Zëvendëskryeministri Bislimi: Në Bruksel s’u diskutua për dinarin apo Rregulloren e BQK-së

20 mars 2024 | 22:20

Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministër i Kosovës, ka thënë se në takimet e së martës në Bruksel me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç, dhe Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, nuk është diskutuar rreth dinarit serb apo rregullores së Bankës Qendrore të Kosovë, por rreth zbatimit të rregullores, e cila ndalon valutën serbe për pagesa në territorin kosovar.

Këto komente, Bislimi i ka bërë gjatë një takimi që ka pasur me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier.

“Sa i përket rregullores së BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin që diskutimi nuk është zhvilluar rreth dinarit apo rregullores, e cila nuk është çështje për diskutim apo kontestim, por rreth mënyrës së zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Aty theksohet se Bislimi e ka informuar ambasadorin amerikan edhe mbi atë se çfarë u trajtua në takimet në Bruksel, “fokusi i së cilës ishte Marrëveshja Bazike dhe Aneksi Implementues i Ohrit dhe formalizimi sa më i hershëm”.

“Ai shtoi se për ne marrëveshja është valide në tërësinë e saj, gjë të cilën ambasadori Hovenier e konfirmoi nga pozicioni i tij. Njëkohësisht, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin se delegacioni i palës tjetër, ritheksuan gjatë takimeve të djeshme qëndrimin e Serbisë kundër zbatimit të marrëveshjes dhe rrjedhimisht edhe formalizimit të saj”, theksohet në njoftim.

Bëhet me dije se në takimin mes Bislimit dhe Hovenier-it janë trajtuar edhe një sërë temash të tjera që janë diskutuar gjatë takimit të djeshëm, duke përfshirë artefaktet që Serbia duhet t’i kthejë Kosovës, si dhe shkeljet që po i bëjnë në disa marrëveshje si ajo e energjisë dhe telekomunikacionit, apo në rastin e tentimeve të vazhdueshme të bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, “për çka ambasadori Hovenier shprehu qëndrimin e SHBA-së kundër tentativave të tilla”.

Çka ndodhi?

Deri të premten (22 mars) Kosova dhe Serbia do të dërgojnë propozimet e tyre lidhur me dinarin, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e kësaj valute për pagesa në territorin kosovar, ndërsa të hënën do të mbahet takimi i radhës në nivel kryenegociatorësh.

Këto janë deklaratat kryesore që dolën pas cikleve të takimeve që u mbajtën të martën në Bruksel, në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, atij serb Petar Petkoviç, dhe Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak.

Fillimisht, pas takimit trepalësh [Bilimi-Petkoviç-Lajçak], kryenegociatori i palës shqiptare të Kosovës njoftoi për afatin që palët kanë për të dërguar propozimet e tyre në kryeqendrën evropiane, aty ku fasilitohet dialogu, për dinarin.

“U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim”, deklaroi Bislimi.

Bislimi ka theksuar se në takimin që pasur me Petkoviç-in dhe Lajçak-un, pala serbe ka thënë se nuk e njeh Marrëveshjen Bazike, pasi që, sipas tij, kryenegociatori serb ka deklaruar se për shtetin që ai përfaqëson marrëveshja është problematike.

“Ne në vazhdimësi duam të dëgjojmë edhe nga pala serbe se a kemi marrëveshje dhe a jemi të përkushtuar ta zbatojmë. Kryenegociatori serb iu bishtnua përgjigjes disa herë, në fund tha se për Serbinë është problematike marrëveshja pasi ka nene të cilat merren me statute, sidomos ato nene që tregojnë për respektimin e integritetit territorial, për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të ngjashme”.

“Në fakt, na u tha që Serbia nuk e njeh marrëveshjen si të tillë. Ai tha se për Serbinë është e pamundur të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën. Kur pastaj vetë pala serbe iu referua marrëveshjes së vitit 2013 të cilën e kanë nënshkruar, por Petkoviç-i tha se ne nënshkruajmë marrëveshje vetëm aty ku s’diskutohen statutet”, potencoi.

Ndërsa, kryenegociatori serb Petkoviç ka thënë se në takimin me Bislimin kanë biseduar për dinarin, por edhe për çështje të tjera si Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Petkoviç e ka cilësuar si pozitiv takimin, kur ka folur para gazetarëve menjëherë pas takimit.

“Gjëja e parë për të cilën këmbënguli delegacioni serb ishte Asociacioni si çështja më e rëndësishme, kryesore, e cila mbi të gjitha ka të bëjë me fatin dhe të ardhmen e popullit serb në Kosovë”, tha Petkoviç.

“Një çështje tjetër e rëndësishme për të cilën kemi insistuar është çështja e dinarit, duke pasur parasysh vendimin e njëanshëm të Prishtinës për heqjen e dinarit, si dhe përfitimet sociale dhe tarifat shkollore të qytetarëve serbë që marrin këto mjete nga Serbia”, ka deklaruar ai.

Nga ana tjetër, Lajçak, pas takimeve, ka njoftuar se të hënën (25 mars) do të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh.

Këtë Lajçak e ka njoftuar përmes një postimi në platformën X, ku ka bërë me dije se në takimet e së martës është diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), si dhe çështja e dinarit.

“Prita dy kryenegociatorët për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe çështje të tjera, përfshirë ndikimin e vendimit në operacionet me para. Ne ramë dakord që të vazhdojmë me këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa Marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët”, ka shkruar Lajçak.

Ky është takimi i dytë që organizohet nga BE-ja për çështjen e dinarit. Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt 2024 në kryeqendrën evropiane, por përfundoi pa rezultate konkrete. Kosova refuzoi që të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideroi që dinari nuk duhet të jetë temë për dialog.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Golden Eagle Ylli ka vazhduar me formë të lartë në…