ZGALEMI KOSOVAR

17 dhjetor 2021 | 16:04

Shkruan: EDMOND ZHULALI-

Kompozitor, “Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut”

Shqipëria e Kosova për vite e vite të ndara, të martirizuara nga historia, të mallëzuara për njëra tjetrën; familje të ndara, sy të përlotur që shikonin tinëz nga të dy anët e kufirit. E vetmja që kalonte kufirin e që nuk mund ta ndalonte askush, ishte kënga. Sa gëzime, sa shpresë e sa dhimbje mbarte ajo mbi supet e saj të brishta. Por, ajo (kënga) kishte një emër, kishte një fytyrë, kishte një zë, kishte shpirtin e një populli që i fliste vetvetes së ndarë në copa. Dhe shkonin e vinin, e mbeteshin për të mos u kthyer më. Dhe, ato kishin një emër, kishin një zë.

E ndër shumë tinguj që fluturonin këndej nga Shqipëria, një ditë erdhi një zë i veçantë, për të cilin menduam së kishte qenë gjithmonë mes nesh! Ai ishte Ilir Shaqiri. Ishte zëri që kumbonte lart nga malet dhe fushat e Kosovës, që shkënditi zemrat e ndrydhura të shqiptarëve! Ai preku aty ku plaga ishte e madhe, mijëra vjeçare…, na zgjoi nga gjumi, na shtrëngoi fort, na ledhatoi, na përqafoi, duke na dhënë dritë e shpresë! Ishte një zë që vinte thellësisht nga historia, e na i kujtonte heronjtë e lavdishëm, na sillte thirrjet e tyre për tu zgjuar.

Ishte si një Zgalem, që çante retë e zeza të Kosovës e që nuk epej nga rrufetë që e godisnin pa pushim. I printe uraganit që po ndizej e ju fliste zemrave të përvuajtura në emër të atdheut, në emër të nenës Shqipëri!

Forca, ngrohtësia e zërit të tij buronte nga shpirti i paepur kosovar, duke përshkuar të dy anët e kufirit e duke na thënë: zgjohuni shqiptarë, së po vijnë ditë të mëdha…

Dhe erdhi dita që i shkulem telat me gjemba dhe u takuam!

Zgalemi, që fluturonte me zërin e tij mbi malet e larta, ishte thjeshtë një djalë i ri, si të gjithë ne. Dhe nuk do të ndalonte, përsëri ky zë do të fluturonte larg e më larg në çdo cep të botës andej nga bijtë e shqipes kishin ngre fole mbijetese në “kurbetin e zi”. Atje në Evropë, Amerikë e Australi, ai do tu çonte Kosovën e tyre të dashur, lotët e nënave që rridhnin e nuk pushonin dhe shpresën për një Kosovë të re! Dhe nuk vonoi. Rrufetë, që shekuj me radhë goditen tokën dardane u shkrumbuan bashkë me retë e zeza që ikën për të mos u kthyer më kurrë.

Një diell i zjarrtë lindi pas shumë shekujsh dhe e “pushtoi” tokën kosovare të larë me gjakun e mijëra bijve e bijave të saj, yje që shkëlqejnë në qiellin e kaltër, pa re!

Malet hoqën “barrën e rëndë” e diku në thellësinë e tyre endet i lirë një Zgalem, që na e sjell rrokullimën e gurëve sa herë që “retë e zeza” afrohen.

12 tetor, 2020

Tiranë

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka pritur të…