Ymer Alushani, luani i Grykës së Llapushnikut

23 korrik 2019 | 14:53

Shkruan: Zeqir Bekolli – Përvjetori i Ymer Alushanit –

Nën shpatet e vargmaleve të Berishës, aty ku fusha bashkëngjitet me bjeshkën, jeton familja Alushani nga Komorani i Drenicës e cila me veprimtarinë patriotike i krijoi një histori të lavdishme vetes, që do të bartet brez pas brezi.

Lavdia e kësaj familjeje, me një origjinë të lashtë, do të jetë e pranishme sa herë që historia jonë do t’i kthehet kujtesës. Të parët e Alushanëve flitet se kanë ardhur nga Lushnja e Shqipërisë. Muharremi, babai i Ymer Alushanit-“Vogëlushit”, ka qenë një burrë i njohur në Drenicë. Për shkak të lidhjeve që pati me grupin patriotik të Berishëve, i udhëhequr nga Rifat Berisha, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në vitin 1952, dënohet me 20 vjet burgim të rëndë, të cilat do t’i mbajë në burgjet e Serbisë dhe në ishullin e Goli Otokut të Kroacisë, i njohur për tortura çnjerëzore.

Regjimi i Titos i shoqëruar nga krimineli serb Aleksandër Rankoviqi në vitet e ’60-ta po bënte tortura të nduarnduarta mbi popullatën në Drenicë. Familja Alushani asokohe ishte e privuar nga të gjitha të drejtat duke filluar nga e drejta e votës e deri tek ajo e qarkullimit. UDB-a pareshtur bastiste shtëpinë e kësaj familjeje, kurse bashkëfshatarët një periudhë të gjatë kohore e kishin të ndaluar nga regjimi të shkelnin në truallin e Alushanëve. Nëse dikush nga anëtarët e familjes Alushani ka pasur nevojë të shkojë diku, këtë ka mundur të bëjë vetëm me leje speciale.

Rënia në burg e Muharremit për familjen Alushani ishte një goditje e madhe. Ymeri ishte fëmija i dytë që u lind, më 23 shtator 1964. Kujt do t’i shkonte ndër mend aso kohe, që pikërisht ky djalosh 36 vjet më vonë do të hakmerrej ndaj pushtuesit për vuajtjet e popullit dhe të familjes së tij dhe me shembullin personal do të bëhej simbol i qëndresës.

Ymeri pas mbarimit të tetëvjeçares do t’i ndjekë mësimet e mesme në Gjimnazin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Drenas, në të njëjtën periudhë aktivisht merret me muzikë në ish-ShKA “Zëri i Rinisë” të Bushatit. Frymëzimet e tij ai më pastaj do t’i derdhë në këngë. Pothuaj nuk kalonte natë, që Ymeri të mos këndonte këngën me përmbajtje patriotike “Oj Shqipni mos thuaj mbarova”.

Ymeri ishte i apasionuar pas armëve. Që nga shkolla e mesme ai revolen nuk do ta hiqte nga brezi, ngaqë ishte i bindur se një ditë do të vinte koha kur edhe ai bashkë me moshatarë do t’i kundërviheshin me armë pushtuesit në vijën e parë të zjarrit.

Ymeri kontaktonte me komandantin legjendar Adem Jashari

Kur ndodhi shthurja e ish-Jugosllavisë dhe nisën lëvizjet e para të rezistencës në Drenicë, menjëherë pas viteve të ’90-ta, Ymer Alushani do të kontaktojë edhe me komandantin legjendar Adem Jashari për çështjen e grumbullimit të armëve. Se Ymeri ishte në përpjekjet e para të rezistencës ekzistojnë dëshmi dhe dëshmitarë të cilët pohojnë se Ymeri luftën dhe rezistencën e armatosur e shihte si njërën nga rrugët që Kosovën do ta nxirrte përfundimisht nga pushtimi serb.

Në përpjekjet e para të viteve të ’90-ta të gjitha grupet ilegale të interesuara që nëpërmjet rezistencës së armatosur të çlironin Kosovën, tek Ymeri kishin mbështetur besimin dhe ndihmën e tij njëkohësisht. Bazuar në traditën e tij familjare, këto grupe nëpërmjet Ymerit mendonin të armatosnin popullatën në mënyrë që më pastaj t’i kundërviheshin pushtuesit. Mirëpo, kur pushtuesi i ra në gjurmë kësaj veprimtarie të “Vogëlushit”, do ta bëjë rrethimin e shtëpisë dhe arrestimin e tij më 1992. Edhe pse do të kalojë nëpër një varg torturash, Ymeri do t’u bëjë ballë të gjithave dhe për asnjë çast nuk të tregojë për shokët. Kjo qëndresë e tij ndikoi që të mos ç’thurej zinxhiri i lidhjeve me të cilët bashkëpunonte Ymeri.

Rezistenca e parë në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, ishte sinjal i qartë se Drenica do të ngrehte krye kundër pushtuesit. Komandanti legjendar Adem Jashari me këtë rezistencë u bë frymëzim edhe për Ymerin dhe shokët e tij. Armët që i posedonte atë periudhë Ymeri llogariteshin për armatimin e një togu ushtarësh.

Fundi i vitit 1997 dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin ndër shenjat më serioze që paralajmëronin se përleshjet e drejtpërdrejta me pushtuesin do të shpeshtoheshin. Luftimet në Qafëmalin ndërmjet Rrezallës së Re dhe Rakinicës dhe qëndresa mbinjerëzore e Jasharëve më 28 janar, e veçanërisht më 5, 6, 7 dhe 8 mars të vitit 1998, lëkunden zemrat e mbarë shqiptarëve anekënd trojeve etnike dhe në mërgim.

Në mesin e të rinjve që nuk po pajtoheshin me dhunën dhe terrorin që po ushtronte regjimi gjakatar i Millosheviqit, ishte edhe Ymer Alushani që gjatë luftës do ta marrë nofkën “Vogëlushi”. Ai kishte kohë që i përcillte nga afër ngjarjet, që zhvilloheshin në Drenicë dhe anekënd Kosovës. Shpeshherë nga shtëpia dilte natën dhe nuk kthehej deri në orët e hershme të mëngjesit. Dhe për këtë askujt nuk i thoshte asnjë fjalë.

Rënia heroike e Jasharëve i kishte kaluar kufijtë e durimit të tij. Krismat e mëngjesit të 9 majit të vitit 1998, Ymerin e gjejnë në Grykën e Llapushnikut, krah për krah me luftëtarët e lirisë në pozicionet e Grykës dhe prej atyre çasteve nga supet nuk do ta heqë automatikun dhe uniformën ushtarake.

Në betejën e 10 dhe 11 majit 1998, Ymeri do të tregohet mjaft aktiv në luftimet që ndodhen në Grykë dhe për humbjet që iu shkaktuan pushtuesit. Ishte ndër më të merituarit për suksesin që shënoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës për ndërprerjen e aksit rrugor Prishtinë – Pejë për tre muaj me radhë.

Plagosja në betejën e Rahovecit

Pa vonuar vijat e frontit po zgjeroheshin. Në Rahovec forcat e pushtuesit kishin shtuar dhunën. Atje, si gjithkund, kur e kërkonte nevoja, u gjend edhe “Vogëlushi”. Në përleshjet e drejtpërdrejta me forcat e armikut merr plagët e para të lirisë.

Në secilin aksion “Vogëlushi” do të jetë ndër të parët. Ndërsa kur ndihej nevoja për armatim, ai në krye të kolonës disa herë do t’i përballojë bjeshkët e Pashtrikut për të hyrë në Shqipëri, në bazat e UÇK-së, për t’u furnizuar me armë.

Për tre muaj me radhë, në Grykën e Llapushnikut, “Vogëlushi” do të bëhet një ndër bedenat e pakapërcyeshëm që nuk do të lejonte për asnjë çast të kalonte çizme e ushtarit dhe policit serb nëpër Grykë. U krijua përshtypja se ai ishte i lindur për beteja. Me gatishmërinë e tij do të marrë pjesë në betejat që ndodhen në Grykë të Carralevës, në Fushticë, Luzhnicë e gjetiu.

Lufta po përhapej anekënd Kosovës. Radhët e UÇK-së po shtoheshin dita-ditës. Pushtuesi pas vrasjeve të civilëve në fshatin Paklek i Ri kishte bërë planet për ta sulmuar Grykën e Llapushnikut, që mbahej mbyllur për tre muaj me radhë. Pushtuesi kishte organizuar sulmin nga drejtimi i udhëkryqit të Komoranit, duke futur në funksion bazat ushtarake në Golesh, Çukë, në stacionin e radios afër udhëkryqit të Komoranit, bazën policore ushtarake në fabrikën e “Ferronikelit” dhe një arsenal të madh të artilerisë, tankeve dhe këmbësorisë dhe një vijë sulmi prej tri kilometrash.

Pas një dyluftimi te vendi Palanat e Fushticës, ku u ndeshën ballë për ballë pjesëtarët e UÇK-së dhe forcat ushtarake serbe, më 25 korrik, të nesërmen, pushtuesi me forca të shumëfishuara, në orët e hershme të mëngjesit mësyu Grykën e Llapushnikut në përpjekje për ta hapur rrugën. Ai kishte përgatitur edhe një vijë fronti nga ana e Malishevës dhe e Kijevës.

Ymeri qëndronte në pozicione sepse më parë kishte dhënë betimin se për të gjallë nuk do t’i lëshonte forcat serbe të kalonin nëpër Grykë. Armiku kësaj here ishte përgatitur shumë, ngaqë ishte i bindur se me luftëtarët e lirisë siç ishte Ymer Alushani nuk do ta kishte të lehtë. Kështu në orët e hershme të mëngjesit të 25 korrikut kishte nisur drejt Grykës me arsenal të madh të mjeteve të blinduara, ushtarë e policë të panumërt, kurse në sulme, pos tankeve, kishte përdorur edhe sistemin raketor.

Sulmi dhe rezistenca në Grykë zgjatën mbi 33 orë. Nuk kishte lloje të armëve, që nuk përdori armiku mbi pozicionet e ushtarëve të UÇK-së, madje edhe armë kimike. Në mëngjesin e 26 korrikut, kur armiku kishte nisur tanket drejt pozicioneve të UÇK-së, Ymeri disa herë kishte shkrepur mbi mjetet e blinduara. Veprimi i tij iu ngjante luftëtarëve të lirisë, si Mic Sokoli e Hamëz Jashari. Ashtu si këta viganë të lirisë, me gjoksin e tij do ta ndalë marshimin e mëtejmë të tankeve serbe nga ai drejtim ku rezistonte.

Lajmi për rënien e “Vogëlushit” u përhap anekënd atdheut. Pikëllimi ishte i papërshkruar si në radhët e familjes, bashkëluftëtarëve ashtu edhe të mbarë shqiptarëve, sepse ai tashmë ishte bërë simbol qëndrese. Kosova e humbi njërin prej luftëtarëve më të devotshëm për çështjen e atdheut.

Trupi i “Vogëlushit” prehet në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Kleçkë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Chelseat e fitoi ndeshjen miqësore ndaj Barcelonës (2-1),…