Zelensky akuzon SpaceX për kufizimet në rrjetin Starshield: Po pengohet mbrojtja e Ukrainës nga dronët rusë

15 nëntor 2026 | 08:54

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vënë në pikëpyetje kufizimet e vendosura në rrjetin satelitor Starshield të kompanisë SpaceX, duke akuzuar kompaninë e Elon Musk se po e keqinformon Kievin lidhur me arsyet e këtyre masave.

Zelensky tha të enjten se forcat ukrainase po përballen me kufizime në përdorimin e shërbimit, pasi terminalet në zonat e pushtuara nga forcat ruse janë kufizuar në një shpejtësi maksimale prej 161 kilometrash në orë.

“Këto kufizime janë në fuqi prej pesë ditësh. Na thonë se bëhet fjalë për një lloj problemi teknik. Ne nuk besojmë se është kështu”, deklaroi presidenti ukrainas në komentet e publikuara të shtunën dhe të raportuara nga disa media.

Sipas Zelenskyt, kufizimet po ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e Ukrainës për të interceptuar dronët sulmues rusë me motorë reaktivë. Ai e ngriti këtë çështje edhe gjatë një fjalimi në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Dublin, në fillim të kësaj jave.

“Nëse dikush në Amerikë merr vendime që, në thelb, e trajtojnë territorin ukrainas sikur të mos jetë ukrainas, atëherë kjo na tregon se në çfarë drejtimi po shkojnë gjërat”, tha ai.

Të premten, Zelensky shtoi se Kievi nuk kishte marrë “asnjë shpjegim të qartë” për kufizimet, transmeton Telegrafi.

“E kam udhëzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës që të intensifikojnë kontaktet me Departamentin amerikan të Shtetit, Pentagonin dhe SpaceX-in, për të marrë sqarime dhe për ta zgjidhur situatën”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Rrjeti Starshield ka luajtur rol të rëndësishëm në operacionet ushtarake të Ukrainës kundër forcave ruse, duke siguruar internet dhe komunikim të qëndrueshëm në fushëbetejë.

Ndërkohë, Zelensky bëri të ditur se Uashingtoni kishte ngritur mundësinë që Ukraina të heqë dorë nga territore në favor të Rusisë, në këmbim të anëtarësimit në NATO, ndërsa po vazhdojnë përpjekjet për përshpejtimin e negociatave të paqes.

“Amerikanët ngritën një pyetje: ‘Po sikur Ukraina të anëtarësohej në NATO? A do të tërhiqej Ukraina nga Donbasi?’ Kjo ishte hera e parë që u ngrit një çështje e tillë”, u tha Zelensky gazetarëve të premten, në komente të publikuara të shtunën, sipas agjencisë AFP.

Ai shtoi se Ukraina po diskuton garanci konkrete të sigurisë nga NATO dhe Bashkimi Evropian. Sipas tij, nëse vendet perëndimore i konfirmojnë këto kushte, ai do t’i drejtohet qytetarëve ukrainas për të marrë mendimin e tyre.

“Unë nuk kam të drejtë ta marr këtë vendim i vetëm”, deklaroi presidenti ukrainas.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Vetëm tetë inspektorë janë aktualisht të angazhuar në sektorin e…