çka të numërojë?

Yjet që këputen e bien nga qielli?

A orgazmat që shpërthejnë përreth?

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autor: Dino Buxati  E përktheu: Zija Çela   Asaj i…