Zaimi i LV-së për deklaratën e Abrashit: S’mund ta na mbajnë ligjërata patriotike ata që e rrëzuan qeverinë

31 maj 2020 | 14:36

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, i është kundërpërgjigjur sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arban Abrashit, rreth hapjes së kufirit me Shqipërinë.

Abrashi  në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se është e pakuptimtë që Kosova të mos e hapë kufirin për Shqipërinë, kur kjo e fundit ka vendosur që kufirin me Kosovën do e hapë nesër (1 qershor).

Mes tjerash Abrashi ka thënë se çuditërisht avokuesit e bashkimit kombëtar janë larguar me Shqipërinë dhe janë afruar me fqinjët tjerë.

“Meqë Shqipëria ka vendosur ta hapë kufirin për Kosovën prej të hënës (nesër), është e pakuptimtë që Kosova të mos e hapë kufirin për Shqipërinë. Për bashkëpunim ndërshtetëror dhe kombëtar, duhen veprime konkrete e jo propagandë populiste. Çuditërisht, avokuesit e bashkimit kombëtar janë largu me Shqipërinë, e janë afruar me fqinjët tjerë!”, ka shkruar Abrashi.

“Klan Kosova” ka kontaktuar me Arbër Zaimin, i cili ka deklaruar se LDK-ja s’mund t’ju jap ligjërata patriotizmi.

Zaimi ka treguar se sot pritet që Ministria e Shëndetësisë të jap një vendim për shfuqizimin e ndalimit të udhëtimeve për në Shqipëri.

“Sot pritet të procedohet nga Ministria e Shëndetësisë një vendim për shfuqizimin e disa kufizimeve, midis tyre dhe ajo për udhëtimet në Shqipëri”.

“Deklaratën e Arban Abrashit nuk e kam parë, dhe uroj të mos jetë shprehur kështu. Vendimet për vendosjen e masave kufizuese apo për lehtësimin dhe heqjen e tyre, nuk janë politike por janë te udhëhequra nga parimet e shkencës mjekësore dhe epidemiologeve të IKShPK-së”, ka thënë Zaimi.

Zaimi ka theksuar se kufijtë mes Kosovës e Shqipërisë do të hapen, por personat që bëjnë deklarata të tilla e kanë hallin se si ta mbulojnë reciprocitetin ekonomik e tregtar të vendosur me Serbinë.

“Fatmirësisht kufijtë mes Kosovës e Shqipërisë do të hapen, por fatkeqësisht ata që bëjnë deklarata të tilla e kanë hallin se si të mbulojnë reciprocitetin ekonomik e tregtar të vendosur në raport me Serbinë”.

“Nuk mund të japin ligjërata patriotizmi subjektet të cilët e rrëzuan qeverinë veç për shkak se nuk pranoi asnjëherë ta hiqte taksen para se të vendoste reciprocitetin me Serbinë”, ka thënë Zaimi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arabia Saudite ka rihapur xhamitë të dielën për herë të…