Ymeri i kundërpërgjigjet Kurtit: Kur ishim ‘sindikalistë të PAN-it’ na ke mbështetur për greva

25 shtator 2022 | 14:41

Sipas të gjitha gjasave, as nesër nuk do të fillojë mësimi në shkollat e Kosovës, të cilat janë në grevë, me kërkesën e mësimdhënësve që t’i marrin nga 100 euro shtesa në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave.

Se mund të ketë vonesa e ka thënë edhe nënkryetari i SBAShK-ut, Ymer Ymeri.

“Për këto vendos (nisjen e mësimit) Këshilli Grevist i BSPK-së, por ne nuk kemi asnjë lajm, asnjë indikacion apo asnjë shkëndijë që do të ketë ndonjë marrëveshje për ta ndërprerë grevën”, ka thënë për “Express”.

Ai ka thënë se ende nuk kanë ftesë për takim nga qeveria.

Më tutje, Ymeri është kundërpërgjigjur edhe ndaj deklaratave të sotme të kryeministrit Kurti, i cili i quajti ata “sindikalistë të PAN-it”.

“SBAShK-u i ka 25 mijë e 300-400 sindikalistë. Këta sindikalistë në kohën kur koalicioni PAN ka qenë në qeveri e kryeministër ka qenë Ramush Haradinaj, kanë bërë grevë 3 javë për të drejtën e Ligjit të Pagave, e din opinioni krejt. Në atë kohë kur këta sindikalistë kanë bërë grevë kundër qeverisë Haradinaj për t’i realizuar të drejtat e veta, kryeministri i tanishëm, atëherë në opozitë, Kurti ka qenë gjithmonë krah i këtyre grevistëve dhe e ka përkrah grevën 3 javore që në atë kohë e kanë bërë të njëjtit sindikalistë, që ai sot po i quan si të PAN-it”, ka thënë Ymeri.

Ai ka thënë se nëse Kurti mendon që me këto deklarata mundet të bëjë përçarje në sindikatë ose të tentojë të ndërrojë udhëheqësit, sipas Ymerit, “qasja e tij është shumë e gabuar”.

“Nëse Kurti mendon që me këto deklarata  mundet me bërë përçarje në sindikatë ose mundet eventualisht me tentuar m’i ndërruar udhëheqësit, të cilët në këtë rast e kanë Jasharajn, qasja e tij është e shumë e gabuar se në këtë mënyrë nuk gjendet zgjidhja për ta ndërprerë grevën, por i thellon edhe më tepër diferencat”, ka thënë  ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ushtari i UÇK-së dhe aktivisti shqiptar në Amerikë, Uk Lushi,…