Zëvendëskryeministri Jevtiq kërkon përgjegjësi nga Qeveria për rastin e Gjuriqit

29 mars 2018 | 12:54

Zëvendëskryeministri dhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq, ka kërkuar përgjegjësi nga Qeveria e Kosovës për arrestimin e shefit  të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Në mbledhjen e qeverisë, ai ka thënë se kabineti qeveritar nuk ka marrë vendim për arrestimin e tij. “Ky nuk ka qenë vendim i Qeverisë, këtu nuk është marrë vendim. Kërkoj përgjigje në pyetje pse është përdorur dhunë në njerëz të cilët kanë ngritur duart kur kanë hyrë Policia? A ka ekzistuar mënyrë që të bëhet në formë tjetër? Do të doja të ishte këtu sot Rikallo, a keni pyetur se çfarë dhe pse i ka ndodhur Rikallos ajo? 32 njerëz janë lënduar atë ditë. Ata nuk kanë qenë të armatosur. Kanë pasur vetëm fletë dhe stilolapsa. Me lotsjellësin… kur ka qenë gazi në Kuvend ju kemi mbështetur që është i rrezikshëm. Policia e Kosovës ka gjuajtur pa asnjë arsye”, ka thënë Jevtiq.

Me pas, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ngjarja e të hënës është një sekuencë, duke i siguruar se nuk ka qenë e drejtuar kundër qytetarëve dhe ministrave.  “Kosova është e vendosur të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe jemi të interesuar që çështjet e mbetura të hapura të zgjidhen”, ka deklaruar Haradinaj.

Në këtë debat është inkuadruar edhe zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se ky vend ka një sistem kushtetues dhe rend juridik që duhet të respektohet.

“Kemi marrëveshje nga Brukseli që rregullon vizitat. As ne s’mund te shkojmë në Serbi pa e ekzekutuar këtë marrëveshje, as ndonjë zyrtar i shtetit serb pa qenë në përputhje me procedurat. Gjuriq nuk e ka respektuar asnjë procedurë të vetme. Vitin e kaluar ka hyre 5 a 6 herë në mënyrë ilegale. Veprimi nuk është kundër komunitetit serb, as kundër askujt, por që të respektohet rendi kushtetues”, ka thënë Hoxhaj, duke ftuar që Lista Serbe të mos mbetet instrument i politikes së Beogradit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së enjtes ka miratuar…