Zgjedhjet 2019: A do ta gëlltitë kush bretkosën?

28 gusht 11:55

Shkëlzen Maliqi

Për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 6 tetor partitë politike tashmë kanë filluar përgatitjet dhe po krijohen koalicionet parazgjedhore që do të përcaktojnë natyrën e garës. Kësaj here gara do të jetë, më gjasa, më ndryshe nga zgjedhjet e viteve 2013 dhe 2017. Pritet që ato të janë më rezultative, në kuptimin se vota nuk do të shpërndahet duke krijuar ngushtica që pengonin arritjen e mazhorancës dhe bllokonin punën e Kuvendit dhe të ekzekutivit. Në zgjedhjet e 6 tetorit pritet se subjektet politike shqiptare do të krijojnë mazhorancë të konsiderueshme për të bërê qeveri stabile pa e kërkuar mbështetjen shantazuese të Listës serbe.
Këtë konstatim e mbështes në rezultatet e sondazheve që janë bërë kohëve të fundit (nuk i kam bërë vetë, janë të organizatave tjera), si dhe në analizën e koalicioneve parazgjedhore tashmë të shpallura dhe atyre që po negociohen me qëllimin që të evitohen bllokadat si ato që në pesë vitet e fundit kanë ndikuar negativisht në qeverisje dhe zhvillimin e Kosovës.

Ndonëse materialet e sondazheve që i kisha në disponim nuk i konsideroj për burime absolutisht të sakta, (në to kam gjetur elemente kontradiktore dhe dyshime për “favorizime” dhe “disfavorizime” të subjekteve të caktuara politike), megjithatë, kam hetuar disa elemente të ngjashmërive që japin mundësi për konkludim se te elektorati i Kosovës po shfaqet trendi që sinjalizon rezultatin përmbysës më 6 tetor.

Hipoteza e parë për trendin është se në zgjedhjet e 6 tetorit, ndër subjektet politike shqiptare, do të kemi garën e pesë grupimeve që pak-a-shumë janë të formësuara, ndonëse ka edhe mundësi që ato të ngjeshën ose të rigrupohen në dy ditët e ardhshme para përfundimit të afatit për paraqitjen e tyre në KQZ. Këto subjekte janë: LDK, LVV, PDK, AAK + PSD dhe Nisma + AKR.
Katër subjektet e para, si parti më vetë, ose të sforcuara me partnerë (parti të vogla me të cilat janë lidhur në koalicion), mund të garojnë duke llogaritur se secili subjekt gëzon përkrahjen e rreth 20 deri në 22 për qind të elektoratit të përgjithshëm shqiptar. Ndërkaq, subjekti i pestë, Nisma + AKR-ja, me gjasa e kanë përkrahjen e 8 deri në 9 për qind të elektoratit.

Kjo vlerë e katër subjekteve me përkrahje prej 20 – 22 për qind të elektoratit, është një rrumbullaksim i përafërt, ku më 6 tetor do të mund të ketë diferenca me plus ose minus prej 1 deri 1,5 për qind ndaj vlerës të parë aproksimative. Kjo do të thotë se, po e them këtë spekulativisht, LDK-ja më 6 tetor mund të dalë me 21 deri në 23 për qind, kurse AAK + PSD-ja të fitojë p.sh. 17 ose 18 për qind. Po kështu, mund të dalin vlera të përmbysura, LDK-ja me më pak se 20 për qind, kurse tjetri subjekt, me mbi 20 për qind..
P

oenta e këtij argumenti është se këto pesë subjekte do ta ndajnë 90 deri në 92 për qind të votava të shqiptarëve, duke jep përqindjet më të koncentruara dhe njëkohësisht edhe më decidive për arritjen e mazhorancës optimale për qeverisje e jo si më parë, afër pragut kritik të mazhorancës, ose nën te, që pastaj krijonte varësinë nga Lista serbe, qëllimet e së cilës kanë qenë destruktive ose shantazhuese të dirigjuara nga Beogradi.

Në kushtet më normale politike, ku nuk do të ekzistonin vijat e kuqe të bashkëpunimit dhe bashkëqeverisjes mes subjekteve me interesa dhe programe të ndryshme politike, partitë garuese që vlerësojnë dhe besojnë se mund të fitojnë dhe të dalin të parat duke garuar si të vetme në zgjedhjet, edhe çështja e koalicioneve do të mund të lihej për më vonë, pasi që të kryhen zgjedhjet. Por kjo te na nuk ndodh sepse partitë tona e kanë frikën nga gabimi si ai në zgjedhjet e fundit kur fatin e tyre e përcaktuan dy koalicionet e bëra më nguti dhe ad hok: njëra një ditë para afatit ligjor mes LDK-së dhe AKR-në, dhe tjetra 5 minuta para skadimit të afatit për regjistrim mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës (koalicioni PAN).

Kjo histori se si koalicioni PAN me dredhi ia hodhi LDK-së dhe AKR-së për të dalë subjekti më i votuar, dhe pastaj e grabiti ose bleu AKR-në për t’i bërë votat e mazhorancës minimale për qeverisje, edhe tani ka ndikim në tensionimin e momentit kritik të regjistrimit të subjekteve garuese në KQZ, sepse në dy ditët e ardhshme, më 28 dhe 29 gusht, mund të përsëritet skenari i koalicioneve të momentit të fundit.

Aktualisht duket sikur katër subjektet më të fuqishme preferojnë të garojnë ndaras, secila me shpresën se do të dalë subjekt më i votuar. Por, sherri sërish qëndron te mundësia e lidhjes së koalicioneve në moment të fundit. Andaj ditëve të fundit LV-ja dhe LDK-ja përpiqeshin që të bënin koalicion të madh fitues, si koalicion të numrave” qoftë edhe me një “program” të përbashkët jo edhe aq parimor, vetëm e vetëm që të mos përsëritet lançimi në mesnatë të afatit të një varianti të ri të koalicionit PAN, që do ta rifaktorizonte dhe mbante në pushtet PDK-në, ku p.sh. kjo tani nuk do të arrihej përmes Ramush Haradinajt, por Fatmir Limajt.

Ky rrezik edhe i ka bërë tepër vigjilent Isa Mustafën dhe Albin Kurtin, për të gjetur formulën e koalicionit të madh LDK – LV, i bazuar në ndarjen e pushtetit ekzekutiv, pushtetin ky që do të mund të arrihej pothuajse pa problem, nëse koalicioni do të ishte parazgjedhor.
Nëse LDK-ja dhe LV-ja megjithatë nuk e gjejnë formulën për kompromis programor, mbetet edhe opsion tjetër që njëri prej subjekteve, LDK-ja ose LV-ja, të heq dorë nga posti i kryeministrit, që nga të dy palët do të përjetohej si dorëzim vullnetar i primatit, një vendim që i ngjanë gëlltitjes së bretkosës.

Një tërheqje të tillë taktiko-strategjike, sipas meje, më parë do të mund ta bënte LVV-ja për shkak se struktura e saj është më autokratike, mundëson që për këtë akt të vendos vetë Albin Kurti pa e dëmtuar shumë autoritetin e vetë. Do të ishe një gjest që kuptohet si investim strategjik për të ardhmen.

A është kjo reale? Mbase është tepër të pritet gjest i tillë nga Kurti. Më gjasa ai nuk ka nxjerr mësime nga përvoja e çarjes me Shpend Ahmetin dhe fraksionin e LV-ja që kaloj te PSD-ja, sepse edhe në këtë rast molla e sherrit ka qenë posti i kryeministrit. Kurti me përkrahësit e tij kanë prirje që të fiksohen te simbolika e thjeshtëzuar e postit të kryeministrit, dhe jo te procesi politik ku autoriteti dhe pushteti real nuk shkon gjithnjë me postin, por me liderin dhe bartësin e ideve dhe projekteve.

LDK-ja ndërkaq, në këtë fazë, kur si parti nuk është e konsoliduar mjaftueshëm, sepse në proceset e fundit ka hasur në shumë vështirësi në bartjen e kompetencave tek brezat më të ri të politikanëve, gjithsesi e ka shumë më vështirë ta gëlltitë dorëzimin eventual të postit të kryeministrit Albin Kurtit. Kjo do të prishte bilancin delikat që i mbajti bashkë fraksionet e LDK-së. Me përzgjedhjen e Vjosa Osmanit si kandidate për kryeministre, LDK-ja ka bërë vetëm hapin e parë drejt transformimit dhe rinovimit. Po kështu, do të ishte gabim edhe nëse, siç po thonë disa, garda e vjetër e LDK-se po luan lojën me Osmanin për t’ia djegur karrierën, dhe se koalicioni, nëse arrihet, do të bazohej vetëm në kompromis dhe pazar të numrave, ku Vjosa Osmani shihet vetëm si një figurante kalimtare.

Në të vërtetë, nëse do të mendonte strategjikisht, për Kurtin do të ishte më e dobishme pozita e një eminence gri tek koalicioni që ashiqare do të ishte koalicion prej zorit anti Thaçi dhe anti PDK.
Duke hyrë në pushtet si dubletë, si i dyti me rang, por me pushtetin moral në prapavijë, dhe duke mos u ekspozuar si, mbase, kryeministrja në ardhje Vjosa Osmani, Albin Kurti nuk do të ishte i ekspozuar në mënyrë direkte presioneve të pashmangshme të ndërkombëtarëve dhe forcave vendore të interesuara për partneritet me SHBA-të dhe BE-në, të cilat presione edhe kanë qenë vendimtare për rrëzimin nga pushteti të Ramush Haradinajt.
Kurti do të fitonte më shumë kredita dhe përvojë për një karrierë të zgjatur politike si liderë i tipit modern dhe jo si prijës popullist dhe revolucionar në zbehje në kohën që nuk tregon shenja se është revolucionare.
(Marrë nga http://shkelzenmaliqi.com)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta,  ka pritur në një takim…