Zgjedhjet e jashtëzakonshme, në situatë të jashtëzakonshme, dështimet në parashikime

26 janar 2021 | 14:39

Behxhet Sh. SHALA -BAJGORA

Lëvizja Vetëvendosje: LV-ja llogaritet favorite për të fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme të datës 14 shkurt 2021. Edhe subjektet tjera politike, në heshtje janë pajtuar për këtë ndonëse publikisht, që të gjitha deklarojnë se do të jenë fituese. Albin Kurti, Xhingis Kani i LV-së tërë potencialin intelektual dhe politik e ka përqendruar për të siguruar një fitore bindëse, apo siç thotë ai, do t’i sigurojë shumicën e deputetëve shqiptarë e që i bie mbi 50 në mënyrë që ta ketë tërë pushtetin. E ka përpiluar një listë të cilën nuk do të ishte në gjendje ta bëjë as Hiçkoku, Agata Kristi, Spilbergu apo Quentin Tarantino.

Në atë listë i gjeni të gjitha profilet politike, parapolitike, intelektuale, konstruktive, destruktive, të qendrës, të majta, të djathta, të deklasuar, të rehabilituar, të hurit e të konopit, deri ta ata të Hamamit të Hyrës. E ka integruar listën e Vjosës, jo për t’u forcuar politikisht por për të fituar në aspektin psikologjik. Po bombardon me shifra, matematikisht të mundshme, logjikisht të pamundshme. Nëse, prej 100 deputetëve shqiptarë deklaroni se do t’i keni 61 atëherë e kemi një fenomen përtej optimizmit. Në planin e luftës psikologjike, Albin Kurti dhe LV-ja janë të pakonkurrencë. Tash, pas numrit të 61 deputetëve që do t’i fitonte LV-ja me Listën Anës Vjosës, anës Bunës, disi është krijuar një situatë kur shifra prej 50 deputetëve të LV-së po duket thuaja normale.

Me 51 deputetë të Vjosës dhe Bunës (Binit), pas një tregtie me pakicat dhe me, së paku 10 deputetë të AAK-së, ky koalicion pasgjedhor do të merrte tre poste kryesore, presidentin, kryeministrin dhe kryetaren e Kuvendit. PDK-ja dhe LDK-ja do të mbeteshin në opozitë. Realisht, LV-ja dhe Lista Vjosa do të dëshironin ta kenë partner LDK-në, të nënshtruar, të fyer, të poshtëruar dhe të qëruar nga Isa Mustafa, Agim Veliut dhe të tjerët e LDK-së që nuk pajtohen me ideologjinë dhe frymën e Haxhi Qamilit, të konvertuar në vendvendosës. Po, jam i bindur se skenari do të jetë ndryshe. Mendoj se LV-ja me Anës Vjosës i fiton afërsisht 38 për qind të votave, plus – minus,  marzha e gabimit. Po flasë për situatën tani, më vonë edhe mund të ndryshojnë përqindjet. Realisht, si përkrahës i LV-së, në kohën kur fasulja hahej kokërr për kokërr e që nga ajo kohë ka mbetur vetëm gjysma e akronimit, me sinqeritetin më të madh do të dëshiroja që LV-ja të fitojë 81 vota shqiptare. Këto janë arsyet:

1. LV-ja dëshiron të ketë tri poste kryesore. Këto vota ia mundësojnë këto pritje dhe synime.

2. Me 81 deputetë do të përjashtohej mundësia për shantazhim nga Lista Serbe dhe do të relativizohej maksimalisht roli i LS-së kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj sikur që do të shndërrohej vetëm në rregëzinë të Serbisë. Asgjë më tepër.

3. Me 81 vota, LV-ja do të ishte në gjendje të përfaqësojë Kosovën në bisedime me Serbinë, pa pasur nevojë për të tjerët, të arrijë një marrëveshje që mendon se është më e mira, të mos bëjë kompromis, të kalojë në Kuvend çdo marrëveshje ndërkombëtare dhe të tjera.

4. Me 81 vota në Kuvend të Kosovës dhe me tri poste në pronësi të LV-së, do të emëroheshin ambasadorë, do të emëroheshin apo shkarkoheshin gjykatës dhe prokurorë, si kusht, sipas LV-së për reforma të thella në të gjitha fushat dhe krijimit të kushteve për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar apo, siç kanë dëshirë ta thonë, ta çkapin shtetin dhe institucionet për t’i kapur vet!

5. Me 81 vota të LV-së dhe Anës Vjosës do të krijoheshin kushtet dhe mundësit që vendimmarrja për çdo gjë të jetë e këtij koalicioni dhe nuk do të mund të pengoheshin me asgjë nga të tjerët.

Këtë  e them me sinqeritetin më të madh dhe jo nga dëshira që të dështojnë sikur mund edhe të dëshirojë dikush. Sepse, dështimi do të na kushtonte të gjithëve ndërkaq dështakët e mundshëm do ta gjenin një shtegdalje. Por, sipas analizës sime nuk e shoh këtë zhvillim; Vjosa Osmani mund të jetë kryetare e Kuvendit, në rastin më të mirë. Nëse LV-ja i siguron 81 vota e që unë dyshoj shumë (pa koalicion me një apo dy parti shqiptare), atëherë tregimi ndryshon! Nëse LV-ja nuk i siguron, së paku 45 deputetë, do të ketë problem ta formojë edhe qeverinë. Nëse LV-ja e udhëheq qeverinë e Kosovës unë do ta përkrah çdo sukses të saj dhe nuk do t’i gëzohem aspak dështimit eventual. Mirëpo, duke e parë përbërjen e Listës së LV-së, i kam rezervat dhe dyshimet e sidomos gjuhën përjashtuese që po e përdorin. Shpresoj se ma kalimin e kohës do të ulen në tokën e bukës ndryshe, euforia e pakontrolluar apo edhe e menaxhuar mirë është biletë hyrës për një autokraci personale dhe anarki institucionale. Duket se Albin nuk e ka ndryshuar vetëm pamjen e jashtme. Uroj të jetë ashtu.

Lidhja Demokratike e Kosovës: Nuk ishte trajtuar asnjëherë si partner i barabartë nga LV-ja. Ishte një synim që “kalaja” e LDK-së të merret nga brenda, me Vjosa Osmanin e të cilës do t’i bashkëngjiteshin pastaj kuadrot e tjera të LDK-së. Realisht, niveli dhe kuadri më i fortë që po e ndjek Vjosën , ditë dhe natë, në shi dhe borë, në furtuna dhe situata të qeta është Haxhi Qamili. Thënë shkurt, largimi i Haxhi Qamilit nga LDK-ja është humbje e madhe, me pasoja katastrofike dhe të pariparueshme për ….Lidhjen  Demokratike të Afganistanit. E rëndë, vërtet e rëndë, por vdekja është edhe më e rëndë! Po të kishte shkuar Vjosa Osmani e vetme në zgjedhje dhe po të regjistrohej si nismë apo parti politike para 4-5 muajsh, jam i sigurt se do ta kalonte pragun zgjedhor, pa asnjë problem. Kështu, mund dhe do të ketë përfitime politike personale për një kohë, në planin afatgjatë do ta pësojë politikisht. Nëse LDK-ja në zgjedhjet e ardhshme shtrihet për toke dhe bie, sipas disa analistëve dhe nxënësve të Armend Mujës, shembylltyrë e një analisti të pavarur, në 10-12 për qind të votave e që është vetëm një “Ëndërr e një nate vere” e Anës Vjosës (Vjosa) dhe anës Bunës (Bini), atëherë Vjosën do ta keni në krye të një LDK-je të “reformuar”. Nuk e besoj, as në imagjinatën më të shëmtuar se LDK-ja bie nën për qind të votave. Besoj se do të jetë rreth 23 për qind të votave, gjykuar sipas Listës për deputetë që e ka ruajtur brumin partiak dhe substancën e LDK-së. Nuk ka parti që është ndarë më shpesh dhe më shumë se LDK-ja e që ka arritur ta ruajë substancën e partisë. LDK-në e kanë dëmtuar Nexhat Daci, Fatmir Sejdiu kurse tani po e vulosë tripletën e ndarjes, Vjosa Osmani. LDK-në e ka shpëtuar historia e saj, struktura e ashtëzuar organizative, anëtarësia e saj dhe thirrja në frymën rugoviste sikur edhe, për së vdekuri, Ibrahim Rugova. LDK-ja ka vota në shtretërit ku ka shumë votues kurse kutia ku merr më së shumti vota është varri i Ibrahim Rugovës. Varrin e Ibrahim Rugovës po e përdorin si kuti votuese edhe Vjosa, Albini dhe Ramushi. LDK-në e ka shpëtuar nga ndarja e madhe dhe mbase edhe nga shkapërderdhja, politikani më pragmatik dhe më i shkathët, për mua, në 6 vitet e fundit, Isa Mustafa. Mund edhe të mos pajtoheni por kjo është bindja ime. Isa Mustafa, përkundër që LV-ja përdori ndaj tij gjithë arsenalin e dhunës me të cilën disponon gerila urbane në Kosovë, hiç këtu armatimin e rëndë të FSK-së, përkundër sulmeve ndaj tij dhe familjes së tij, gjeti forcë dhe kurajë t’i tejkalojë të gjitha këto dhe të bëjë koalicion me LV-në. Në këto rrethana, askush nuk do të afrohej me LV-në. Shembja e madhe e LDK-së, për mua do të ishte befasia më e madhe e që nuk e besoj se do të ndodhë! LDK-ja mbetet kandidati më serioz për koalicion me LV-në , pas zgjedhjeve nëse AAK-ja nuk i fiton 10 vota e më shumë!

Partia Demokratike e Kosovës: Është në situatë kur i mungojnë liderët, ai historik siç e quanin Hashim Thaçin dhe Kadri Veseli që nisi të reformojë partinë dhe i cili, me vullnetin më të madh kishte gatishmëri ta shtynte para procesin e vetingut, formimin e një Gjykate Ndërkombëtare për Krimet e Serbisë në Kosovë, Qendrën e Eksodit sikur edhe Muzeun Memorial . PDK-ja e ka një përparësi sepse është e liruar nga gara apo imperativi për të fituar zgjedhjet. Vërehet një angazhim i madh në terren dhe në diasporë. Ka një numër standard të votuesve i cili nuk lëvizë shumë. Po vërehet përpjekja për një urbanizim politik dhe organizativ të PDK-së si dhe një distancim i lehtë nga e kaluara, në disa raste e shndërruar në folklor politik. Në zgjedhjet e fundit, kur të gjithë ishin kundër PDK-së, dhe kur fushata elektorale e partive tjera mbështetej ekskluzivisht në diskursin kriminal që i vishej PDK-së, doli relativisht mirë duke fituar 24 mandate. Tash, PDK-ja nuk po sulmohet aq shumë sepse qëllimi dhe kuptimi i sulmeve ndaj PDK-së që personifikohet në Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin janë në Qendrën e Paraburgimit të një Gjykate Raciste në Hagë. Mendoj se nëse PDK-ja arrin të ruaj votat e zgjedhjeve të fundit apo nëse sillet rreth atyre votave, do të konsiderohej si fituese e zgjedhjeve aq më parë që është goditur shumë dhe që gjasat janë të goditet ende. Sinqerisht besoj se dëmin më të madh PDK-së ia kanë bërë individë të papërgjegjshëm si dhe qëndrimi i gjatë në pushtet. PDK-ja ka nevojë t’i kalojë të gjithë rrathët e Ferrit të Dante Aligerit, të përfundojë në Purgator ku do të spastrohej nga ndotja që ia kanë bërë individë të papërgjegjshëm dhe të korruptuar në mënyrë që ta zë vendin e merituar në skenën politike të Kosovës. PDK-ja ka të kaluar patriotike, anëtarësia ka përmbajtje patriotike dhe është e gatshme që të mbrojë në çdo kohë sakrificën e madhe për liri, çlirim dhe pavarësi të Kosovës. Sa më shpejt që të distancohet PDK-ja nga një e kaluar jo e pastër e disa individëve të saj, aq më shpejt do ta marr veten. Kosova ende nuk e ka përmbyllur çështjen e shtetësisë, as sa i përket ruajtjes së integritetit territorial e as në aspektin e shtrirjes së sovranitetit prandaj Kosova ka nevojë për pjesën patriotike (Pjesa më e madhe) të PDK-së.

Nëse nuk ndodhin zhvillime të papritura, PDK-ja jo që do të bjerë në vota por mund të ketë ngritje të lehtë! PDK-ja e ka një përparësi që askujt nuk i vendosë vija të kuqe në ndërkohë që partitë tjera assesi nuk lirohen nga ngjyrosja e vijave të bashkëpunimit me ngjyrë të kuqe ndaj PDK-së. PDK-ja po paguan për mëkatin e bërë nga disa çuna të fortë që janë thirrur në emër të PDK-së dhe të cilët nuk kanë pasur interes tjetër përveç interesit personal. PDK-ja ka nevojë të përforcohet në fushën e komunikimit me publik dhe me media e që deri më tani  ishte dhe është Thembra e Akilit e PDK-së. PDK-ja, edhe këtë mandat duhet të refuzojë çdo ofertë për përfshirje në qeveri duke bërë opozitën konstruktive, në dobi të qytetarëve dhe të shtetit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: Është parti që nëse i fiton mbi 10 deputetë, do të bëhet përcaktuese për formimin e institucioneve të Kosovës sikur që do ta detyrojë Albin Kurtin t’i tregojë kartonin e kuq Vjosa Osmanit për postin e presidentit. AAK-ja i ka 10-12 anëtarë të partisë që, edhe në kushtet ekstreme do të luftojnë për ta siguruar postin e deputetit. Dhe, në të shumtën e rasteve e arrijnë këtë qëllim. Në kohën kur LV-ja e ka vetëm një lider që nuk kontestohet, nuk kundërshtohet, nuk zëvendësohet dhe që adhurohet, deri në idololatri por, pa sakrifikuar shumë, AAK-ja i ka dy liderë të tillë, Ramushin dhe Dautin, pa të cilët partia do të ishte një kornizë, pa përmbajtje dhe për të cilët edhe do të sakrifikoheshin, po qe nevoja. Edhe në AAK ka patriotë të devotshëm që e kanë bërë luftën dhe të cilët, përsëri do ta bëjnë, po qe nevoja. AAK-ja e ka më të fuqishëm krahun ushtarak, se atë politik sikur që e ka edhe Anës Vjosës me Fatjon Boletinin e pecëve.

AAK-ja, nëse dalin parashikimet që i kam se, në rastin më të keq do të fitojë 10 deputetë, do ta ketë rolin që e ka LSI-ja e Ilir Metës në Shqipëri. Pa AAK-në nuk do të bëhet asgjë prandaj edhe Ramushi e ka blerë smokingun me flutur, për president, nëse në ndërkohë nuk do të ketë dridhje toke, në Pakistan p.sh. Apo nëse Donika Gërvalla nuk tërhiqet nga kushti i vënë Albin Kurtit se nuk mund të ketë koalicion me PDK-në, AAK-në dhe LDK-në me Isa Mustafën dhe Agim Veliun. Është me rëndësi të thuhet se asnjë Donikë nuk është ndarë mirë me AAK-në në kohën kur Donika Kadaj, për shumë gjëra është Ajnshtajn për Donika Gërrvallën. Mund edhe të gaboj.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i kabinetit të Vjosa Osmanit, Faton Peci, ka reaguar…