Ymeri: Drenica e ka vendin në Superligë

01 korrik 2020 | 15:03

Arion Ymeri ka thënë për “Epokën e re” se Drenica ka skuadër cilësore dhe kjo do t’i mundësojë pa problem për mbetjen në IPKO Superligë.

Portieri i Drenicës, Arion Ymeri, është optimist se klubi kuqezi nuk do të rrezikohet nga rënia në Ligën e Parë pasi në radhët e veta ka futbollistë cilësorë që do t’i ndihmojnë në mbetjen në IPKO Superligë.

Portieri ka thënë për “Epokën e re” se Drenica duhet t’u qaset ndeshjeve të ardhshme me seriozitet më të madh. “Rreziku ekziston, por e mira është se ende kemi katër pikë para zonit të rrezikshëm dhe, pavarësisht prej kundërshtarëve që i kemi, ne duhet t’u qasemi lojërave një nga një dhe të fitojmë sa më shumë pikë kur kanë mbetur edhe gjashtë. Besoj fuqishëm në bashkëlojtarët e mi sepse të gjithë kanë cilësi dhe ky ekip, me kualitetin që ka, normalisht se nuk meriton rënien nga Superliga”, ka thënë Ymeri.

Një fakt interesant që e ka përcjellë skuadrën kuqezi është se rezultatet pozitive i ka regjistruar si mysafir, derisa si vendës në ndeshjet e fundit ka çaluar duke humbur ndaj rivalëve në garën për mbijetesë. Ymeri ka shprehur mendimin se këto dështime nga Klubi i Drenicës kanë ardhur edhe si pasojë e nënçmimit të kundërshtarëve. “Si mysafirë në tri lojërat e fundit i kemi pesë pikë nga kundërshtarë të fortë siç janë Ballkani, Llapi, Feronikeli, por me kundërshtarë direkt që kemi për mbijetesë si Flamurtari dhe Trepça ’89, kemi pritur ta kemi më të lehtë, por na ndodhi e kundërta dhe u vlerësua se për të fituar një ndeshje duhet të jepet maksimumi. Ndoshta i kemi nënvlerësuar këta kundërshtarë dhe kjo na ka kushtuar”, ka deklaruar ai.

Ndeshjen e radhës në Superligë, Drenica e zhvillon kundër Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri”. Për këtë ndeshje portieri kuqezi ka shprehur optimizëm se mund të nxirret një rezultat pozitiv. “Në Prishtinë do të shkojmë shumë të motivuar për rezultat pozitiv sepse duhet të reagojmë nga kjo humbja e fundit që në të vërtetë ishte shumë e dhimbshme për ne. Drenica nuk dorëzohet para asnjë kundërshtari dhe synojmë pikë në përballjen e radhës”, ka përfunduar Ymeri.

Aktualisht Drenica zë pozitën e tetë me 35 pikë të grumbulluara, kurse ky klub arriti edhe deri në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës ku u eliminua nga Prishtina.

(Veton ZYMBERI)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në bazë të një vendimi të Qeverisë së Kosovës, Agjencia…