Ymeri: Serbia mbetet problemi kryesor për mosintegrimin e serbëve të Kosovës

10 dhjetor 2018 | 15:07

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri, duke iu referuar ndalimit të deputetit serb, Sllobodan Petroviq nga autoritete serbe në kufi, ka thënë se Serbia mbetet shkaktari kryesor i mosintegrimit të serbëve në jetën politike dhe institucionale të Kosovës.

“Rrëfimi i deputetit Sllobodan Petroviq për trysninë e ushtruar ndaj tij nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë është shqetësues. Ndaj kësaj duhet të reagojmë. Jo vetëm pse Serbia po vazhdon me kërcënimin, shantazhin dhe dhunën ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por edhe për shkak të qëllimit politik të kësaj lloj trysnie. Dhe ky nuk është rasti i vetëm: në të njëjtin drejtim janë edhe rastet e kërcënimeve të shumta ndaj pjesëtarëve të FSK-së të cilët janë detyruar ta lëshojnë vendin e punës”.

“Këto raste dëshmojnë se Serbia ka qenë dhe mbetet problem kryesor dhe shkaktari i mosintegrimit të serbëve në jetën politike, ekonomike e shoqërore të Kosovës. Sepse kështu, dhe vetëm kështu, Serbia mund t’i instrumentalizojë ata për qëllimet e veta politike. Në këtë pikë shihet qartë që interesat e Serbisë në Kosovë janë të kundërta, madje përjashtuese, me interesat e serbëve të Kosovës. Këta të fundit edhe kanë, por edhe kanë filluar ta shohin, interesin e tyre qytetarë në integrim e jetesë të përbashkët. Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Dhe duhet të marrë përgjegjësi për mbrojtjen dhe mirëqenien e të gjithëve. Secila trysni, secili kërcënim, secili akt dhune, ndaj cilitdo qytetarë të Republikës së Kosovës është shqetësues, dhe duhet të jetë i papranueshëm”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e vet në “Facebook”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një Gjykatë në Serbi e ka dënuar me 15 vjet…