Zaberxha refuzon Llapin dhe Vëllaznimin

26 dhjetor 2018 | 19:36

Ish-sulmuesi i Hysit, Enis Zaberxha, ende nuk ka vendosur se ku do të luajë në pranverë. Ai për “Epokën e re” ka bërë me dije se ka refuzuar dy skuadra të IPKO Superligës dhe një skuadër të Ligës së Parë.

Futbollisti Enis Zaberxha është një nga sulmuesit më të mirë në futbollin e pasluftës. Pavarësisht se vitet po ecin, interesimi i klubeve nga rangu elitar dhe ai i Ligës së Parë për sulmuesin këmbëshpejtë mbetet i pandryshuar. Zaberxha në gjashtë muajit e kaluar ka luajtur për skuadrën e Trepçës, kurse tash ende nuk ka vendosur se ku do ta vazhdojë karrierën. Ai për “Epokën e re” ka thënë se fillimisht do të bisedojë me klubin nga Mitrovica dhe më pas të vendosë për të ardhmen. “Kam pasur kontratë vetëm për gjashtë muaj me Trepçën dhe tash jam lojtar i lirë. Fillimisht do të bisedoj me kryesinë e kësaj skuadre për ta parë ofertën dhe ambiciet e tyre për pranverë e më pas do të vendos për të ardhmen”, ka deklaruar Zaberxha.

Pas përfundimit të sezonit vjeshtor, Zaberxha është kontaktuar nga tri klube, dy të IPKO Superligës dhe një nga Liga e Parë. Ai ka nuk ka hezituar t’i tregojë edhe emrat e këtyre skuadrave dhe arsyen pse i ka refuzuar. “Kam pasur oferta nga Llapi dhe Vëllanzimi i Gjakovës si dhe nga KEK-u, por dy të parat i kam refuzuar për shkak të largësisë. Vendi i punës po me penalizon për ta zgjedhur ofertën më të mirë”, ka thënë Zaberxha.

Skuadra e Trepçës e mbylli sezonin vjeshtor në pozitën e shtatë me 24 pikë, shtatë pikë më pak se skuadrat që pozicionohen në vendet që luajnë në barazh. Lidhur me rikthimin e mundshëm në Superligë të Trepçës, Zaberxha ka deklaruar: “Me këtë fond të futbollistëve nuk mund të luftojë as për pozitat që dërgojnë në barazh, por nëse përforcohet me katër ose pesë futbollistë do të bëjë një gjë të tillë pa asnjë problem, pse jo edhe të rikthehet në Superligë”.

Enis Zaberxha gjatë karrierës së pasur futbollistike ka luajtur për Hysin, Llapin, KEK-un, Trepçën dhe Drenicën.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieri britanik Anthony Joshua, kampion i botës në peshën e…